Kryedemokrati Lulzim Basha ka ‘shpërthyer’ ashpër ndaj Presidentit Ilir Meta pasi është shprehur se demokratët nuk i kanë asnjë borxh atij. Në një intervistë për Vizion Plus, i pyetur për ‘trekëndëshin e Bermudës’ që tha nga Kuvendi, Basha shtoi se demokratët ia dinë ‘bëmat’ dhe ‘gjëmat’ Ilir Metës, por pa u futur në detaje.
Pjesë nga Intervista:
Pyetje: Zoti Basha, një pyetje. Ditën që ju shpallët trekëndëshin e Bermudës, ju hapët një front beteje me Ilir Metën, pse e sulmuat ju Ilir Metën?
Lulzim Basha: E para e punës, as unë dhe as demokratët nuk kemi asnjë borxh Ilir Metës dhe nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat. E vetmja gjë që unë kam për shtuar, përveç asaj që kam thënë përpara, është që t’ju kërkoj një ndjesë të thellë, edhe si kryetar, por edhe në emër të strukturave drejtuese, që se kemi dëgjuar më mirë dhe më qartë zërin e tyre.
Pyetje: E keni kërkuar dhe në 2017-ën, kur thatë nuk do të ketë koalicion me LSI-në. Këtë herë nuk do të ketë më koalicion me LSI-në, realisht?
Lulzim Basha: Nuk kam asgjë tjetër për ti shtuar kësaj çështje, besoj se është shteruese dhe nuk kam ndërmend t’i jap askujt vëmendjen që nuk meriton, secilit i kam dhënë atë që meriton.
Si nisi përplasja Basha-Meta?
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar në një intervistë për VOA se në trekëndëshin e të keqes janë më shumë se tre persona, janë lidhjet me oligarkët dhe krimin kundër interesave të qytetarëve. Basha deklaroi disa ditë më parë se qasja e Metës para zgjedhjeve ishte ajo që shkatërroi frymën opozitare në 25 prill. Presidenti iu përgjigj deklaratës së Bashës përmes një mesazhi të publikuar nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi. Ai e cilësoi Bashën si kontribuuesin kryesor të Rilindjes, duke thënë se ai iu është “lutur me lot në sy” Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anulluar zgjedhjet vendore .