Tiranë– New York/ Analisti politik Grid Rroji, pedagog në Universitetin CUNY të New Yorkut, komentoi në një intervistë për AGORA NEWS marrëveshjen e fshehtë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për një kredi prej 302 milionë dollarësh për çështje ushtarake. Sipas tij, çështja zbulon probleme më të thella të qeverisjes shqiptare.
Gjatë diskutimit me gazetarin Bardhi Quku, Rroji vuri në dukje se marrëveshja në vetvete nuk është e pazakontë mes aleatëve, por mënyra e trajtimit të saj nga qeveria Rama është jokorrekte. “Qeveria e trajton shtetin si pronë personale dhe e përdor për propagandë, duke e shitur si ‘fitore’ personale ose afrim me Donald Trump”, tha ai.
Incidenti në Parlament, ku deputeti Agron Shehaj mori dokumentin e marrëveshjes, Rroji e cilësoi si shembull i mungesës së seriozitetit të deputetit opozitar.
“Në vend të një debati transparent për përfitimet për Shqipërinë, si mund të përdoret kredia për industri vendase apo zhvillim, kemi një cirk mediatik”, shtoi Rroji.
Ai kritikoi iluzionet se kjo marrëveshje mund të sigurojë pritjen e samitit të NATO-s në Tiranë ose favore personale nga Trump. “Politika ndërkombëtare nuk funksionon me truke të tilla. Shqipëria ka pozita të dobëta për shkak të problemeve të brendshme: korrupsion, mungesë legjimiteti dhe besueshmërie të ulët ndërkombëtare”, theksoi pedagogu.

Rroji përfundoi se si qeveria ashtu edhe opozita dështojnë në trajtimin serioz të çështjeve kombëtare, duke theksuar nevojën për transparencë reale dhe debat publik mbi interesat strategjike të vendit, pavarësisht nga natyra e marrëveshjeve shtetërore.