Prokuroria e Posaçme, SPAK reagoi ashpër ditën e sotme pas deklaratave në media të gazetarit Artan Hoxha i cili tha se Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, ka përmendur dhe emrin e Ilir Metës se ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka.
SPAK në reagimin e saj shprehet se Nuredin Dumani, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Por ajo që bie në sy është pse SPAK sa herë flitet emri i Ilir Metës reagon menjëherë, ndërkohë që për “Non-Gratën” e Berishës thotë që nuk ka koment.
Njoftimi i SPAK
“Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se: Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit”.
Më e bukura e këtij reagimi të SPAK është se se në media prej javësh po botohet dëshmia e Nuredin Dumanit, e dalë pikërisht nga SPAK, ku tregohen vrasje dhe porosi të shumta. Për këtë SPAK nuk reagoi por e pranoi se janë të vërteta këto dëshmi ndërkohë, sapo u përmend emri i Ilir Metës, SPAK në mënyrë të habitshme ka reaguar direkt.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme gazetari Artan Hoxha tha se Nuredin Dumani ka dëshmuar se Presidenti Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit, Arben Ndoka. Në emisionin “Opinion”, Hoxha u shpreh se kjo dëshmi duhet të verifikohet nga prokuroria, teksa shtoi se ngjarja ka ndodhur siç ka deklaruar Dumani, ndërsa deri më tani ende nuk ka një autor të arrestuar.
Edhe pse kanë kaluar 1 vit nga shpallja “Non-Grata” për korrupsion, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) nuk ka regjistruar çështje penale ndaj ish kryeministrit Sali Berisha.
SPAK iu përgjigj një media online se nuk është në dijeni të këtyre personave, kur u pyet përmes një kërkese për informacion nëse ka nisur hetim kryesisht apo nëse ka kërkuar prova përmes letërporosisë. Duket se SPAK nuk i ka ndjekur reagimet e zyrtarëve Amerikanë dhe lajmet në media ku kërkojnë hetim të personave të shpallur non-grata për korrupsion.
Konstatimi për mosmarrjen e hapave ligjore, u bë edhe nga i dërguari i SHBA për rajonin Gabriel Eskobar gjatë një interviste në dhjetor në News 24.
“Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj? Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni”, tha ndër të tjera Escobar.
Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, Neni 281 prokuroria, në këtë rast SPAK i cili ka mision të hetojë çëshjtet korruptive, duhej të kishte nisur hetim kryesisht.


Pas një takimi të realizuar në muajin shtator mes ambasadores amerikane Yuri Kim dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, Kim i bëri thirrje SPAK dhe ajo i theksoi pritshmëritë e SHBA-ve që të ndiqen penalisht personat e përfshirë në korrupsion apo krim të organizuar, shkruan VOX News.
“U takova me kreun e SPAK Arben Kraja, për të theksuar pritshmëritë e SHBA-ve që SPAK në Shqipëri do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, pavarësisht se sa i fuqishëm apo i pasur mund të jetë, pavarësisht se cilës parti i përket. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate, çdo ditë”-deklaroi ambasadroja e SHBA në Tiranë, Kim.
Duket se veprimet e kreut të SPAK, Arben Kraja në syrin e ambasadores janë ndryshe ndërsa në “skutat e errëta” fsheh dokumentat ku përmendet emri i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Ky mesazh i Krajës duke përdorur SPAK është sinjal “kërcënues” për gazetarët e kronikës dhe për të penduarin Nuredin Dumani. ©Copyright Vox News

