Stabiliteti ekonomik global “në” mëshirë të zinxhirëve të furnizimit

Nga Aleksandër Çipa/Ndërsa po i afrohemi fundit, mund të themi se padyshim viti 2021 ishte tejet sfidues dhe problematik, si për Shqipërinë, ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar. Për fat të keq, treguesit duken se fillimi i vitit të ri do na gjejë ende me sfida të mëdha, mbi të gjitha në atë që po etiketohet si kriza e funksionimit të zinxhirëve të furnizimit.

Përgjatë këtij harku dymbëdhjetë-mujor, përballja me pandeminë COVID-19 vazhdoi të dominonte vëmendjen e komunitetit global dhe kjo betejë ende nuk ka mbaruar. Përkundrazi, shfaqja e varianteve të reja, sikurse është Omicron, po bën që të mos duket ende drita në fund të tunelit. Kjo ka krijuar pasiguri të madhe, qoftë në planin shëndetësor, qoftë në planin ekonomik. Kjo e fundit, duket tejet vulnerabël për shkak të paqëndrueshmërisë së lartë.

Nëse që nga shfaqja e COVID-19, ekonomia botërore është prekur në mënyra të ndryshme, ajo çfarë tashmë po nënvijëzohet gjithmonë dhe më shumë është bllokimi, transformimi dhe keq-funksionimi i zinxhirëve globalë të furnizimit. Ky i fundit po shfaqet në forma të ndryshme në vende të ndryshme të botës. Sikurse raportohet, në Britaninë e Madhe ka një ngërç në furnizimin me alkool, teksa kompani të mëdha kanë paralajmëruar se kanë shqetësime të qenësishme për importin dhe shpërndarjen e verërave dhe pijeve të tjera alkoolike, mbi të gjitha në një periudhë të ngarkuar sikurse është koha para Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Nga ana tjetër, Australia ka një mungesë të theksuar të ureas, e cila përdoret për AdBlue, një likuid i nevojshëm për motorët e makinave dhe, mbi të gjitha, të kamionëve. Ky aditiv kritik për kamionët me naftë, po ndikon atje në rritjen e çmimeve të prodhimeve të tjera. Në të njëjtën kohë, Zelanda e Re ka raportuar mungesë të sheqerit dhe të frutave të thata.

Këta janë vetëm disa nga shembujt më të bujshëm të ditëve të fundit. Por, edhe kur nuk ka mungesë të drejtpërdrejtë të artikujve të ndryshëm, kjo gjendje ka ndikuar në shtrenjtimin e një pjese të mirë të produkteve industriale që shiten nëpër tregjet botërore. Kjo përkthehet drejtpërsëdrejtë në rritje të shpenzimeve dhe impakt të drejtpërdrejtë negativ mbi xhepin e konsumatorëve. Ky fenomen vërehet në vende të vogla si Shqipëria, por edhe në vendet e zhvilluara perëndimore e më tej.

Në të gjithë këtë gjendje kaotike të krijuar në rang botëror, ajo çfarë bie në sy menjëherë është roli qendror që ka Kina në mbarëvajtjen e zinxhirëve të furnizimit.

Nëse i referohemi vetëm javës që lamë pas, një pengesë e madhe është krijuar në Kinë për shkak të infektimit me COVID-19 të punëtorëve në Zhejiang, një qendër e rëndësishme prodhimi. Më me rëndësi akoma, në këtë provincë është porti Ningbo-Zhoushan, një nga portet më të rëndësishme dhe me fluksin më të madh në botë për ngarkesat. Izolimi i detyruar aty, si masë për të parandaluar shpërndarjen e virusit dhe shndërrimin e saj në një vatër të madhe, ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e frikës për përkeqësimin e zinxhirëve të furnizimit në shkallë botërore.

Për të marrë një shembull tjetër edhe më konkret, duke u rikthyer te mungesa e ureas në Australi, 80% e furnizimit të saj me përbërësin kimik është nga Kina.

Sikurse është theksuar nga ekonomistët, faktori kryesor që solli mungesën në Australi është ndalimi i eksportit të produktit nga Kina. Nga ana e saj, kjo e fundit e ndërmori këtë masë për të ngadalësuar rritjen e çmimit të fertilizuesve në tregun e saj të brendshëm.

Qartazi, roli qendror i Kinës në zinxhirët e furnizimit është përcaktues për qëndrueshmërinë e shkëmbimeve dhe për stabilitetin ekonomik në nivel global. Teksa ka padyshim elemente të tjera që ndikojnë në ruajtjen e sistemit, javët e fundit janë tregues i mirëfilltë i faktit se Kina nuk mund thjesht të anashkalohet.

Pavarësisht përplasjeve politike që mund të kenë me Kinën vendet perëndimore ose ato të Azisë së largët, interesat ekonomike kërkojnë një angazhim më të madh për mbarëvajtjen dhe mirë-funksionimin e ekonomisë botërore. Përndryshe, ata që e pësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë janë konsumatorët dhe qytetarët e thjeshtë.

Përballë rritjes së kërkesës së konsumatorëve dhe rikthimit të saj në nivelet para-pandemike, duket se problemet e zinxhirëve të furnizimit do të vazhdojnë të jenë të brishta dhe delikate. Pikërisht për këtë fakt, sot më shumë se kurrë nevojitet koordinim dhe një përpjekje e përbashkët për të rikthyer normalitetin tregtar dhe për të mbrojtur bazamentin e stabilitetit ekonomik botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *