
Arben Ristani ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Ai tha se deklaratat e presidentit kundër Lulzim Bashës nuk janë të reja dhe në funksion të Grupimit të Berishës. Ai tha se kjo ‘luftë’ mes Ilir Metës dhe kryetarit të PD është e hershme. Edhe vetë shpallja e 6 Marsit si datë për zgjedhjet e pjesshme, sipas Ristanit vjen nga afatet ligjore.
“Zgjedhjet duheshin dekretuar. Që presidenti po priste Gjykatën Kushtetuese është një arsyetim që qëndron. Ka pasur një deklarim të hershëm të Metës për Bashën, kur e cilësonte si një njeri që të gënjen edhe për orën, sepse kjo tregon pikërisht karakterin e Bashës. Pra kjo përplasje mes tyre është më e hershme”, tha Ristani për Report Tv.
Duke u ndalur tek një koalicion i mundshëm mes Grupimit të Berishës dhe Lëvizjes Socialiste për integrim, ai shtoi se:
“E gjithë fuqia e pushteti që quhet regjim, duhet të përballet me një koalicion sa më të gjerë opozitar. Dhe ky koalicion nuk duhet të përjashtojë askënd, por të ketë në përbërje njerëz politikë. Pra të gjitha që janë kundër regjimit duhet të jenë bashkë”.
