Ndërgjegjja që po na ndryshon nga energjia

Familja ime prej më shumë se 8 vite është pakësuar numerikisht në apartamentin e Tiranës. Të dy çunat kanë ndjekur studimet universitare dhe post, njeri në SHBA, tjetri në Gjermani. Mjafton ky fakt, të besosh lehtësisht se brenda familjes realiteti i financave është i kontrollueshëm në çdo qindarkë dhe i frenuar në çdo shpenzim. Kahu i kursimit për këtë kryearsye është tashmë natyralitet i imponuar, në mos me hir, me pahir. 

Kohët më të vështira janë pikërisht në kësi periudhash për prindërit e studentëve që ikin jashtë dhe në shumicë të kohës, mbeten po jashtë. Qëndrojnë larg atdheut, për një kohë që askush nuk e paraplanifikon dhe askush nuk e di se sa do të qëndrojë nën përcaktimin “përkohësisht”. 

Por nuk është vetëm plaga sociale! Asaj po i mbishtohen edhe të tjera: Rënia e të ardhurave, shtrenjtimi i jetesës dhe së fundi edhe mbërritja e krizës energjetike nga tregjet e mëdha të botës. Një krizë kjo e shpërthyer befas, në nivel botëror dhe që për rajonin tonë po shfaqet edhe më specifike, ndonëse natyra shpesh i ofron aleancë specifike vendit tonë.  

Alarmi i ngritur nga jashtë, po merr përmasa edhe në vend dhe tashmë do të imponohet prej kësi rrethanash edhe për vendin tonë të vogël. 

Prej kaq kohësh “kambanat” për ndryshimin e regjimit energjitik kanë nisur të bien në vend. U fol dhe për vendosjen e një fashe, si masë kufizimi për energjinë, e cila u hoq sot duke çliruar kështu nga pasha e rëndë psikologjike shumëkënd. 

Përcaktimi se çmimi nuk do të ndryshojë aktualisht për askënd është një inkurajim dhe çlirim i madh për krejt familjet, por sidomos ato me nivel të ulët të ardhurash. Ama, pavarsisht kësaj, energjia duhet të kursehet në këto kohë të vështira që mund të na përballë me çdo të papritur. E në kësi rastesh, në natyrën e vet njeriu, aq më tepër qytetari i thjeshtë, mbetet në kërkimin e një shtegdaljeje, sado e pamjaftueshme dhe me risqe që mund të jetë.

Pandemia e COVID-19 na izoloi për gati një vit në banesa. Regjimi i kursimit u rikthye kudo dhe tek kushdo. Në këtë regjim u përfshinë familjet dhe anëtarët e tyre përballë çelësave elektrikë të shtëpisë apo pulteve të kondicionerëve dhe pasijeve të tjera elektrike. Por kjo, ishte paradhoma e futjes në krizën energjitike që po instalon një regjim të ri dhe do të imponojë një ndërgjegje të re kursimi. Aritmetika mes kostos së shpenzimit dhe asaj të lek-sigurimit është në ditët më kritike. Në disfavor të pagës e fitimeve të zakonshme. Lëngata prej kostove të jetesës së përditshme po shtohet dhe po shumëfishon ankimtarët. Në vendin e vogël, alarmet e krizës së madhe kanë mbërritur. Në të gjitha bisedat ditore çështja mundësisë së ndryshimit të kostos së energjisë është kryetemë. Familjet masive kanë nisur të racionojnë përdorimin e energjisë dhe të ekonomizojnë çdo veprimtari që përfshin përdorimin e saj. Tashmë rehatia është zëvendësuar nga dilema: Si dhe sa mund të ulim shpenzimet dhe si t’i ikim ndëshkimit financiar prej çmimeve në rritje?! 

Alarmi i parë është i lidhur me “kambanën” e krizës energjetike jo vetëm brenda vendit, por në krejt botën e sidomos në kontinentin tone. Kjo e imponuar prej krizës së tregjeve dhe sidomos embargos ndaj Rusisë. 

Nëpër tavolinat e kafes së mëngjesit apo të mbasdites, qytetarët e thjeshtë janë shqyrtuesit gjeopolitikë lokalë të efekteve mbi ekonomitë dhe tregjet e botës…

Sidoqoftë e papritura tashmë po krijon mendësinë dhe ndërgjegjen e përshtatjes me të imponueshmen. A mund të ketë gjetje dhe zgjidhje lehtësuese ?

Prej fillimit të krizës së pandemisë, apartamentit tonë “ i dhuruam” një panel diellor për ngrohjen e ujit. Gjatë kësaj kohe shfrytëzimi ka qenë i mjaftueshëm për shpenzimet dhe shërbimet utilitare në apartament, si për dy, ashtu edhe për katër persona. Kaluan vetëm tre muajt e parë pas instalimit të këtij paneli dhe faturat e shpenzimeve për energjinë elektrike, na janë ulur për ҫdo muaj, me rreth 40 për qind. Ndërkohë që sipas llogarive  të “kryefinancieres familjare”-zonjës, për dy vjet dhe katër muaj, krejt investimi për këtë impiant modest shlyhet dhe paskësaj, inercia kursyese favorizon ekonominë familjare. 

Ky trend tashmë ka përfshirë shumicën e banorëve të lagjes. Ndërkohë që krejt banorët e pallatit kanë kryer të njëjtin investim. 

Sa herë udhëtoj nga jugu në veri të vendit, gjatë kësaj periudhe disa mujore, vërej  se ky lloj investimi është kryer dhe po kryhet prej shumë banorësh. I gjen  kryesisht në shtëpi të thjeshta private, në vila dhe madje edhe në njësi biznesi apo ferma të ndryshme, qoftë bujqësore, qoftë edhe blektorale. 

Një punonjës i njerës prej firmave që merret me tregëtimin dhe montimin e kësi impiantesh dhe panelesh, pohon se volumi i punës në kompaninë e tyre është pesëfishuar prej muajit shkurt të vitit 2021. Ndërkohë që vetëm për tre muajt e fundit, kërkesat porositëse kanë pësuar një rritje më të ndjeshme. Shumë prej të interesuarve kërkojnë edhe opcione alternative si për prodhim ashtu edhe për shfrytëzim të energjisë. 

Krejt kjo situatë të le përshtypjen e një krize që më shumë se ankthin për periudhën e dimrit dhe stresin financiar për koston dhe ҫmimin e energjisë, po nxit vramendjen e qytetarëve për opcione që kapërcejnë sistemin dhe tregun e unifikuar në vend. 

Shteti ka nisur fushatën e ndërgjegjësimit për regjimin e ri të sistemit të energjisë në vend dhe për koston në ndryshim të mundshëm të saj. Ndërkaq, qytetarët shumëfishojnë kërkimin për versione dhe alternativa racionale si për të kursyer ashtu edhe për të përfituar. 

Dimri i sivjetshëm sipas dukjes, nuk do të jetë vetëm me fytyrën e krizës, por do të ketë edhe risitë e gjetjeve si prej gjeneruesish, ashtu edhe prej konsumatorësh krijues. Le të shohim se si dhe sa, po e ndryshon ndërgjegjen tonë prej konsumatorësh, kjo krizë energjitike. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.