Ish-kryeministri Sali Berisha është duke mbajtur një takim në selinë blu me kryetarët e degëve të PD. Në fjalën e tij ai është ndalur dhe te politika e ditës në Shqipëri, duke komentuar samitin e Ohrit për Ballkanin e Hapur.
Për të sulmuar kryeministrin Rama, ai përdori dhe avokatin e njohur Spartak Ngjela, duke e quajtur këtë të fundit një “hokatar të rrjedhur”. Shumë vite më parë, Ngjela ka qenë në një parti me Berishën dhe deputet i PD, por është kthyer ndër kritikët e tij më të mëdhenj.
“Bërtet nga Ohri se bujqësia po fiton. Një njeri që tani është reduktuar në një hokatar të rrjedhur si Spartak Ngjela, që s’di çfarë flet. Është bërë Ngjela bis. Po hajde shko një herë në Myzeqe dhe shiko se çfarë po ndodh me lopët, me serat. Po nuk i intereson.
Një rrafshin politik Ballkani i Hapur është një kundërvënie flagrante e Procesit të Berlinit. Dhe nuk është e paqëllimtë. Është projekt rus. Këtë e firmosi Sergei Lavrov. Hegjemoni serbe do të thotë influencë ruse. Për këtë po punon Edi Rama”, u shpreh Sali Berisha.
Sali Berisha: Në rrafshin politik Ballkani i Hapur është kundërvënie flagrante e procesit të Berlinit. Nuk është e paqëllimtë, është projekt rus, është thënë me dhjetra herë, por këtë e firmosi Sergei Lavrov. Hegjemoni serbe do të thotë influencë ruse, nuk ka diskutim. Për këtë po punon Edi Rama. Pra ky është Ballkani i Hapur në rrafshin politik. Asnjeri nuk e përgënjeshtron dot Lavrovin. Po pse këta kërkojnë influencat ruse, Vucic dhe Rama? I kërkojnë se vetëm në këtë mënyrë ata janë duar lirë të bëjnë ç’të duan në vendet e tyre. Rusi ka qëllime të tjera por në Evropë e botë nuk gjen dy kryeministër e president të lidhur me krimin si këta të dy. Këta janë sot zyrtarët më të lidhur me krimin në Evropë e botë, u duhet se e dinë që BE nuk i kapërdin dot, nuk i pranon dot me këto lidhje të tmerrshme krimi që kanë. ‘Ti kundërvihemi procesit të Berlinit që ka rreth 30 miliardë euro investime në Ballkan por që asnjë qindarkë s’mund të vidhet e të bëhet me tendera alla Edi Rama me negociata të mbyllura. PD është në mision të madh, jo vetëm në mbrojtje të interesit kombëtar por interesit të cdo prodhuesi shqiptar në fshat e qytet. Çdo projekt që favorizon Serbinë e madhe është projekt që destabilizon Ballkanin. Ne duhet të qartësojmë çdo shqiptar me guxim për këtë, nuk mund të pranojmë që interesat tona kombëtare të shkelmohen nga kushdoqoftë. Do thoni ju si do ja bëjmë tani? Më të fuqishëm se njerëzit e lirë që vendosin të luftojnë për fatin e tyre nuk ka asgjë e asnjeri, ndaj të bindim shqiptarët të marrim fatin në duart tona. Do përpiqen ta mbajnë prap Ramën kryeministër do dështojnë nëse ne ngrihemi në lartësinë e misionit tonë, ndaj unë ju bëj thirrje ju të qëndrojmë në nivelin e idealeve të anëtarësisë sonë, të mbështetësve tanë, koha është të bëjmë ditën natë, më falni natën ditë, të bëjmë gjithçka për të shumëfishuar aktivitetin tonë, se kemi trashëgiminë pozitive. Të angazhohemi të gjithë në organizatorë, të gjithë duhet të shndërrohemi në propagandistë të të vërtetave tona, të shumëfishojmë aktivitetin tonë në rrjetet sociale, në media dhe kudo. Të shndërrohemi të gjithë në aktivistë që do afrojmë cdo ditë e më shumë njerëz rreth vetes sonë që me përkushtim do krijojmë frontin e përbashkët opozitar. Regjimi monist duhet me çdo kusht përmbysur me mjete demokratike. Kam besim se do qëndrojmë në lartësinë e detyrës sonë.
