PD po na diskriminon, rrezikojmë të shkojmë parti e 10 mijë votave
Nënkryetari i Partisë Republikane Arian Madhi ka zbuluar disa prej prapaskenave të negociatave që po zhvillohen midis republikanëve dhe Partisë Demokratike.
Madhi shpjegon se Partisë Republikane nuk po i vlerësohet pesha politike që zë në elektorat, në krahasim me partitë e tjera të koalicionit opozitar.
Sipas Madhit, Partia Republikane po diskriminohet në këtë rast dhe rrezikon të përfundojë parti e 10 mijë votave, ndërkohë që sipas tij, duhet të marrë më shumë se një deputet në listat e përbashkëta me Partinë Demokratike.
Intervista:
Z. Madhi, ju keni prezantuar kandidatët tuaj në qarkun e Tiranës dhe atë të Shkodrës, ndërkohë që nuk keni arritur ende një marrëveshje me Partinë Demokratike për të dalë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 prillit, cila është arsyeja që keni arritur një dakordërsi deri më tani?
Prezantimi i kandidatëve është pjesë e pashmangshme e taktikës elektorale që duhet të ndjekë një parti politike pavarësisht nga rrethanat në të cilat ajo ndodhet nëse do të kandidojë e vetme apo në koalicion. Numri i madh i kandidatëve që përfshihen në proces jo vetëm që është një mundësi më shumë për qytetarët shqiptarë që të bëjnë përzgjedhjen e tyre sa i takon vlerave të çdo individi, por nga ana tjetër iu mundëson aktorëve politikë që të maskimalizojë rezultatin e votave. Çdo parti që mendon ndryshe nga kjo taktikë riskon me uljen e numrit të votave. Lidhur me fazën e negociatave, unë mund të them se negociatat vazhdojnë me besimin se palët ende nuk janë deklaruar në një qëndrim përfundimtar të tyre çka do të thotë se Partia Demokratike dhe Partia Republikane presin dhe shpresojnë për një akord të pranueshëm lidhur me zhvillimin e negociatave dhe përfundimin e tyre. Në eksperiencën time 25 vjeçare në këtë proces të negociatave, kemi pasur edhe suksesin tonë për aq sa kemi kërkuar por edhe suksesin e përbashkët duke i kontribuar të gjithë procesit zgjedhor që ne jemi ballafaquar.
Ku kanë ngecur konkretisht negociatat midis Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike?
Ashtu si në çdo rast tjetër, Partia Republikane prezantoi që në këtë proces negocimi që kishte vështirësitë e tij për shkak se përfshiheshin shumë aktorë në negocim ne menduam që të ndiqnim kriterin e peshës politike të partive të cilat janë pjesëmarrëse në një koalicion zgjedhor. Dy janë format klasike mbi të cilat mund të ndërtohet një koalicion, ose mbi bazën e vlerësimit subjektiv të palëve lidhur me kontributet e ndërsjella. Bëhet një akord politik dhe ‘ne do të marrim pjesë me këto kuota.’ Por ajo që do të ishte e pranueshme për sa kohë ka shumë parti në një koalicion do të ishte kriteri matematikor mbi bazën e peshës politike që ka çdo parti. Askush nuk do ta ndjente veten të diskriminuar dhe askush nuk do ta ndjente veten të privilegjuar që të merrte me shumë se sa iu takonte. Në këtë kuptim, ne hodhëm në tryezë ashtu si në çdo zgjedhje tjetër, variantin që të pranojmë paraprakisht të futemi në një proces negocimi duke u nisur nga kriteri i peshës politike që ka secila palë në këtë proces. Ne nuk kërkojmë nga Partia Demokratike, ne themi që do të vijmë me aksionet tona aq sa do ta çmojmë aksionet tona të përbashkëta lidhur me një kontribut të përbashkët që do të japim. Është konfonduar shpesh kjo me faktin se partitë e vogla kërkojnë privilegje nëpërmjet procesit të negocimit. Pikërisht kësaj ka dashur t’i japë fund një herë e mirë Partia Republikane, duke thënë ‘ne do të vijmë me shumë nder dhe me shumë angazhim për të marrë atë që do të sjellë kontributi jonë.’ Nëse Partia Demokratike është dhjetëfish më shumë se Partia Republikane, sigurisht që në 10 kandidatë që prezanton Partia Demokratike do të jetë edhe një republikan për të respektuar pikërisht këtë peshë. Kjo është lehtësisht e indentifikueshme, me çfarëdo zgjedhje që mund ta zgjidhim së bashku, ose me historikun 30-vjeçar ose me zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo ishte çështja e procesit të negocimit por duket se nuk është mirëkuptuar sa duhet dhe nuk është vlerësuar që ne udhëhiqemi nga fakti për t’i kontribuar dhe të mos garojmë si të vetëm. Sepse gara e vetme sipas Kodit Zgjedhor, do ta ndëshkonte rëndë çdo votë e cila nuk do të mund të përfaqësohej çka do të ishte në disfavorin e koalicionit të djathtë.
Cila është arsyeja që Partia Demokratike nuk e pranon formulën e prezantuar nga Partia Republikane?
Për sa kohë procesi është i hapur unë nuk mund të them se cila është arsyeja sepse Partia Demokratike niset ndoshta nga interesa të sajat sa i takon përfaqësimit të nesërm. Mbase Partia Demokratike si parti lider e një koalicioni shikon disa raporte që janë disa parti me të cilat do të mund të plotësojë interesat e tyre në një proces zgjedhor. Mbase është e rezervuar që procedurat që do të ndiqte me Partinë Republikane do ta vendosnin në një pozicion disi që nuk do të mund të justifikonte disa marrëveshje të tjera, pasi mund të fuste në konflikt marrëveshjet që mund të ketë realizuar në kritere të tjera në një koalicion. Në një koalicion ka rëndësi që kur përfshihen aleatët duhet të ketë një kuadër marrëveshjeje. Nëse nuk ka një kuadër marrëveshjeje, atëherë palët vendosen në pozita jo të drejta brenda koalicioni. Partia Demokratike duhet të kishte ndjekur këtë linjë dhe kjo linjë do t’ia lehtësonte punën. Kjo e parashtron situatën jo më e ndjekur nga kriteri i peshës politike i secilës parti, por ndoshta nga mënyra se si është zhvilluar procesi i negocimit duke qenë se ky proces nuk ka qenë në grup por ka qenë bilateral.
Duke ndjekur argumentin tuaj, a ekziston rreziku që Partia Demokratike mund të anashkalojë Partinë Republikane edhe për një koalicion paszgjedhor ?
Nuk jemi në fazën të gjykojmë lidhur me procesin se si do të vazhdojë më tej bashkëqeverisja jonë, nëse do të jemi pjesë e bashkëqeverisjes apo jo. Për ne përbën interes fakti që nëse ne do të shkojmë si aleatë, si një strukturë e organizuar elektorale do të kishte në radhë të parë nevojën e hartimit të një projekt-programi i cili do të mëshironte të gjitha interesat e palëve që do të ishin në proces. Ne ende nuk e kemi këtë program. Për sa kohë nuk e kemi këtë program, do të dalin vështirësi. Duke mos pasur një program të përbashkët bashkëqeverisjeje, palët nuk mund të marrin përgjegjësinë e tyre për të qenë pjesë e bashkëqeverisjes nëse premtimet që i kanë dhënë elektoratit nuk i realizojnë nëpërmjet këtij programi. Do të kishim dëshirë që të ishim pjesë edhe në qeverisje. Në çdo rast, e rëndësishme është që kontributet tona nuk duhet të shkojnë dëm. Partia Republikane nuk do të reshtë deri në sekondën e fundit për të realizuar një proces negocimi të suksesshëm. Janë dhjetëra, mijëra vota republikane të cilat nëse nuk do të mund të përfshiheshin në këtë proces së bashku me koalicionin, do të shkonin dëm. Nuk është luks që t’i neglizhojmë këto vota.
Po përse Partia Demokratike nuk pranon në këtë rast?
Partia Republikane nuk do ta konsideronte të arsyeshëm një proces negocimi që mund t’i thoshte ‘që në listat preferenciale të merrte një kandidat’. Nuk do të ishte e drejtë dhe motivuese për Partinë Republikane, e cila ka peshë disafish më shumë se partitë e tjera, por edhe në raport me Partinë Demokratike që Partia Republikane të vihej në një vlerësim të tillë, që të kishte vetëm një kandidat. Nuk do të ishte mirë, edhe për pasojat që tërheq më pas Partia Republikane nga kjo. Sipas ligjit zgjedhor, një parti e cila ka hyrë në një koalicion nuk i vlerësohen votat që ka marrë partia në garën elektorale por i vlerësohen numri i deputetëve. Nëse një parti merr vetëm një deputet, atëherë ajo parti njihet zyrtarisht si parti e 10 mijë votave pavarësisht se Partia Republikane në të gjithë Shqipërinë mund të ketë marrë 100 mijë vota, zyrtarisht i thuhet meqë ke marrë një deputet t’i ke marrë 10 mijë vota. Ky do të ishte një diskriminim në raport me gjithë historikun e Partisë Republikane. Që nga viti 1991, PR nuk ka marrë nën 30 mijë vota. Atëherë, përfaqësimi i një kandidati të PR-së në listën do të mund të përfaqësonte nesër deputetët e zgjedhur të Partisë Republikane, do të ishte një diskriminim, një ulje e marzhit të kësaj partie në të gjithë historinë e saj. Mund të ketë justifikime të cilat unë mendoj që janë abuzive, të pabesueshme. Janë të atilla që thonë që ‘futuni atje, dhe po i morët mbi 10 mijë vota, atëherë sigurisht do të merrni deputetin tuaj shtesë’. Jo nuk mund të ndodhë, në realitetin tonë nuk ekzistojnë oportunitete, as 3 % që mund të marrin përtej listave të gjelbra kandidatët e cilësdo parti qofshin këto, kam frikë edhe të Partisë Demokratike nuk do të mund të marrin mbi 10 mijë vota. Nuk duhet dëmtuar interesi i përbashkët për shkak se mund të shihet një kandidat më shumë këtu apo një kandidat atje. E kuptoni që një parti e 3 për qind shit shkon menjëherë e 10 mijë votave.
Nëse nuk do të arrini një marrëveshje me Partinë Demokratike, do të dilni të vetëm në zgjedhjet e 25 prillit?
Nëse negociatat do të dështojnë me këmbëngulje, pa arsye etj., etj., ose më shumë se kaq, nëse Partia Demokratike do të arrijë në konkluzionin që Partia Republikane nuk është e vlefshme si partnere e një koalicioni, patjetër. Kur të arrijnë të deklarohen deri në këto pozicione të ngurtësuara, Partia Republikane do të bëjë zgjedhjen e saj.
A e rrezikon Partinë Demokratike mospërfshirja e Partisë Republikane në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit ?
Këtë konkluzion nuk mund ta them sepse bindja ime është e tillë që çfarëdo që të ndodhë brenda raporteve të koalicionit dhe jashtë koalicionet, definicioni i këtyre zgjedhjeve është bindje e të gjithë atyre që do të votojnë. Pra, nuk do të humbasë. Nëse do të ishim të vetëm në zgjedhje, mijëra votat tona nuk do të llogariten në mandate. Nuk është e rëndësishme të fitosh zgjedhjet me një numër të caktuar mandatesh. Nuk do të ishte i vlefshëm çdo rezultat i fitores i cili do të bënte qeverisjen e brishtë. Pra, nuk është se Partia Republikane duke dalë edhe e vetme do të mund ta dëmtonte fitoren. PR do të jetë përsëri djathtas në çfarëdo rasti që mund të na parashtrohej apo të imponuar nga situatat. Nuk është përzgjedhja jonë. Ne po i presim me durim dhe ndaj po i zhvillojmë negocitatat orë pas ore, ditë pas dite për të arritur në një kompromis të pranueshëm për palët.
Intervistoi: B. Quku
