Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar

Nga Aleksandër Çipa/ Në fakt është një shqiptaro-problem që mbetet i pazgjidhur dhe që përdoret si greko-problem në Himarë. Tashmë, politika e korruptuar shqiptare e tri dekadave të fundit, e ka sanksionuar me shumë forma të ashtuquajturën prani të minoritet grek në Himarë. Kjo është një histori mbi 100 vjeçare, të cilën e investoi për ta pasur si kazus shteti dhe politika greke dhe e mishëroi si të tillë, papërgjegjshmërisht dhe falë ndërgjegjes së molepsur mbi 100 vjeçare elita politike shqiptare.

Kësisoj Himara është kthyer në një pikë pretenduese për ekzistencë të minoritetit grek dhe këtë vështirë se e zhbëjmë. Por në të njëjtën kohë, atje në Himarë vazhdon të këmbëngulë, rezistojë dhe mbetet në ndërgjegjen e patjetërsueshme kombëtare pjesa më e madhe e banorëve të saj shqiptarë që “as blihen e as shiten”. Mirëpo kjo është një histori e vjetër. Historia e re shtesë, që inspiron dhe favorizon interesin e politikës greke në Himarë, ka të bëjë me një problem të mavijosur pronësoro-ekonomik, të cilën nuk e zgjidh dhe nuk do ta zgjidhë kohë mbas kohe, shteti shqiptar. Problemi i pronës në Himarë nuk është më një çështje e komunitetit bregdetas.

Brenda saj, domethënë brenda këtij komuniteti, në mënyrën më të korruptuar, në masën më abuzuese dhe në fije të shumta mafioze, ka depërtuar një “komunitet i ri, i cili i ka gllabëruar hisetë më të rëndësishme të këtyre pronave. Në këtë gllabërim është e përfshirë elita pasurore e vendit, madje janë disa kategori të këtij grupi të madh interesi: pronarë mediash, oligarkë ndërtimesh dhe kompanish biznesi, politikanë, sejmenë politikë të fuqishëm dhe të kamur, të afërm dhe familjarë të personaliteteve shqiptare nëpër botë, deputetë grekë dhe politikanë grekë përmes njerëzve të tyre në minoritet dhe në subjektet politike të minoritetit, përfaqësues filogrekë të diasporës shqiptare nëpër Botë, kryesisht në SHBA dhe në vende të tjera. Menaxherë dhe marketues të kompanive të huaja në fushë të turizmit dhe interesit strategjik e perspektiv të këtij sektori.

Nga Llogaraja deri në afërsi të Sarandës, procedurat, transaksionet dhe shit-blerjet e tokave veçanërisht këto 10 vitet e fundit kanë njohur ritmet dhe intensifikimin më të madh të njohur për tridhjetë e dy vitet e fundit. Tendenca vlerësuese dhe rivlerësuese të tokës dhe e aseteve fitimprurëse të saj në këtë territor është në rritje të pabesueshme progresive. Vetë qeverisësit i janë futur me etje dhe uri makute mundësisë përfituese prej këtyre trojeve dhe hapësirave të mbetura në kalvarin pronësues të tyre. Një ditë më parë në qendër të Spilesë, lagjia qendrore e qytetit të Himarës, u organizua një protestë nga disa përfaqësues.

Mes tyre spikatën përfaqësuesit e pakicës greke në Shqipëri, njëri banor i Himarës dhe tjetri nga Dropulli që përfaqësojnë PBDNJ-në dhe OMONIA-n, një parti dhe një organizatë politike të grekëve të Shqipërisë. Kredibiliteti politik i tyre në minoritetin grek është tejet i ulët, por rishfaqja e tyre në Himarë dhe protagonizmi i tyre cinik në dy gjuhë, duke folur para të tubuarve së pari në greqisht dhe pastaj në shqip, befas rikthen përdorimin e kazusit grek në Himarë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Protesta e djeshme në Himarë merrte shkas me të drejtë nga një vendim i beftë i qeverisë Rama për shpalljen e zonës nga Gjiri i Llamanit deri në hyrje të Qeparoit si një zonë e mbrojtur natyrore. Një projekt-vendim i cili brenda një kohe prej jo më shumë se njëzet ditësh u kthye në vendim nga qeveria. Projektvendimi u çua në Qeveri nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit zonja Mirela Kumbaro. Se si u nismua, nga kush u ideua, përmes cilës ekspertizë kaloi dhe me cilat grupe të interesit u konsultua, kjo nuk u bë e qartë dhe me arrogancë u refuzua të bëhej e njohur publikisht.

