
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Krymadhi, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Lulzim Basha, i cili tha e në përfundim të raportit përfundimtar për Inceneratorët, do të bëhet një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa ftoi SPAK për hetim të çështjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryemadhi thotë se pasi konfuzoi SPAK për 5 muaj, Basha sot vjen te fjalët e tyre.
Ajo i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme të refuzojë bërjen pis nga lojërat politike të çiftit të 17 Majit, teksa ka shtuar se “Estrada e Bravës nuk ka të mbaruar”, pasi raportin e komisionit hetimor me 100 faqe, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, e ka dorëzuar në darkë, për ta “miratuar” sot Kuvendi.
“Konfuzoi SPAK-un 5 muaj, që të mos merrej me hetimin e inceneratorëve, e tani vjen tek fjalët tona që kemi 5 muaj që i themi. Vijojmë t’i bëjmë thirrje SPAK, që të refuzojë me forcë bërjen pis nga lojërat politike të çiftit të 17 Majit, por ta çojë hetimin deri në fund. Pa frikë, deri tek nivelet më të larta të mazhorancës qeverisëse! Të anulojë koncesionin e inceneratorit 30 vjeçar të Tiranës; duhet ta kishte bërë këtë me kohë, por edhe sot nuk është vonë, e ato para le t’i përdorë qeveria për të rimbursuar qytetarët për rritjen e çmimeve.
Estrada e Bravës nuk ka të mbaruar, se edhe raportin e “komisionit hetimor”, me 100 faqe, e ka dorëzuar vetëm dje në darkë kryetarja e komisionit, për ta “miratuar” sot Kuvendi. Hipokrizi! Kaq peng janë, sa edhe pasi u bënë qesharak në sytë e të gjithë shqiptarëve, vijojnë me devotshmëri të shërbejnë si patericë për mbajtjen në pushtet të Edi Ramës”, shkruan ajo.
