Mbi 300 mijë shtetas shqiptarë jetojnë të pajisur me dokumentacione të rregullta në Greqi, sipas të dhënave zyrtare të vitit 2020 nga Ministria e Emigracionit në shtetin fqinj.
Numri i lartë i të rriturve dhe fëmijëve me origjinë shqiptare që marrin mësim në shkollat greke janë arsyeja kryesore e bashkëpunimit të mësuesve shqiptarë dhe grekë të historisë së dy shteteve.
“Qasje të emigracionit- rasti i shqiptarëve në Greqi 1990-2023” është projekti më i ri midis shoqatave të mësuesve të historisë shqiptaro-greke (ALBNA- AHEG), mbështetur nga EuroClio – European Association of History Educators dhe Fondacioni Evans!
Dr. Florenca Stafa, lektore pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Fakulteti i Shkencave Humane, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike jep detaje të nismës së këtij projekti dhe rëndësisë aktuale në shoqërinë shqiptare është koordinatore e këtij projekti për Shqipërinë.
“Largimi i shqiptarëve në vitet 1990 i njohur si “largimi masiv” apo “fenomeni i Ambasadave” drejt Greqisë, Italisë, Gjermanisë apo shteteve të tjera përbën gjeneratën e parë të shqiptarëve të larguar”,- shprehet Stafa duke shtuar se të gjendur mes vështirësive e sfidave nga më të ndryshmet, kjo gjeneratë prej më shumë se 30 vite në emigracion ka arritur të integrohet pjesërisht në jetën social-kulturore dhe përfaqësimin politik në shtetet fqinje.

“Por gjenerata e brezit të dytë, fëmijët e shqiptarëve të lindur andej, apo të lindur në Shqipëri dhe edukuar jashtë kanë kapërcyer vështirësitë e prindërve të tyre, por sërish kanë sfida të mëdha”,- tregon Dr. Florenca Stafa.
Shqipëria vazhdon ende dhe sot të mbajë numrin rekord të të larguarve nga vendi. Një pjesë arrijnë të pajisen me dokumentacion të rregullt, ndërsa pjesa tjetër është e detyruar të rikthehet bashkë me fëmijët e tyre. Kriza ekonomike greke e vitit 2015, bëri që shumë familje të riktheheshin në vendin e tyre. Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2015-2016 Shqipëria shënoi numrin më të madh të të rikthyerve nga vendet e Bashkimit Evropian.
Por për fëmijët e rikthyer, problem mbetet integrimi i tyre në shoqëri dhe sistemin arsimor shqiptar. Ndonëse Ministria e Arsimit dhe Sportit shpalli Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2019-2022 dhe Planin Kombëtar të Veprimit, në veçanti, është e nevojshme të ketë një ripërcaktim të qëllimit të mbështetjes për rintegrimin, si dhe kriteret e përshtatjes që mund të përcaktojnë formën dhe përmbajtjen e programeve të qeverisë kombëtare për kthim dhe integrim të migrantëve për shërbime punësimi.
Sfidat me të cilat përballen nxënësit me prejardhje nga familje emigrante janë të shumta, ndërto vështirësia e gjuhës qëndron thelbësore.
Shumica e këtyre fëmijëve ose janë larguar në moshë shumë të vogël ose kanë lindur jashtë vendit dhe pothuajse nuk flasin shqip. Disa prej tyre dinë të flasin, por nuk shkruajnë dhe nuk lexojnë gjuhën shqipe. Të gjithë kanë probleme të ndryshme dhe për këtë arsye është e nevojshme të kryhet një punë e diferencuar me ta.
Programi arsimor që ata gjejnë në Shqipëri është i ndryshëm nga disa lëndë, kryesisht lëndë sociale. Programi i shkollës shqipe është më shumë teorik, ndërsa shkollat e huaja janë më të fokusuara në praktikë.
Gjithashtu, nuk është e lehtë për fëmijët emigrantë të mësohen me mjedisin e ri, klasën dhe shokët e klasës.
Statistikat e OECD (2015) tregojnë se fëmijët emigrantë marrin rezultate më të ulëta akademike se fëmijët e tjerë.
Komunikimi në klasa të përziera kërkon aftësi dhe përvojë për shkak të pranisë së stereotipave të ndryshme. Shkollat mund të zhvillojnë identitete bikulturore dhe të trajtojnë nevojat e fëmijëve për të kapërcyer kufijtë kulturorë: ato etnike, racore, moshore dhe gjeografike.
Të gjitha këto probleme u trajtuan në këtë projekt dhe qëllimi është pregatitja e materialeve mësimore për mësuesit që ti përdorin në orët e mësimit për të sjellë një qasje të re në edukim.
Produktet shkencore dhe workshopet që u sollën nga studiues gjatë takimeve në Athinë (3 Nëntor 2023) dhe Tiranë (18 Nëntor 2023), përbëjnë një interes të madh për një qasje të re në sitemin e edukimit shqiptar.
