Idrizaj flet pa doreza: Ja pse shteti shqiptar ka dështuar të zgjidhë çështjen çame

Jepi Share

Në 82-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, Liljan Idrizaj, ka kritikuar ashpër mungesën e angazhimit institucional të shtetit shqiptar për zgjidhjen e kësaj çështjeje historike.

Në një intervistë për Agora News, Idrizaj tha se pavarësisht disa hapave simbolikë, shteti shqiptar nuk e ka trajtuar çështjen çame me seriozitetin dhe vazhdimësinë e duhur, duke e lënë atë kryesisht në dorë të shoqatave dhe iniciativave sporadike.

Përgjigja e parë dhe e prerë është jo. Por kjo nuk do të thotë që nuk është bërë absolutisht asgjë”, u shpreh Idrizaj, duke përmendur vendimin e Kuvendit në 1994 për ta shpallur 27 qershorin Ditë Përkujtimi të Gjenocidit, si dhe disa deklarata e rezoluta të arritura kryesisht nëpërmjet Partisë Drejtësi Integrim Unitet (PDIU).

Ai theksoi se angazhimi ka qenë “minimal, jo në lartësinë e dhimbjes dhe problemit”, duke u kufizuar në përmendje sporadike gjatë vizitave në Athinë ose në periudha zgjedhjesh, pa një strategji institucionale të qartë dhe të vazhdueshme nga qeveria, Ministria e Jashtme dhe Parlamenti

Idrizaj, i cili është çam me origjinë nga fshati Markat i Konispolit dhe jeton në Shkodër që nga vitet ’50, foli edhe për historinë personale të familjes së tij.

Ai rikujtoi se tentativat për tjetërsimin e Çamërisë filluan që në shekullin e 19-të, pas pavarësisë së Greqisë, ndërsa kulmi ishte gjenocidi i vitit 1944 i kryer nga forcat e Napoleon Zervas, i cili çoi në dëbimin, vrasjet, përdhunimet dhe konfiskimin e pronave të mijëra shqiptarëve muslimanë të Çamërisë.

Ne jemi parë gjithmonë me syrin e njerkës nga autoritetet komuniste të asaj kohe, sepse kishim gjithmonë mendjen te tokat tona, nga ku ishim dëbuar, ku kishim varret, gjakun e derdhur, kujtimet dhe ëndrrat tona”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria kritikoi politikën “nënshtruese dhe servile” të disa qeverive shqiptare ndaj Athinës, duke theksuar se shteti shqiptar duhet të jetë mbrojtës i interesave të shqiptarëve kudo, përfshirë çështjen e pronave, kthimit të të drejtave dhe mirëmbajtjes së varrezave në Greqi.

Megjithatë, ai shprehu optimizëm për perspektivën evropiane.

Shpresojmë shumë që me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një pjesë e problemeve tona – kthimi i pronave, varrezat tona në Greqi – të fillojnë zgjidhjen. Sepse në një Evropë të bashkuar, problemet minimizohen”, u shpreh Idrizaj.

Ai përmendi përpjekjet e deritanishme për ndërkombëtarizimin e çështjes, si rezoluta në Këshillin e Evropës dhe diskutime në Kongresin amerikan, por nënvizoi se ato kanë mbetur të pamjaftueshme pa mbështetjen sistematike të institucioneve shqiptare.

Në fund të intervistës, Liljan Idrizaj theksoi se çështja çame nuk mund të harrohet: “Kanë kaluar 82 vjet, por ka popuj që kanë pritur 2000 vjet dhe kanë rikthyer të drejtat. Në qoftë se ne çojmë mesazhin, nuk e harrojmë – kjo çështje s’ka shans të humbasë. Kjo vetëm rritet, vetëm forcohet”.

Intervista e plotë:

Përshëndetje të dashur shikues. Mirë se vini në Agora News.

Do të flasim për 82-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe se çfarë ka ndodhur në këto 82 vite dhe se çfarë ka bërë shteti shqiptar kundrejt çështjes çame. Për të folur për këtë temë kemi të ftuar zotin Liljan Idrizaj, i cili është kryetar i Shoqatës Patriotike Çamëria.

Zoti Idrizaj, përshëndetje. Edhe unë ju përshëndes juve dhe ju përgëzoj për temën e ndjeshme me të cilën po flasim sot.

Zoti Idrizaj, ky qershor shënon 82-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në optikën tuaj çfarë ka ndodhur në këto 82 vite dhe se çfarë ka bërë shteti shqiptar për të vendosur atë që quhet drejtësi për çështjen çame?

