
Njëri prej shtatë të mbijetuarve të aksidentit tragjik me 46 të vdekur në Bullgari, është edhe Orhan Aliti.
Ai kishte arritur të thyente xhamin e pasmë të autobusit të shpëtonte 6 persona të tjerë që ndodheshin në mjet dhe të kërcente në rrugë. Por Orhani për fat të keq nuk arriti të shpëtojë djalin e tij 23-vjeçar.
Samet Aliti, xhaxhai i të mbijetuarit Orhan Aliti, tregon për RTV Dukagjinin bisedën e fundit me Orhanin i cili edhe i kishte njoftuar për aksidentin tragjik.
“Informatat e para i kemi marrë pikërisht nga Orhani, që është babai i Visarit që nuk i mbijetoi aksidentit. Në ora 1:20 Orhani ka telefonuar të shoqen në Belgjikë, pasi punojnë në atë vend. Ka lajmëruar se autobusi ka marrë flakë ndërsa vet me një vështirësi shumë të madhe ka mundur t’i thyejë dritaret e prapme të autobusit dhe të dalë nga aty”, tha ai.
