
Mund të konsiderohet një ndër operacionet më të suksesshme të policisë së Elbasanit, ai i prangosjes së mashtruesit më të famshëm turk në ditët e sotme. Prej disa kohësh mes autoriteteve më të larta të shërbimeve policore të Turqisë dhe vendeve të rajonit të Ballkanit, është folur dhe janë organizuar biseda e takime për identifikimin dhe kapjen e të shumëkërkuarit, shtetasit turk F. O., 28 vjeç.
Ka qenë operacioni i koduar ” Brain” i Drejtorisë vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i cili e ka mbyllur përfundimisht aventurën arratisëse të mashtruesit të mijëra qytetarëve në vendin e vet.
Turku i shumëkërkuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”, ka rënë në prangat e policisë në Himarë, ku prej disa ditësh ishte strehuar në bashkëpunim me një shoqërues shqiptar.
28-vjeçari i shumë kërkuar nga drejtësia turke, falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka përfunduar kështu aventurën e cila mbetet në qendër të vëmendjes së medias turke.
Operacioni policor i njësive të Elbasanit, me emrin “Brain”, ekzekuton në këtë mënyrë urdhër- kërkimin ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit më herët ka lëshuar urdhër arresti në vitit 2021, ndaj 28-vjeçarit, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Sipas komunikatës së policisë, gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme. Mediat turke ndërkohë e vlerësojnë këtë operacion të policisë së Elbasanit në Shqipëri si një ndër më të suksesshmit dhe që rrit besueshmërinë e partneritetit të strukturave tona me ato rajonale dhe kryesisht me Turqinë.
Arratisja dhe arrestimi i 28-vjeçarit turk
I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.
Kamerat e sigurisë në aeroportin e Stambollit, kishin fiksuar 28-vjeçarin, ndërsa po linte vendin, duke marrë avionin e linjës drejt Tiranës. Autoritetet turke kërkuan menjëherë ndihmën e homologëve në Shqipëri.
Ministri i Brendshëm turk bisedoi personalisht në telefon me homologun shqiptar Bledi Çuci. Policia shqiptare arriti të zbulonte hotelin ku Ozer kishte qëndruar, pas mbërritjes në Tiranë, por ndërkohë ai ishte larguar. Edhe disa operacione të organizuara nga policia, jo vetëm në kryeqytet, dështuan pa rezultat.
Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk, mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qera në zonën e Elbasanit. Policia kishte së paku dy javë që kishte rënë në gjurmët e tij. Ajo sot ka shoqëruar dhe dy shqiptarë, banues në Durrës, për të sqaruar lidhjet e tyre me Faruk Ozerin.
I riu turk, kishte mundur të tërhiqte interesin e dhjetra mijëra personave, falë një fushate masive publicitare për blerjen e kriptovalute Dogecoin me rreth një të katërtën e e çmimit, duke premtuar ndër të tjera bonuse të ndryshme mes të tjerash dhe autovetura luksoze.
Shumë prej investitorëve duket se ishin joshur dhe nga mundësia për të investuar në monedhën vendase, “lira”, e cila ishte zhvlerësuar në minimumin historik ndaj euros dhe dollarit.
