Search
Close this search box.

Gjykata rrëzon qeverinë dhe bashkinë: Kopshti Botanik u takon studentëve

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të premten shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kalimin e Kopshtit Botanik nën pronësinë e Bashkisë së Tiranës, duke argumentuar se ai u takon pedagogëve dhe studentëve.

Beteja mes Universitetit të Tiranës dhe Këshillit të Ministrave e Bashkisë Tiranë nisi në korrik 2019, kur u dorëzua fillimisht kërkesë- padi në Gjykatën e Apelit Administrativ. Më 14 nëntor 2019, kjo gjykatë shpalli moskompetencën dhe e dërgoi çështjen për shqytim në Shkallën e Parë.

Një vit e gjysmë pas ngritjes së padisë, gjyqtari i çështjes Bezart Kaçkini shpalli vendimin për pranimin e padisë dhe shfuqizimin e vendimit të qeverisë.

Gjatë seancës së të premtes, palët në proces paraqitën konkluzionet përfundimtare dhe gjyqtari Kaçkini shpalli një përmbledhje të arsyetimit dhe vendimit të tij.

Pala paditëse, Universiteti i Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës kërkuan shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që i jep në administrim Bashkisë Tiranë, Kopshtin Botanik. Përfaqësuesit ligjorë të institucioneve akademike, avokati Vladimir Meçi dhe avokatja Irena Shuaipi sollën në vëmendje se Kopshti Botanik ishte krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1965, ku përcaktohet se do të jetë nën drejtimin dhe administrimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Ata theksuan se vendimi i vitit 2019 ishte marrë në kundërshtim me ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, duke shpjeguar se aty përcaktohet që pronat e paluajtshme ku ushtrojnë veprimtarinë institucionet publike të arsimit të lartë, kalojnë në administrim të këtyre institucioneve.

Sipas paditësve, ky vendim i qeverisë bën të kundërtën e asaj që përcakton ligji për arsimin, duke i hequr Universitetit të Tiranës një pronë që e administron që prej vitit 1965.

“Universiteti i Tiranës nuk u pyet dhe bashkia nuk mund ta vërtetojë se një gjë e tillë ka ndodhur. Kopshti Botanik është objekt studimi i florës dhe faunës. Ky vendim i heq të drejtën universitetit ta përdorë për qëllime studimore,”tha avokatja Shuaipi.

Avokati Meçi deklaroi se nuk ishin respektuar procedurat e nevojshme për nxjerrjen e këtij vendimi.

“Këshilli i Ministrave mund të transferojë në bashki ato pasuri që kanë karakter social-kulturor apo sportiv. Kopshti Botanik ka qëllim shkencor,” theksoi avokati Meçi.

Pala e paditur, Këshilli i Ministrave, i përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit dhe palët e treta në proces, Ministrsia e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkia Tiranë i kundërshtuan konkluzionet e Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Skencave.  Ndërkohë, në seancë nuk u paraqit një prej palëve të treta, Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave pretenduan se kërkesë-padia ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar dhe si e tillë, duhet të rrëzohej. Bashkia e Tiranës ngriti gjithashtu pretendime se duhej të ishte palë e drejtpërdrejtë në proces dhe jo si palë e tretë.

Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit pretenduan se vendimi i qeverisë nuk e cenon arsimin.

Pasi u njoh me konkluzionet e palëve, gjyqtari Bezart Kaçkini paraqiti një arsyetim emocional dhe personal, përpara se të shpallte shfuqizimin e vendimit të qeverisë.

“Jam i habitur se si edhe në konkluzionet përfundimtare ngrihen pretendime për afatin,” iu drejtua gjyqtari palëve të paditura. Kaçkini theksoi se ishte më se e qartë se kërkesë-padia ishte dorëzuar në afat. “Nuk e di ku i keni gjetur këto data,” shtoi ai.

Lidhur me ndërgjygjësinë ku Bashkia Tiranë ishte thirrur në gjykim si palë e tretë, Kaçkini tha se idealja do të kishte qenë të ishte thirrur si palë e drejtëpërdrejtë, por shtoi se kjo situatë nuk mund të sillte cënim të procesit.

Në vijim ai solli në vëmendje rëndësinë e çështjes dhe ngriti pyetje të cilave u dha më pas përgjigje, duke i konsideruar ato si filozofi e ndjenja.

“Nuk kemi përditë procese të tilla, ku të ndërthuren kaq interesa politike e filozofike. Arsimi është arritja më e madhe e njerëzimit. Pa arsim nuk ka kapërcim. Përmes arsimit cilësor kam arritur të bëhem gjyqtar,” parashtroi Kaçkini dhe kujtoi se i ati i kishte përcjellë dëshirën për arsimin.

“Arsimi i lartë bazohet në autonomi dhe autonomi pa auditor e vendimarrje nuk ka,” vlerësoi gjyqtari Kaçkini dhe solli në vëmendje se këto ishin rregulluar nga ligji për arsimin.

Ai e cilësoi Kopshtin Botanik si një auditor dhe solli në vëmendje se ishte ndërtuar në vitin 1965. “Kush e ndërtoi? Kush e ruajti në vitin 1992 dhe 1997, kur u bë gjithë kioska Shqipëria? – Pedagogë e studentë,” arsyetoi Kaçkini.

“Kush e ruan sot? Pedagogë e studentë – Nga kush? – Nga ai që ka pushtet,” vazhdoi gjyqtari.

Në vijim, gjyqtari Kaçkini arsyetoi lidhur me pretendimet e palëve për autonominë, ku pala paditëse pretendon se vendimi i vitit 2019 nuk e garanton.

“Dy pikat e Vendimit të Këshillit të Ministrave janë si mish i huaj. Se këto i di ai që ka çelësat. Me këtë vendim, nga zot shtëpie kthehesh në hyzmeqar,” shtoi gjyqtari Kaçkini dhe shtoi se diskrecioni është në kundërshtim me ligjin.

Sipas Kaçkinit, ligji ia jep këtë pronë të shtetit nën administrim Universitetit të Tiranës, ndërsa vendimi i vitit 2019 ia heq.

“Nuk ka nevojë që Kopshti Botanik të kthehet në lulishte. Ka plot hapësira të tjera. Kopshti Botanik të rrijë i tillë, u takon studentëve,” tha gjyqtari.

Ai theksoi se shkelja e diskrecionit dhe e ligjit nga ky vendim i qeverisë, cënojnë autonominë e Universitetit të Tiranës. Në përfundim, Gjyqtari Bezart Kaçkin vendosi të pranojë padinë për shfuqizmin e Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 17 korrik 2019.

Pas përfundimit të seancës, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof.Dr. Spiro Drushku falënderoi gjykatën për vendimin e drejtë.

“Kopshti Botanik, ishte, është dhe do të mbetet pasuri e Universitetit të Tiranës, për të qenë për atë qëllim që është krijuar, të jetë një qendër kërkimore shkencore unikale në vend në fushën e Florës,” përfundoi Dushku.

Vinkmag ad

Read Previous

Deputeti demokrat kërcënon gazetarin/ E merr në telefon, e shan dhe ofendon nga familja

Read Next

VIDEO/“Boronicat e arta” hetim nga SPAK: Shkëlzen Berisha realizoi transaksionin disa milionë euro pranë Gërdecit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular