Blendi Fevziu ka treguar mbrëmë se ka refuzuar ofertat për tu bërë ministër. Duke folur në emisionin “Të paekspozuarit” ai ka treguar edhe arsyet përse nuk është përfshirë në politikë, por ka vijuar rrugën e gazetarisë.
Blendi Fevziu: Më kanë thirrur disa herë. Kam qenë 31 vjeç. Që në momentin e parë kur më kanë thënë, kam thënë jo. Ideja që kam patur, ka qenë mos-ngatërrimi me politikën. Kam qenë aktiv në vitet 90’-95’ midis gazetarisë dhe politikës. Kam qenë pjesë e Partisë Demokratike në fillim dhe Aleancës Demokratikë më mbrapa. Edhe pse isha shumë i ri, fillova të kuptoj që në politikë gjërat nuk varen shumë nga ti. Ose do të jesh i pari dhe të vendosësh piketat, ose të gjithë të tjerët mbrapa nuk e mbajnë dot peshën e të ruajturit të personalitetit të fortë. E shihja që kishte brryla, sharje, ishte gjë neveritëse. Në gazetari kisha më shumë pasion. Të gjithë ofertat e mëpasme kam thënë jo. Madje një miku im që ka qenë prezent kur më kanë bërë oferta, më ka thënë pse thua jo? Kam thënë jo sepse nuk kam dilemë. Në një rast tjetër kur më kanë bërë një gjë të ngjashme, kam thënë unë nuk jetoj dot me badigardë. Jam njeri relativisht i lirë. Liri do të thotë që çohem në mëngjes, vendos të iki, mbush valixhen dhe i hipi një avioni, mund të gjendem në fund të botës. Jam njeri që dua të dal për dreka, t’i hipi makinës të shkoj në një vend tjetër, nuk bëj dot jetën strikte. Edhe pse jeta ime ka qenë e limituar për shkak të katër emisioneve në jave. Para disa kohësh kisha një problem me marrje mendsh dhe vajta te një mjek në Austri. Kur po i tregoja ritmin tim të punës, ai ngeci një moment. Më tha, ke një problem ndryshe me ritmin. Ritmi starton në mëngjes, arrin një kulm nga dreka dhe rreth orën pesë bie ritmi, kurse ty të kulmoka në 10 të natës, ndaj duhet të përshtatesh me një lloj jete tjetër.
