Noteres Rezarta Koçi të cilës iu hodh në erë mjeti “Range Rover” me tritol i ka ardhur një mesazh kërcënues në profilin e saj në Instagram. Newsbomb.al ka publikuar dhe mesazhin që shkruan një adresë anonime, në të cilin shkruhet me tonë kërcënuese se Koçi do të paguajë gjithçka që ka bërë bashkë me një person që tashmë nuk jeton më.
“Pershendetje, edhe ditelindjen e ke per halloween sic ke fytyren, te gjitha pislleqet qe ke bere me ate te ndjerin do i lash ne kete dynja. Shkofsh ne ferr ku**e e ndyre,”- shkruhet ne mesazhin e derguar nga profili me emer “bbb31_”, vetëm pak ditë përpara vendosjes së tritolit.
Mesazhi
Sipas të njëjtës media, “i ndjeri” që përmendet në mesazh është Urim Pepa, i dashuri i noteres Rezarta Koçi që ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ky mesazh dhe adresa nga është dërguar është tashmë në duart e grupit hetimor. Mbrëmjen e 5 nëntorit, makina luksoze e llojit “Range Rover”, tip “Evoque” me targa ‘AA 199 YS’ në pronësi të noteres Rezarta Koçi, është hedhur në erë si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi që i ishte vendosur. Mjeti ishte i parkuar në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në Tiranë në momentin që lënda plasëse shpërtheu. Dosja.al ka raportuar se ka qenë vetëm një paralajmërim për noteren Rezarta Koçi, pasi kjo e fundit rezulton të jetë kallëzuar katër herë për mashtrim.