Nga Gylsen Zhllima/Sot administrata gjyqësore nuk po proteston vetëm për pagat. Në heshtje, ajo po proteston edhe për mungesën e kushteve minimale që i duhen për t’u shërbyer qytetarëve.
Mungojnë sallat. Mungon infrastruktura teknike. Mungon pagesa shtesë për orët e punës. Mungojnë kushtet e sigurisë. Ndërsa dosjet shtohen pafund, kilogramë e metra të tëra me letra që mbajnë brenda hallet, konfliktet dhe shpresat e njerëzve që kërkojnë drejtësi.
Dhe paradoksi më i madh është ku aty ku duhet të jepet drejtësia, padrejtësia po përjetohet nga vetë punonjësit që e mbajnë gjallë administratën gjyqësore.
Mjafton të shohim disa gjykata.
Në Gjykatën e Sarandës mungojnë sallat dhe kushtet e nevojshme të sigurisë.
Në Gjykatën e Lezhës, kushtet janë të tilla sa edhe miu di të hyjë e të dalë.
Në Gjykatën e Tiranës, dosjet janë bërë male. Mbi dy metra dosje me letra, ndërsa gjyqtarët dhe sekretarët mezi dallohen pas tyre.
Ky është realiteti.
Ndërkohë, pushteti vazhdon të na tregojë me marketing se sa shumë është investuar në drejtësi. Por drejtësia nuk matet me reklama, konferenca, deklarata apo fasada. Drejtësia matet me kushtet ku punon administrata, me pagat që marrin punonjësit, me infrastrukturën që kanë dhe me shërbimin që qytetari merr në fund.
Problemi i pagave dhe i kushteve të punës në gjykata nuk është një problem pa zgjidhje.
Zgjidhja kërkon vetëm një gjë vullnet politik dhe seriozitet.
Ekzekutivi duhet të fillojë të merret seriozisht me kërkesat legjitime të punonjësve të administratës gjyqësore dhe të mos fshihet pas justifikimit të përhershëm se “fajin e kanë të tjerët”.
Jo! Përgjegjësia qeverisëse nuk mund të delegohet gjithmonë te dikush tjetër.
Edhe nëse e thonë përsëri se fajin e kanë të tjerët, duhet t’i kujtohet qeverisë se, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Altin Dumanit dhe të 19 shërbëtorëve të Partisë Socialiste (Partisë Komuniste), arriti që, me kaq shumë të burgosur, të marrë 83 mandate.
Ju, qeveria e Partisë Komuniste, e ndryshuar në Partinë Socialiste, por e maskuar si “Rilindje”, ndërkohë që në vetvete jeni qeveria e PPP-ve, duhet të bëni edhe një PPP për të ndihmuar gjyqësorin.
Dhe nëse qeveria kërkon të flasë për sukseset e saj, le të flasë edhe për realitetin që shohim çdo ditë në gjykata.
Nëse gjenden miliarda për PPP-të, duhet të gjenden edhe paratë për një sistem drejtësie që të ketë paga dinjitoze, ambiente dinjitoze, teknologji dhe kushte normale pune.
Sepse një shtet nuk mund të pretendojë se ka një drejtësi moderne, ndërkohë që administrata e gjykatave punon mes dosjeve, mungesës së hapësirave, mungesës së infrastrukturës dhe orëve të papaguara.
Drejtësia nuk fillon vetëm në sallën e gjyqit.
Ajo fillon edhe nga respekti që shteti tregon për njerëzit që punojnë çdo ditë për ta mbajtur këtë sistem në këmbë.Dhe nëse qeveria ka bërë PPP për kaq shumë gjëra, ndoshta ka ardhur koha të bëjë edhe një “PPP” për drejtësinë paga më të mira, kushte më të mira dhe infrastrukturë dinjitoze.
Sepse qytetari që kërkon drejtësi meriton të gjejë një institucion që funksionon.Dhe punonjësi që shërben në emër të drejtësisë, meriton të trajtohet me drejtësi.