I vetmi takim i tentuar për të diskutuar me pronarët legjitimë vendorë ishte ai që urdhëronte këshillin bashkiak të Himarës për të miratuar projektvendimin e qeverisë, i cili jo vetëm u refuzua kategorikisht, por shkaktoi indinjatë dhe alarm për banorët dhe mbi 90 pronarët e trojeve në këtë territor bregdetar. Mirëpo qeveria duke u vetëndierë e plotpushtetshme, nuk humbi kohë dhe projektvendimin e shndërroi me urgjencë në vendimin me numër 557, datë 29.7.2022 “Për shpalljen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të Gjirit të Porto palermos “Park natyror”, Kategoria IV. Do të mjaftonte kjo që në mënyrë të stuhishme dhjetëra banorë himariotë dhe pronarë të tokave në këtë territor të nisin reagimet në të gjitha format. Tashmë, ankesat e tyre janë bërë një çështje e mprehtë jo vetëm brenda institucioneve sakate shqiptare, por edhe në komunikimet diplomatike që qeveria shqiptare e kryeministrit Rama ka me ambasadat më të rëndësishme dhe kryesisht ato të vendeve fqinje, kryesisht por jo vetëm ajo greke.

Kryeministri Rama dhe ministrja e tij Kumbaro janë përpjekur të ofrojnë si sqarim burokratik pohimin se : “Shpallja e një zone të mbrojtur nuk ka të bëjë me pronën private apo publike, por me mbrojtjen e potencialit natyror të një zone. Dhe në rastin konkret 89% e kësaj zone është det, prandaj quhet dhe zonë e mbrojtur detare. Kjo nuk i tjetërson pronat private, por rrit nivelin e mbrojtjes për zhvillim të qëndrueshëm. Është i njëjti parim që zbatohet edhe në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore kur i shpallim qendra historike, si Dhërmiu, Vunoi, Gjirokastra etj, brenda të cilave ka më shumë prona private se sa publike. Dhe kjo vlen edhe për Zonën e mbrojtur Park Natyror të Vjosës, ku banojnë mbi 60 000 banorë në 8 bashki, dhe për të cilën janë bërë aq shumë protesta e lëvizje nga shoqëria civile dhe media…”

Kjo përgjigje në thelbin e saj është rutinore dhe alibike, pasi në thelbin real të saj mund të mos jetë tamam kështu. Pronarët në ankesë dhe reagim, që pritet të jetë edhe më i stuhishëm në ditët e ardhme, pohojnë se e ardhmja e afërt do të dëshmojë të kundërtën. Ky vendim arrogant i qeverisë, madje më fyesi për pronarët e ligjshëm, është paraprirë nga disa procese administrative penguese dhe pengmbajtëse para se të zyrtarizohej. Ky është një vendim i njëanshëm, i pakonsultuar dhe i padiskutuar me banorët, pronarët, pushtetin vendor dhe grupet e interesit. Ka një arsye mafioze që pronat në këtë territor për arsye që i di vetëm qeveria dhe ministria e linjës, prej kaq vitesh po mbahen peng nga Kadastra dhe i ashtuquajturi proces i menaxhimit. Madje në shkelje flagrante të ligjit dhe kushtetutës, në shkelje të lirisë themelore për trashëgiminë, përdorimin dhe shitblerjen e pronës, kadastra e Vlorës ka bllokuar procedurat dhe proceset apo transaksionet me pronën në këtë zonë.

Disa prej pronarëve tashmë shtetin shqiptar e kanë çuar në Gjykatën e Strasburgut, pasi kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit në gjykatat shqiptare. Për kostot dhe penalitetet që shteti ynë do të ketë, asnjë prej këtyre urdhërdhënësve nuk do të mbajë përgjegjësi dhe nuk do t’ia dijë. Mirëpo kostoja shumëplanëshe së fundi po mbishton edhe një kosto tjetër. Atë, për të cilën socialistët dhe qeveria Rama në krye të 10 viteve më parë u krenuan se i hoqën Himarës damkën e përdorimit grek dhe të maviosjes së pretendimeve filogreke për një kazus minoritar grek në vendin që është më i vjetër se vetë Greqia.

Një ditë më parë në mbështetje të banorëve-pronarë të trojeve nga Llamani deri në afërsi të Qeparoit u ribashkuan krerët politikë të minoritetit grek. Folën në dy gjuhë për këtë problem dhe u qeshnin fytyrat prej kësaj mundësie. Shqipja e tyre ishte e saktë, por ishte e dyta në rendin ligjërues. Përballë tyre ishin tufa me pronarë bregas dhe pushues shqiptarë. Greko-problemi u rikthye në Himarë pas kaq kohësh humbjeje, si shkak dhe për arsye të një korrupsioni të fshehur vendimmarrës me pronat dhe brigjet bregdetare të Porto Palermos. Kësaj here e riktheu me lehtësi të madhe dhe me po të njëjtën papërgjeshmëri si paraardhësit e tij, vetë Kryeministri Rama dhe të bindurit e oborrit të tij qeverisës. Urdhërdhënësit do të shfaqen, tamam si bajlozë, por jo nga Deti. Mirëpo, Himara ka për simbol të vetën kafshën mitologjike të Kimerës, e cila në një trup ka tri koka. Një ndër të cilat në kohët e sotme është ajo e tokëmarrësve që vijnë nga ortakëritë me politikën në këtë republikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.