Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka bërë një parashikim se çfarë e pret klasën politike përpara zgjedhjeve lokale.
Duke folur për situatën aktuale politike, veçanërisht në Partinë Demokratike Shehi deklaroi se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më kështu.
Ai zbuloi madje se i ka thënë gjatë një bisede kreut të PD, se duhet të tërhiqet.
“Unë mendoj se zgjedhjet nuk i fiton dot Basha. Ja kam thënë këtë dhe ai duhet të largohet. I kam thënë të tërhiqet, burrat siç dinë të fitojnë, dinë dhe të humbin dhe të tërhiqen. Ai tha jo. Unë kam thënë ditën që mbaruan zgjedhjet, se ka humbur edhe Churchill dhe s’ka ndonjë gjë të tmerrshme. Por Basha, mënyra se si do të qëndrojë, e ka sjellë në këtë situatë. Por, unë nuk mendoj se zgjidhje për PD është Berisha që kthehet për herë të tretë. Nuk ndodh kjo në demokraci, duhet të mbajë gjithsecili përgjegjësi. Nuk është kaq tragjike kjo, që oborrin duhet ta kontrollojë vetëm një njeri, është staliniste kjo. Ka ardhur dita të dalim nga kjo situatë”, ka deklaruar Shehi për Mcn Tv.
Ndërsa shtoi se përpara zgjedhjeve lokale e gjithë klasa politike do të fshihet nga skena politike dhe në sipërfaqe do të dalin lëvizje të tjera pasi sipas tij, nuk mund të vazhdojë ky teatër politik 30 vjeçar.