Siç e dini edhe ju ose siç e dinë pjesa më e madhe e shqiptarëve, gjenocidi ka ndodhur në qershor të vitit 1944. Qysh nga ardhja e refugjatëve të vrarë, të përdhunuar, të grabitur të popullit të Çamërisë që jetonte në Greqi, shteti shqiptar i atëhershëm, me gjithë të mirat ose defektet e veta, edhe po të donte nuk mund t’i ndihmonte çamët e vrarë dhe të dëbuar. Akoma nuk ishte çliruar Shqipëria.

Shteti ynë nuk ishte ende shtet i plotë, autoritetet e asaj kohe s’ishin zotërues të plotë për të menaxhuar Shqipërinë, e lëre më për të menaxhuar çamët e ardhur. Gjithsesi kanë kaluar prej vitit ’44 deri në ’45-’46 me i sistemuar në baraka, në ndihma nga UNRRA dhe ndihmat e tjera që funksiononin në atë kohë. Më pas patën një farë vetorganizimi dhe gradualisht u sistemuan ashtu si mundën në zona të ndryshme të Shqipërisë: në radhë të parë në Vlorë, Fier, Durrës, Elbasan, Tiranë, Shkodër e kudo.

E veçanta është që ata janë parë gjithmonë me syrin e njerkës nga autoritetet komuniste të asaj kohe, për disa arsye sipas mendimit tim. Sepse kishim gjithmonë mendjen te tokat tona, nga ku ishim dëbuar, ku kishim varret, gjakun e derdhur, kujtimet dhe ëndrrat tona.

Zoti Idrizaj, a mund të na rrëfeni se cila është lidhja juaj me Çamërinë?

Sigurisht, edhe ne jemi gjak shqiptari. Unë jam çam, nuk jam çam i dëbuar në vitin ’44. Jam i lindur në zonën e Konispolit, tamam nga ish-komuna e Markatit, nga fshati Markat. Në rrethana të ndryshme historike, sociale dhe politike, familja ime ka ardhur të jetojë në Shkodër në vitet ’50. Qysh atëherë jetojmë në Shkodër, por jemi rritur me identitetin tonë mijëvjeçar çam, me vuajtjet dhe historitë e dëbimit e të persekutimit të çamëve. Unë mezi kam pritur (pas viteve ’90, kur u çliruam nga presioni) të jap kontributin tim, sado modest, për çështjen çame. Kjo është lidhja ime personale.

Po a mund të na rrëfeni një histori konkrete të familjarëve tuaj, të paraardhësve tuaj sa i përket gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë?

Tentativat për ta tjetërsuar Çamërinë kanë filluar që në vitin 1821 kur Greqia fitoi autonominë, rreth viteve 1829-1830 kur fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane. Qysh në atë kohë komuniteti çam musliman u pa me syrin e njerkës, madje armiqësor, nga autoritetet e reja greke.

Në 1913 mbi 90% e Çamërisë kaloi në territorin grek. Unë jam pjesë e asaj 5-10% që mbeti në territorin shqiptar, por me rrënjë e gjak çam. Gjatë luftës italo-greke, të afërmit e mi (si xhaxhai im) u morën dhe u internuan. Kur filloi masakra e paramenduar, deri në vitin 1944 kur Napoleon Zervas i dëboi praktikisht të gjithë shqiptarët muslimanë të Çamërisë.

Zoti Idrizaj, në fjalën tuaj në Kuvend me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit grek ndaj Çamërisë, ju theksuat se çështja çame nuk duhet të mbetet peng i harresës apo interesave të çastit… A e kanë trajtuar me seriozitet institucionet shqiptare këtë çështje të paktën përgjatë 35 viteve të fundit?

Përgjigja e parë dhe e prerë është jo. Por kjo nuk do të thotë që nuk është bërë absolutisht asgjë. Me punën e shoqatës Çamëria, në vitin 1994 Kuvendi vendosi që 27 qershori të jetë dita e përkujtimit të gjenocidit.  Më pas, me lindjen e Partisë Drejtësi Integrim Unitet (PDIU) u arritën disa gjëra si deklarata, rezoluta, krijimi i Bashkisë së Konispolit etj. Por angazhimi i shtetit shqiptar ka qenë minimal, jo në lartësinë e dhimbjes dhe problemit. Në momente të caktuar, në kohë të caktuar, udhëheqës të caktuar e kanë ngritur e kanë përmendur me palën greke. Siç e them, kanë qenë sporadike në momente zgjedhjesh, por jo në mënyrë të organizuar institucionale me program. Dhe nuk i është dhënë asnjëherë ai rëndësi që ka kjo çështje jashtëzakonisht e dhimbshme – edhe siç ma përmendët edhe ju – që nuk ka asnjë mundësi të harrohet për sa të jetojmë ne çamët, për sa të jetojnë të gjithë shqiptarët, por edhe për sa të jetojë shqiptaria.

Zoti Idrizaj, pse shteti shqiptar nuk e ka adresuar këtë çështje në mënyrë të vazhdueshme në kancelaritë europiane, por sidomos në vizitat që shtetarët shqiptarë kanë zhvilluar në Athinë?

Historinë e vizitave tona në Athinë ne e dimë të gjithë. Unë detyrohem të them se jemi pak më të ndjeshëm ne çamët, sepse kemi akoma shtëpitë, varret, tokat, historinë tonë në atë që e quajmë shtetin grek. Ne aty e kemi vendin tonë, kujtimin tonë, historinë tonë, perspektivën tonë dhe nuk kemi asnjë shans ta harrojmë. Pra mund dhe duhet të thuhet që shtetarët tanë bëjnë politikë nënshtruese, servile, dhe jo politikën që i takon shtetit shqiptar, i cili duhet të jetë mbrojtësi (piedestali) i shqiptarëve. Pritet shumë më tepër. Përveç përmendjeje sporadike, unë e di vështirësinë, e di dëshirën e shqiptarëve por edhe të shtetit për t’u pranuar në Bashkimin Europian, por është bërë minimalisht. Mos të themi pak edhe hiç.

Nuk është ajo që pritet nga ne çamët nga shteti, por nuk është as ajo që presin shqiptarët për çështjen çame nga shteti ynë. Kjo është një vërejtje që mund dhe duhet t’i bëhet të gjithë qeverive – qofshin të djathta, të majta, apo qeveri uniteti e koalicioni siç ndodhi në rastet e ’91-ës, ’97-ës, por edhe ndonjë moment tjetër.

Përgjegjësi është shteti ynë për ngritjen, mbrojtjen dhe detyrimet që ka ndaj komunitetit tonë, i cili me punën e tij, me kontributin e tij, me aktivitetet e tij ka kontribuar për stabilizimin e Shqipërisë. Edhe duhet ta përmend – më vjen rrallë rasti – që Kosova dhe Çamëria siç thonë janë sakrifikuar për të pasur këtë shtet që kemi. Por ky shtet bëhet më i fortë ashtu siç ndodhi me Kosovën që fitoi pavarësinë, në qoftë se mbrohen edhe ruhen të drejtat e komunitetit tonë të shumëvuajtur çam.

A ka diskutime me Athinën zyrtare sa i përket njohjes nga ana e shtetit grek të këtij gjenocidi kundrejt shqiptarëve të Çamërisë, por edhe për zgjidhjen e çështjes së pronave?

Mund të them krejt të lirshëm: Jo. Ka përmendje, ka reflektim negativ nga shteti grek, nuk ka protagonizëm ose vendosmëri nga shteti ynë (mbase edhe për arsye që dihen), por nuk është bërë as edhe sot ajo që pritet. Nuk ka ndonjë mënyrë institucionale ose ndonjë bisedim institucional të shtetit tonë me shtetin grek.

Shpesh edhe me komunitetin tonë kemi pasur shpresa të mëdha se do të punohet, do të forcohemi, do të jemi në gjendje të bëjmë marrëveshje reciproke me grekët, por ka pesimizëm. E vetmi optimizëm i yni është të vazhdojmë aktivitetet, të sensibilizojmë çamët dhe shqiptarët për çështjen tonë, të forcohemi.

Duhet të them se unë personalisht, po jo vetëm një pjesë e madhe e jonë çamëve, shpresojmë shumë që me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në familjen e madhe evropiane, një pjesë e problemeve tona – po them unë kthimi i pronave, varrezat tona në Greqi, diskutimet për pronat, por jo vetëm – po qoftë edhe rregullimi i varreve të të parëve tanë që janë në Greqi, të fillojnë zgjidhjen. Sepse në një Evropë të bashkuar, siç thonë, problemet minimizohen dhe mbase shkojmë në drejtimin e duhur. Pra është fillimi i zgjidhjes së problemeve tona. Shpresoj.

Zoti Idrizaj, a ka përpjekje qoftë të shoqatës suaj që ju drejtoni, qoftë të shoqatave të tjera që merren me çështjen çame, apo edhe të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të elementëve apo strukturave të shtetit shqiptar që po bëjnë përpjekje për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje apo qoftë për ta dërguar në Hagë si çështje?

