Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi ndaj qëndrimeve të kryedemokratit Basha ndaj kreut të shtetit.
Përmes një postimi në rrjetin social, presidenti shpreh keqardhjen ndaj Bashës dhe i rikujton atij katërkëndëshin e përgjegjësive që duhet të kishte kryer si kryetar i opozitës.
Postimi i plotë:
Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur.
Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:
📌 1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
📌 2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
📌 3. Djegia e mandateve të deputetëve;
📌 4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
që sollën kapjen totale të shtetit.
Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.
Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.
Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!
Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
