Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka realizuar një intervistë nëpërmjet rrjeteve sociale me Mirjan Dedjan, 37-vjeçarin, i cili është shoqëruar nga policia e Elbasanit për vrasjen e Everest Çakës.
Ai dyshohet se është i implikuar për vrasjen e Everest Cakës dhe u mbajt më tepër se 36 orë në komisariat, nga ku ia mbathi me pranga në duar. Gjatë intervistës, Mirjani zbuloi se u arratis nga zyrat e policisë dhe prangat i hoqi sepse ia kishin lënë të lira.
37-vjeçari theksoi se ka kamera sigurie që vërtetojnë të gjithë agjendën e tij gjatë kësaj dite.
I riu i bën apel policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe çdo autoriteti të drejtësisë që të angazhohen seriozisht për të zbardhur ngjarjen pasi sipas tij kishte miqësi me Everest Ibrahim Cakën dhe ka ardhur nga Spanja për të ndihmuar vëllain e tij të ekstraduar dhe anëtarët e familjes.
Anila Hoxha: Kur erdhi policia në shtëpinë tënde?
Mirjan Dedja: Më erdhi në 11 e gjysmë të natës.
Anila Hoxha: Pse erdhën?
Mirjan Dedja: Më erdhën më thanë se duhet të vish për sqarim në polici. Okej i thashë po vij, nuk kundërshtova fare, më morën në pyetje 10 punonjës policie. Më duket se ishte dhe Ardi Veliu.
Anila Hoxha: Për çfarë të pyesnin?
Mirjan Dedja: Ku jeton, ku nuk jeton.
Anila Hoxha: Të pyesnin për Everest Cakën?
Mirjan Dedja: Kam njohuri për Everestin, e kam pas shok, të gjithë i kam pasur shokë i thashë. Kaq. Pastaj më morën deklaratat në fund.
Anila Hoxha: Sa orë të mbajtën në polici?
Mirjan Dedja: Më kanë mbajtur 36 orë.
Anila Hoxha: Të pyesnin për të njëjtën ngjarje?
Mirjan Dedja: Po, ku ke qenë, ku nuk ke qenë. Ia kam thënë me detaje se ku kam qenë, kam qenë tek burgu se më është transferuar vëllai nga Italia. I thashë kam qenë në Myslym Shyr dhe nga aty kam qenë në Elbasan, nga Elbasani, siç u çova nga gjumi shkova në Tiranë dhe aty jam takuar me një shokun tim, ngjit e ngjit me Stockholmin. Vetëm pyetje, prit, prit, prit. Mbusha 36 orë. Të gjithë i nxorën nga policia, vetëm mua më mbajtën. I kanë shoqëruar të gjithë shokët e mi, si Ardian Çallakun, si Anela Vishkullin.
Anila Hoxha: Çfarë bëre ti pastaj?
Mirjan Dedja: Gjeta mënyrën për tu arratisur se nuk kisha mënyrë tjetër. Nuk kam njeri të më ndihmojë. Kam gjithë këto vite që më sulmon policia e shtetit shqiptar. Po më shkatërrojnë, nuk e di kush më sulmon.
Anila Hoxha: Si u arratise dhe pse u arratise?
Mirjan Dedja: U arratisa se dua të kem të drejtën time.
Anila Hoxha: Ti thua që je i pafajshëm, që nuk je i implikuar në këtë ngjarje.
Mirjan Dedja: Nuk kam lidhje me askënd në Elbasan. Nuk kam lidhje me asnjë grup kriminal. I kam të gjithë shokë. Njerëzit që kanë konflikte me njëri-tjetrin nuk dua t’ia di fare se çfarë bëhet në Elbasan. Kam ardhur nga Spanja vetëm për vëllain tim sepse ka të drejtë t’i ulet dënimi me ligjin shqiptar sepse unë interesohem për familjen time. Prandaj u detyrova të iki.
Anila Hoxha: Tani je në arrati, çfarë apeli i bën policisë? Ku duhet t’i gjejnë provat që të vërtetojnë alibinë tënde?
Mirjan Dedja: Ka kamera se ku kam qenë me orar, në 5.30 – 6:00 kam qenë ngjit e ngjit me Stockholmin, nga aty kam qenë tek Komuna e Parisit, kam takuar një mikun tim për problemet e vëllait tim. Kam dhe aty kamera. Pastaj kam bërë shëtitje me Nelën për vëllain tim, pastaj mora një shok tjetër për çështjen e vëllait tim ai tha nuk jam në Tiranë dhe ika për në Elbasan. Sic u ktheva në Elbasan, shkova në shtëpi u ndërrova dhe në 11:30 më erdhën në shtëpi.
Anila Hoxha: Si e mësove vrasjen e Everest Cakës?
Mirjan Dedja: Në televizor.
Anila Hoxha: Do të vetëdorëzohesh?
Mirjan Dedja: Vetëdorëzohem me kusht që të lirohem prap.
Anila Hoxha: Kur erdhe nga Spanja?
Mirjan Dedja: Me datë 3.
Anila Hoxha: Ke pasur ndonjëherë konflikt me Everest Ibrahim Cakën?
Mirjan Dedja: Absolutisht jo. Apeli im është të zbardhin çështjen time, të marrin kamerat ju lutem se i kam dhe telefonatat që kam folur me shokët e mi, nuk ia kam dorëzuar policisë.
Anila Hoxha: Si është sjellë policia me ty në komisariat?
Mirjan Dedja: Brutalisht, presione të ndryshme, lloj lloj presionesh.
Anila Hoxha: Ti ishe me pranga kur u arratise?
Mirjan Dedja: Po.
Anila Hoxha: Nga u arratise?
Mirjan Dedja: Nga zyrat e policisë.
Anila Hoxha: Si i hoqe prangat?
Mirjan Dedja: I hoqa se faleminderit zotit, një polic mi kishte lënë pa dashje të lira dhe mezi i hoqa./TCH/