Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit Behar Sofia. Pas arrestimit të autorit të vrasjes 24 vjeçarit Ernejt Shyti dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka dalë edhe videoja e momentit kur Shyti ndjek viktimën në rrugën e Elbasanit.
Në videon e siguruar nga Agora News, shfaqet momenti kur Behar Sofia kalon kryqëzimin përballë Kishës Katolike për të ecur krah lumit të Lanës dhe pas tij vjen Ernejt Shyti i cili e ndjek nga pas me hapa të ngadaltë. Sipas rrëfimit edhe të vetë Shytit, ai e ka ndjekur viktimën dhe më pas e ka qëlluar atë me dy plumba për t’u larguar më pas me biçikletë në drejtim të Liqenit Artificial dhe më pas drejt Kërrabës.
Shyti u arrestua në Mal të Zi së bashku me bashkëpunëtorët e tij si Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë dhe Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë. Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Por si u organizua vrasja e biznesmenit Behar Sofia?
4 të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë organizuar vrasjen e Behar Sofisë duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij. Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së vrasjes, është larguar në drejtim të Malit të Zi.
Në rrëfimin e të riut Shyti që ekzekutoi biznesmenin, Sofia mësohet se ka pranuar krimin ndërkohë që ka thënë se organizator i këtij krimi ishte i arrestuari, Skënder Vathi, nga i cili do të merrte edhe një shumë parash për vrasjen e biznesmenit Sofia. Mësohet se shuma e premtuar ishte 50 mijë euro, ndërkohë arma e krimit do të sigurohej nga Xhuljano Visha.
Nga ana tjetër pavarësisht provave të mbledhura tre të arrestuarit e tjerë nuk e kanë pranuar përfshirjen në këtë krim. Në rrëfimin e 24-vjeçarit që ekzekutoi Behar Sofinë, thuhet se Skënder Vathi i ka dhënë atij edhe një foto të ‘objektivit’, pra të biznesmenit Behar Sofia, të cilin duhet të eliminonte. Ndërkohë armën e krimit e ka siguruar Xhuljano Visha. Ndërkohë i arrestuari tjetër, Leonar Xhixha ka rolin e bashkëpunëtorit, pasi ka bërë të mundur arratisjen e vrasësit Ernejt Shyti.
Nga ana e saj, policia mësohet se ka disa persona nën hetim si të dyshuar si porositësit e ngjarjes por edhe nuk është arritur që të dokumentohet për shkak të mungesës së provave.
Ekzekutimi mafioz i Behar Sofisë u krye mëngjesin e 25 shkurti pranë Piramidës, buzë lumit të Lanës, ku fillimisht Behar Sofia është gjetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital por pa mundur të mbijetojë. Në momentin e krimit, viktima ecte në këmbë në trotuar.