Si CIA zbuloi prapaskenat/Ja misioni i Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit në Shqipëri dhe se si Enver Hoxha falsifikoi faktet

Shërbimi sekret amerikan ka zbardhur detaje sa i takon periudhës së krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Është e faktuar tashmë se ishin jugosllavët ata që ndihmuan në krijimin e saj, ndërsa në një dokument që po publikon gazeta, CIA tregon me detaje të gjitha qëllimet e Beogradit. Aty tregohet misioni i Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, si dhe fraksionet që u krijuan më pas në parti.

Bashkëpunimet Shqipëri-Jugosllavi-BRSS

Sistemi i kontrollit të Stalinit ndaj vendeve satelite nuk zgjati shumë për të bërë testin pas ndarjes nga Tito, por ngjarjet e mëpasshme treguan se mjeti kryesor i kontrollit për Bashkimin Sovjetik ishte besnikëria e udhëheqësve të vendeve komuniste. Në të gjitha rastet e ndryshimit të opinioneve mes Moskës dhe satelitëve kanë qenë udhëheqësit e këtyre vendeve të veçanta që kanë kontrolluar situatën. Për shembull Moska ishte e pafuqishme të rikthente në pushtet Gomulkën në Poloni në vitin 1956 pas refuzimit të sekretarit të partisë Ochab dhe të tjerëve, të cilët kishin mbështetjen e partisë dhe popullit. Gjithashtu në Jugosllavi në 1948 dhe në Shqipëri në 1960, ata nuk ishin të aftë të përmbysnin udhëheqësit antisovjetikë që kontrollonin partinë. Ky kontroll i dobët i BRSS ndaj satelitëve mund të ilustrohet dhe me dezertimin e Shqipërisë së vogël e të prapambetur. Megjithëse debati Kinë-BRSS i dha zemër shqiptarëve në rezistencën e tyre dhe i dha gjithashtu mbrojtjen e nevojshme për të deklaruar në publik ndryshimin e opinionit, diferencat mes të dyjave kishin lindur para çështjes kineze. Që në vitin 1955 me përpjekjet e Hrushovit për t’u afruar me Titon, bënë që Shqipëria të refuzonte përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë. Pas vitit 1955 një dallim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BRSS ishte i dukshëm, por kjo konsiderohej si tolerimi i BRSS që Shqipëria të shfrynte zemërimin e saj ndaj jugosllavëve sipas perceptimit të tyre të interesave kombëtare. Pas bërjes publike të debatit në 1960, u kuptua se BRSS kishte tentuar të reduktonte veprimet e Shqipërisë kundër Jugosllavisë dhe se ky debat i fshehur kishte vazhduar deri në ndikimin e politikat sovjetike drejt Jugosllavisë. Kjo sugjeron se diferencat mes Moskës dhe vendeve të tjera nganjëherë ishin më të mëdha nga sa dukej në sipërfaqe dhe ndoshta i kufizonin vetë politikat e BRSS në disa fusha. Diferencat me udhëheqjen e Gjermanisë Lindore për Berlinin për shembull, mund të kenë influencuar BRSS, siç mund të jetë gjithashtu rasti me Poloninë, me të cilët arritën një kompromis në 1956. Duke pasur parasysh eksperiencën negative me Jugosllavinë në 1948, Hrushovi padyshim që shpresonte të zgjidhte gradualisht dhe konfliktin me Shqipërisë, pa arritur te denoncimet publike. Por kur udhëheqësit shqiptarë nisën t’i injektonin diferencat në konfliktin Kinë-BRSS, duke u bërë palë me Pekinin, atëherë Moska u detyrua të merrte masa. Ashtu si me jugosllavët në 1948, rusët zbuluan se nuk kishin mjete të sigurta për të kontrolluar Shqipërinë dhe për ta detyruar të ndiqte shembullin e tyre.

