Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka lënë në ‘arrest shtëpie’ ish-zëvendësministren e Brendshme Rovena Voda.
Ajo akuzohet për ndikim të paligjshëm pasi i ka marrë para një shtetase për ta favorizuar këtë të fundit për t’u punësuar në administratë.
“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejte shtetasen Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.57, datë 13.07.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimin ndaj shtetases Rovena Voda të masës së sigurimit personale -arrest në shtëpie e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.