Deputeti demokrat Tritan Shehu i ka marrë tre doza vaksine kundër COVID dhe në rast rekomandimi nga autoritetet shëndetësore është i gati të marrë edhe dozën e katërt. I ftuar në emisionin Publikisht në RTSH, Shehu deklaroi se duhet vaksinim masiv i popullsisë duke nënvizuar nevojën e politikave më të forta si detyrim për t’u futur në lokale, stadium ose ambiente të tjera të përbashkëta.
Shehu nënvizoi ndjekjen e modelit evropian sa i përket strategjisë së vaksinimit, duke shtuar se nuk duhet marrë asnjë vaksinë tjetër përveç atyre që janë certifikuar nga EMA.
“Vaksinimi pa dyshim është arma kryesore për sot. Jam për vaksinim masiv të popullisë. Vaksinimi është një proces që duhet realizuar. Janë konceptet politike që inluencojnë në këtë drejtim. Një gjë është që duhet shtyrë dhe duhet ecur përpara me vaksinimin në vend. Ne jemi te 36% e popullsisë të vaksinuar me të dyja dozat. Mesatarja botërore ka kaluar 50%. Ne jemi nën mesataren botërore.
Duhet bërë thirrje për më shumë vaksinim. Duhen vënë bllokime për lokalet, stadiumet apo edhe gjëra të tjera. Gjermanët p.sh. kanë vendosur gjoba. Ky është një detyrim i shtetit që të dialogojë dhe të vendosë për masa të detyrueshme. Italia uli moshën nga 11 në 5 vjeç. Dhe ne duhet të veprojmë si vendet europiane. Doza e tretë është e domosdoshme. Në disa vende europiane po ulet edhe afati i marrjes së dozës së tretë pas tre ose katër muajsh.
Në Shqipëri nuk duhet përdorur asnjë vaksinë tjetër përveç atyre që janë të certfikuara nga EMA, si vaksina Sputnik apo vaksina kineze. Kemi bërë një sallatë ruse me vaksinat. Duhet të jemi realist. Duhet të jemi seriozë me veten tonë. Unë kam marrë tre doza vaksinash. Po të jetë nevoja do bëjmë edhe të katërtën. Duhen vënë në zbatim të gjitha masat”, tha Tritan Shehu.