“Mbreti i betonit”/ Pashku marrëveshje heroine 1.9 mln € me vëllanë e prokurorit, Ulsi Manja e Olsi Çela i rrinë “gati tu”

Nga Elton Qyno/ Një prej bosëve të trafikut të Heroinës nga Hollanda në Spanjë dhe një ndër njerëzit me kapitalin më të madh në industrinë e ndërtimit në Shqipëri, është sjellë me shumë urgjencë nga një burg i Spanjës në një burg të Shqipërisë.

Personi që njihet me katër emra si Pashk Rrapi, Pashuk Gjini, Anton Gjinaj, Pashuk Maloku, i ka rrënjët e thella në Shqipëri, duke bashkëvepruar me nivelin më të lartë të politikës, bashkisë Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Fuqia dhe ndikimi i Pashk Rrapit, bëri që ti qëndrojnë gati tu, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryeprokurori i Përgjitshëm Olsian Çela, të cilët përmes Zyrave të Marëdhënieve me Jashtë, kanë koordinuar punët me autoritet Spanjolle, (duke shtruar rrugën me asfalt), për sjelljen në kohë rekord në Shqipëri, të njeriut me 4 emra, që në Shqipëri njihet dhe si “Mbreti i betonit”.

Ulsi Manja dhe Olsian Çelaj, kanë qenë pararoja e transferimit urgjent të Pashk Rrapit, i cili ishte duke vuajtur një dënim prej 8 vjet e 9 muaj burgim në qelitë e burgut të Alicantes në Spanjë.

Por tashmë me interesimin personal të baballarëve të Drejtësisë dhe manovrimin juridik të avokatit ish-gjyqtar të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri, Pashku po qëndron në burgun e Rreçit në Shkodër. Për transferimin e Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi në Shqipëri është përdorur konventa e 21 Marsit 1983, që flet për “Transferimin e personave të dënuar”.

Nuk dua të them se Pashku nuk e meritonte të vinte të vuante dënimin në Shqipëri, por po them që transferimi i tij është bërë në kohë rekord dhe me shumë urgjencë.

Janë dashur vetëm 3 muaj e gjysëm, që pas njohjes së dënimit Spanjoll nga gjykata e Tiranës, që Pashku të vijë në Shqipëri. Madje për të mos humbur kohë, Pashku nuk ka apeluar as vendimin e gjyqtares Vjollca Spahiu, që i njohu 100 për qind të ditëve (9.8 vite) të dënimit në Spanjë.

Ndërkohë nga ana tjetër ka dhjetëra raste të ngjashme të kësaj natyre, që familjarë dhe avokatët e të arrestuarve jashtë shtetit, enden zyrave të Ministrisë së Drejtësisë, për të kërkuar transferimin e të afërmve të tyre nga burgjet Italiane dhe Angleze drejt burgjeve Shqiptare. Por në këto raste procedura është në vend numëro.

Sjellja e Pashk Rrapit, me shumë urgjencë në Shqipëri, së pari tregon ndikimin dhe forcën e tij në rangjet e larta të politikës. Së dyti sjelljen në Shqipëri pranë biznesit të ndërtimit, ku ai operon me kompaninë “Alessio 2014”.

Por njëherësh tregon një tjetër anë të skenarit, atë të lirimit para kohe me kusht të biznesmenit.

Vetë Pashk Rrapi, kur ka dalë para gjykatës së Tiranës që është njohur zyrtarisht me njohjen e vendimit penal të huaj, ka pretenduar se dënimin e kishte vuajtur në burgun e Spanjës, ndaj që duhet të lirohej menjëherë.

Por problemi është se autoritet e drejtësisë Spanjolle, më konkretisht gjykata e Provincës së Alicantes me seli në Elche, ka kushtëzuar transferimin në Shqipëri të bosit të ndërtimit Pashk Rrapi, duke thënë se lirimi i tij nga qelia të bëhet, pasi ai të ketë vuajtur plot 3 mijë e 190 ditë burgim.

Që sipas autoriteteve Spanjolle, të cilat shkresën ja kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas Ministria, ja ka përcjellë Prokurorisë së Tiranës, Pashk Rrapi duhet të kapërcejë derën e burgut të Reçit, në datën 24 qershor 2025.

Sipas Spanjollëve, kjo datë duhet të jetë dita e lirimit për biznesmenin Pashk Rrapi.

Po çfarë ka ndodhur?

Në 16 shkurt 2022 Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka transmetuar një kërkesë të Pashuk Gjinit dhe autoriteteve Spanjolle të Drejtësisë, për njohjen dhe ekzekutimin në Shqipëri të një vendimi penal kundër Pashuk Gjinit.

Kjo kërkesë është përcjellë në Zyrën e Marëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe kjo e fundit në datën 18 shkurt 2022 ja ka përcjellë, prokurorisë së Tiranës, për njohjen e vendimit penal të huaj, dhënë në ngarkim të Pashuk Gjinit.

Prokuroria e Përgjithshme kërkon kryerjen e veprimeve përkatëse proceduriale për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal spanjoll, dhënë në ngarkim të shtetasit Pashuk Gjini, për efekt të transferimit të tij, nga Spanja në Shqipëri.

Nga materiali i dërguar nga Spanjollët, rezulton se njeriu me katër emra, është dënuar fillimisht në vitin 2010 nga Gjykata e Provincës Alicante me 12 vite burgim. Ky dënim është lënë në fuqi në muajin Maj 2011, duke ulur vetëm masën e dënimit, nga 12 vjet, në 8 vjet e 9 muaj burgim.

Sipas dosjes hetimore, qartësisht Pashuk Gjini, del i implikuar në një episod të trafikut të 50 kg heroinë nga Hollanda në Spanjë.

Në dosje thuhet se biznesmeni i ndërtimit Pashuk Gjini, në vitin 2006 ka lidhur një marëveshje bashkëpunimi me trafikantin tjetër, Sulejman Shkalla, i cili rezulton të jetë vëllai i kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha dhe pronar i kompleksit “Mai-Tai” në Lundër të Tiranës.

Ndër të tjera në dosje thuhet se: ”…në fillim të vitit 2006 grupi “Greco Levante”, ka përqëndruar hetimet në futjen në provincat “Alikante” dhe “Murcia”, të sasive të konsiderueshme të heroinës të ardhur nga Europa Lindore, duke vënë në ndjekje disa shtetas shqiptarë ndër të tjerë edhe Pashuk Gjini alias Maloku…”.

“…gjatë hetimeve u vërtetua se këta shtetas kishin dakordësuar futjen në Spanjë, të një sasie të konsiderueshme heroine si dhe realizimin e shpërndarjes së saj në Torrevieja (Alicante), me disa te preceduar të tjerë…”.

Në fillim të qershorit 2006 në marreveshjen e bërë midis Sulejman Shkallës, i cili qëndronte në Spanjë dhe Pashuku që qëndronte jashtë Spanjës, ata së bashku po organizonin dërgimin në Spanjë, të një sasie të konisderueshe të heroinës, për të cilën Pashuku dhe të proceduar të tjerë më datë 20 qershor 2006, kanë udhëtuar me avion për të realizuar kordinimin e operacionit dhe shpërndarjen më pas të perfitimeve të drogës.

Nga bisedimet e përgjuara të datës 21 dhe 22 qershor 2006, u vërtetua se droga vinte nga Hollanda dhe për këtë, rreth orës 13:30, të datës 22 qershor 2006, janë takuar së bashku me Pashukun dhe të dënuar të tjerë, të cilët koordinojnë veprimet për të pritur drogën që do të arrinte atë pasdite në Spanjë.

Transporti i droges ishte realizuar duke e futur në rrotat e makinave, e cila në tentativë për ta nxjerre nga rrotat, jane kapur nga policia duke i gjetur me duar të ndotura nga droga, gjatë nxjerrjes së pakove.

U gjet dhe peshua sasia e drogës e llojit heroinë, e cila ishte 50 kilogram e 610 gram e 88 miligram, me një pastërti mesatare prej 48.4% dhe me një vlerë tregu 1.941.623,20 Euro.

Në këtë grup kriminal nuk ka qenë vetëm Pashk Rrapi dhe Sulejman Shkalla alias Fusha, por dhe Shqiptarë të tjerë, ku ndër më kryesor janë Julian Deblini alias Julian Gjoka, Arjan Ndoci dhe Dritan Gradica.

Tani nuk na ngelet, gjë tjetër veç të shohim në vazhdim dhe të masim me barometër, praktika të tjera të Shqiptarëve, të mbetur burgjeve në Greqi, Itali,Spanjë, Angli dhe vende të tjera, të cilët duan të transferojnë dënimin në Shqipëri, por puna është se kush i del përsipër ti presi këtu…. Nuk kanë të gjithë, fatin e Pashkut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.