Pasojat e konfliktit BRSS-Shqipëri

Prishja me Shqipërinë dëmtoi lëvizjen botërore komuniste teksa tre vende satelite në Azi u anuan nga Kina, ndërsa liderët e satelitëve të BRSS u detyruan të sulmojnë Shqipërisë duke krijuar një situatë të papëlqyeshme ndërkombëtare. Në sulmet e tyre ndaj regjimit të Hoxhës ata e ekspozuan veten ndaj kritikave të brendshme në parti. Ndërsa për Perëndimin prishja Shqipëri-BRSS kishte disa avantazhe afatshkurtra në përkeqësimin e konfliktit Kinë-BRSS dhe duke reduktuar kontrollin e Moskës ndaj lëvizjes ndërkombëtare komuniste, por efektet afatgjata të prishjes nuk janë domethënëse. Nga njëra anë Shqipëria e prapambetur është e rrethuar nga fqinjë armiqësorë që vazhdimisht dyshojnë për ambiciet e njëri-tjetrit. Nëse Shqipëria bëhet përsëri mollë sherri në Ballkan kjo mund të krijojë probleme dhe për Perëndimin, por fati i saj mund të shërbejë për të parandaluar regjime të tjera komuniste që sfidojnë dominimin e Moskës. Moska kërkon ta risjellë Shqipërinë në bllokun sovjetik sipas kushteve të saj dhe tërheqja e saj nga debati do i jepte Kinës një fitore të vogël. Deri tani në përgjithësi kërcënimet, subversioni i brendshëm apo presioni ekonomik, nuk kanë arritur të funksionojnë si mënyra për përmbysjen e udhëheqjes Hoxha-Shehu, por ndoshta tani Moska mbështetet në faktin se izolimi dhe frika nga fqinjët mund të çojë në një puç të brendshëm në partinë shqiptare. Sido që të jetë, fakti që Hrushovi beson se mund të rikthejë në bllok Jugosllavinë, nuk ka dyshime që ai mendon të njëjtën gjë dhe për Shqipërinë.

Stabilizimi i Partisë Komuniste (1941-1952)

Megjithëse Partia Komuniste Shqiptare u themelua në nëntor 1941, marrëdhëniet e saj me Moskën nuk ishin forcuar deri në 1948, kur Shqipëria hoqi dorë nga statusi i satelitit të Jugosllavisë. Ndryshe nga partitë e tjera komuniste lindore, shqiptarët që dolën fitimtarë nga lufta nuk kishin një bërthamë sovjetike që i udhëhiqte. Fitorja e Partisë Komuniste Shqiptare nuk erdhi prej ndihmës sovjetike, por me forcat e saj dhe me direktivat dhe asistencën jugosllave. Kontaktet e para zyrtare me sovjetikët shqiptarët i kryen në verën e vitit 1944, pak para mbylljes së luftës në vend, kur në Shqipëri erdhi një grup ushtarakësh sovjetikë. Në nëntor 1945 u vendosën marrëdhëniet diplomatike që lehtësuan shpeshtimin e kontakteve mes udhëheqësve. Në vitet e para të pasluftës BRSS dukej i kënaqur të lejonte Jugosllavinë të përzihej në punët e brendshme të Shqipërisë, me qëllim final aneksimin e saj në federatën jugosllave. Deri në fund të marsit 1947, sipas biografisë së Titos, Dedijer, Stalini pretendon se nuk ka njohuri për punët e Shqipërisë. Udhëheqësi Hoxha është takuar me Molotov në konferencën e Paqes në Paris në 1946 dhe në 1947 Hoxha shkoi për të vizituar Moskën, i shoqëruar nga Hysni Kapo. Dedijet pretendon se Stalini e pyeste gjithmonë Titon në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kjo sugjeron se shqiptarët gjithnjë ankoheshin të Moska për Beogradin. Por vetëm pas pranverës 1948 me përkeqësimin e debatit mes Titos e Stalinit, BRSS nisi të rrisë kapacitetet në Shqipëri. Megjithëse kishin shtatë vjet bashkëpunim të ngushtë politik dhe ndihma të konsiderueshme ekonomike, jugosllavët zbuluan se kontrolli i tyre mbi Shqipërinë ishte aq i dobët sa brenda një jave për përjashtimit të Beogradit nga Kominform, asetet e tij në Shqipëri ishin imobilizuar.

Historia e hershme e partisë

Në verën e vitit 1940 Partia Komuniste Jugosllave dërgoi në Shqipëri dy drejtuesit e komitetit të saj për Kosovën, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të koordinuar grupet komuniste. Komunistët shqiptarë kishin objektiva të ndryshme, por të gjithë kërkonin që të njiheshin nga lëvizja ndërkombëtare, çka u shfrytëzuar nga jugosllavët që arritën t’iu bashkonin ata duke formuar partinë komuniste dhe komitetin e saj qendror. Në dhjetor 1942 të dërguarit jugosllavë raportuar se partia shqiptare ishte njohur nga organizata ndërkombëtare komuniste Comintern dhe prezantuar udhëzimet direkte të Titos për aktivitetin e ardhshëm të saj. Në fazat e para fraksione të ndryshme të Partisë Komuniste kishin kontradikta të shumta, prandaj nisi një spastrim i zyrtarëve të nivelit të ulët, që më tej u zgjerua gjithnjë e në nivel më të lartë, derisa në vitin 1952, Enver Hoxha ishte vetmi anëtar i komitetit qendror të partisë që kishte mbijetuar prej themelimit të saj. Për fat të keq shumë nga të dhënat e shkruara mbi historinë e partisë para vitit 1948 janë zhdukur dhe kjo histori me shumë gjasa është rishkruar sipas leverdisë së tyre si nga shqiptarët dhe jugosllavët, pas prishjes. Në këto të dhëna Koçi Xoxe paraqitet si një pro-titist shqiptar ndërsa Hoxha si armiku i ambicieve jugosllave në Shqipëri. Ndoshta në këto pretendime ka të vërteta, por ka pak prova se ekzistonin ndarje të tilla madhore në partinë shqiptare. Nga ana tjetër ka prova të shumta për fraksionet dhe spastrimet në parti para vitit 1948, që kishin të bënin me rivalitetet personale mes udhëheqësve, taktikave të luftës partizane etj. Sipas Hoxhës, ai është kritikuar dy herë nga komiteti qendror gjatë nisjes së çështjes Koçi Xoxe, një herë në nëntor 1944 kur u akuzua se po favorizonte fraksionin intelektual të partisë, dhe më pas në shkurt 1948. Jugosllavët nuk e kanë mohuar kurrë këtë dhe kanë thënë se konfirmon besimin e tyre se Hoxha ishte një komunist i pabesë. Por kjo është në kundërshtim me faktin se Hoxha mbeti udhëheqës i partisë dhe vegël e vlefshme e jugosllavëve gjatë gjithë periudhës para vitit 1948. Prandaj mund të dyshohet se sikur Xoxe të kishte dalë fitimtar në shtator 1948, do të kishte qenë ai dhe jo Hoxha që u kritikua me kërkesë të jugosllavëve në 1944 e 1948. Fraksionet në Partinë Komuniste janë regjistruar në dokumentet e partisë, dhe kanë shkaktuar valë të shumta spastrimesh nga viti 1943 deri në 1948. Në fund të 1944, kur partia kishte marrë kontrollin e situatës në vend, ishin krijuar dy fraksione madhore; fraksioni proletar i drejtuar nga Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Kristo Themelko e Pandi Kristo nga njëra anë, dhe fraksioni intelektual i drejtuar nga Nako Spiru, Liri Gega e Sejfulla Malishova. Në plenumin e partisë në Berat në 1944, Hoxha supozohet se është kritikuar për favorizim të intelektualëve. Objektivi kryesor i këtij takimi ishte Liri Gega, Ymer Dishnica dhe Malishova. Nako Spiru, mik i Hoxhës, gjithashtu u kritikua. Ndërsa Gega, ushtarake kolonel dhe drejtuese e frontit anti-fashist të grave, u përjashtua nga Byroja Politike. Vendin e saj e zuri Malishova dhe më pas u spastruan edhe figura të tjera të fraksionit intelektual. Vetë Malishova u spastrua nga partia në 1946 për mbrojtjen e politikave oportuniste të afrimit drejt vendeve imperialiste anglo-amerikane. Dishnica u përjashtua nga partia në pranverën e 1947. Në vjeshtën e po këtij viti u spastrua dhe Nako Spiru i cili më vonë kreu vetëvrasje. Gruaja e tij Liri Belishova u kritikua në këtë takim ndërsa në shkurt 1948 u përjashtua nga partia. Largimi i intelektualëve nga partia gjatë periudhës së aleancës me jugosllavët mbështet pretendimet e më pasme të Shqipërisë se jugosllavët kishin mbështetur proletarët gjatë kësaj periudhe. Por Hoxha nuk rehabilitoi asnjë prej tyre (përveç Belishovës) prandaj as ai nuk kishte simpati për ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.