Përpjekjet kanë qenë të vazhdueshme në momente të caktuar. Kemi pasur, po them unë, suksese relative. Është ka një rezolutë në Bashkimin Evropian, po i them në Këshillin e Evropës në kohën e Doris Pakut. Ka pasur një rezolutë edhe një diskutim në kohën e zonjës Clinton në Kongresin Amerikan.

Zoti Idrizi, kryetar i PDIU-së, në kohën kur ishte nënkryetar i Kuvendit, por edhe anëtar i komisionit të jashtëm shqiptar në Parlamentin Europian, e ka ngritur shpesh çështjen çame, por jo vetëm.

Për shembull ka mbrojtur në atë kohë integritetin e Kosovës dhe pastërtinë e luftës së Kosovës kundër raportit famkeq të Dick Martit.

Pra ka pasur përpjekje, ka përpjekje edhe vazhdojnë përpjekjet, por shumica e këtyre përpjekjeve nuk u kthyen – siç edhe biseduam gjatë bisedës – që të punojnë parlamenti ynë, Ministria e Jashtme jonë, qeveria jonë në mënyrë të vazhdueshme, institucionale dhe në çdo bisedë. Prandaj janë më shumë sporadike, të ndërprera, por jo institucionale.

Puna jonë nuk ka me pushuar kurrë. Ne siç themi e kemi detyrim, e kemi gjak, e kemi frymë – është frymëmarrja jonë.

Kemi për detyrë të besojmë në Zot, të besojmë në vlera, të besojmë në shqiptarizëm, të besojmë te drejtësia e çështjes sonë, sepse na kanë vrarë, na kanë grabitur, na kanë përdhunuar.

Në qoftë se mund të bëjmë një barazim: unë atëherë e përdor shpesh këtë – në qoftë se mund të bëhet një barazim me çdo popull sot që vritet barbarisht. Po them unë siç janë persekutuar dikur hebrenjtë nga nazizmi gjerman, siç persekutohen sot palestinezët ose kudo tjetër, ashtu jemi persekutuar, jemi grabitur, jemi vrarë ne çamët.

Është e pamundur që ne të mos përpiqemi, të mos luftojmë, të mos e ngrisim këtë çështje, të mos e kujtojmë. Ne s’kemi si ta harrojmë.

Kjo është afërsisht ajo që mund të them me gjithë pakënaqësitë tona ndaj institucioneve, qeverisë shqiptare dhe parlamentit shqiptar.

Sigurisht, siç e përmenda gjatë bisedës, dua të falënderoj për ato sado pak që janë bërë. Bile këtu po gjej rastin të falënderoj edhe për këto seanca që bëhen për sensibilizimin e çështjes çame– është e treta ose e katërta seancë që bëjnë në Parlament.

Zoti Idrizaj, unë ju falenderoj që ishit në Agora News!

Edhe unë njëherë tjetër ju falënderoj. Kjo bisedë është shumë më e kollajshme kur unë mbaj një fjalim rastit, por me bërë një bisedë me ju… Nganjëherë biseda çalon, nuk gjejmë fjalën më të lehtë, por mesazhi mbetet, historia mbetet, kultura jonë mbetet, lutjet tona mbesin, kujtesa jonë mbetet. Dhe kjo është më kryesorja.

Këtë mision më mirë se ne çamët e bëjnë shoqatat, partitë shqiptare – sidomos Partia Drejtësi Integrim Unitet – por edhe ju, shtypi. Në këtë rast edhe kjo është siç thonë, na ri-karikon, na ndez dritën. Nuk po them flakë, sepse flaka ndizet e fiket, por dritë sado e vogël – shpresojmë nesër të bëhet e madhe për ta arritur këtë fitore: rivendosjen e të drejtave tona të mohuara.

Në qoftë se ne çojmë mesazhin, nuk e harrojmë – as ne shqiptarët, sidomos ne, fëmijët tanë, nipërit tanë – kjo çështje s’ka shans të humbasë. Kjo vetëm rritet, vetëm forcohet. Është e destinuar të mos harrohet kurrë. Ju personalisht, edhe nga ana ime, por edhe nga shqiptarët e Çamërisë dhe nga të gjithë shqiptarët patriotë, ju falënderoj. Këto biseda janë të dhimbshme dhe duhen të jenë të gjata. Po faleminderit.

Faleminderit sërish për praninë tuaj.

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

Mes protestave: Akila, gazetarja me inteligjencë artificiale, do të flasë me një milion shqiptarë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular