Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë dëgjesës në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka bërë me dije se nga sot ka filluar vaksinimi me dozën e tretë.
Manastirliu në fjalën e saj ka konfirmuar se janë marrë të gjithë masat për fillimin e vitit të ri shkollor, Manastirliu tha se kemi një mbulesë vaksinale 90% përsa i përket mësuesve.
“Ka filluar doza booster apo doza e tretë për grupmoshën +60 vjeç dhe paralelisht edhe për personelin mjekësor.Që në datë 13 mars ka filluar vaksinimi i mësuesve dhe i pedagogëve. Kemi vijuar jo vetëm me vaksinimin në shkollë por gjithashtu dhe me vaksinimin në universitetet. Deri më sot janë vaksinuar 28,512 mësues. Kemi një mbulesë të mirë vaksinale përsa i përket vaksinimit me dozën e parë dhe të dytë, mbi 90% të mësuesve të shkollave fillore dhe të mesme rezultojnë pra të vaksinuar me një dhe dy doza”, është shprehur ministrja.
Ndër të tjera në fjalën e saj ministrja ka komentuar edhe vaksinimin e të rinjve , ku thekson se kjo grupmosha ka pasur mundësinë për vaksinim që në javën e fundit të korrikut.
“Përsa i përket të dhënave përsa i përket grupmoshës 18 deri 24 vjeç me një dozë janë vaksinuar mbi 62 mijë individë të kësaj grupmoshe. Dua ta theksoj se ne kemi filluar vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç në javën e fundit të muajit korrik ku ka filluar dhe vaksinimi i hapur për gjithë grupmoshat dhe nuk e kemi ndalur deri më sot ku ne kemi një vaksinim të hapur. Ndërkohë që me dy doza sa i përket vaksinimit 18-24 janë vaksinuar 42,152 të rinj”, tha Manastirliu.
Ajo u shpreh se vaksinimi i studentëve në ambientet e universiteteve prej nisjes së vitit akademik ka arritur në rreth 8 mijë studentë të vaksinuar me të paktën një dozë.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,909,861 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 891,707 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID.