Albin Kurti alarmon për katër rreziqe nga Omicron

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja parandaluese për parandalimin e përhapjes së virusit koronavirus, e sidomos tashmë kur është zbuluar varianti i ri Omicron. Masat e reja do të hyjnë në fuqi  më 6 dhjetor. Maska mbetet e detyrueshme. Gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga 3 janari e tutje duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me dy doza.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar për katër rreziqe me të cilat mund të përballemi së shpejti nga varianti i ri i COVID-19 – “Omicron”. Në një konferencë për media bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, Kurti mes tjerash tha se ekziston rreziku për një valë të re nga ky variant.

Kurti ka thënë se këto masa janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesë dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë, dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm, Omicron.

“Rreziku i lartë për një valë të re na detyron përsëri që ta rrisim vigjilencën tonë, katër rreziqet me të cilat përballemi shpejt. Festat shoqërohen me ardhjen e një pjesë të konsiderueshme të mërgatës sonë, ky shtim në vendin tonë bashkë me grumbullimet e shumta festive e rrit dukshëm mundësinë e infektimeve duke paraqitur rrezit të lart për jetën dhe shëndetin. Së dyti, situata epidemiologjike vazhdon të jetë tejet e rëndë sidomos disa në vende ku banojnë një pjesë e mërgimtarëve, Gjermani e Zvicër dhe ardhja nga këto vende e shton rrezikun. Së treti, Kosova ka shkallën më të ulët të vaksinimit, që e bën një valë të re edhe më të mundshme, më të rrezikshme gjatë javëve dhe muajve në vijim. Katër, është shfaqur një variant i ri, “Omicron”, ky variant është përhapur në 38 vende të botës duke përfshirë 18 vende evropiane. OBSH e ka klasifikuar  si variant shqetësues dhe ka paralajmëruar mundësin e pasojave të rënda nga valët e shkaktuar nga ky variant”, tha Kurti.

Me tej, Kurti tha se varianti i ri ka gjasë të përhapet mbi dy herë më shpejt se ‘Delta’, dhe rrit dukshëm rrezikun e infektimit të atyre që janë infektuara më përpara nga një variant tjetër. “Omicron”, të paktën deri tash, po shkakton hospitalizime të fëmijëve, sidomos fëmijëve nën moshën pesëvjeçare. Gati të gjithë këta fëmijë, i kanë pasur prindërit të pavaksinuar. Mjeti ynë më i fortë dhe më efikas, mbetet vaksinimi masiv”.

Kurti megjithatë ka thënë se nëse zbutet situata me pandeminë, atëherë Qeveria do të bëjë lehtësimin e masave.

“Mjeti ynë më efikas për të mbrojtur vetën dhe të tjerët mbetet vaksinimi masiv. Nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën e qytetarëve me mjetet që Qeveria ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese. megjithatë jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhëna më të reja, mbi të cilat do të përditësojmë masat konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Zotimi im është se në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken, Qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësimin e masave”.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se pavarësisht situatës qetë epidemiologjike, Kosova rrezikohet nga varianti Omicron i cili është më i përhapshëm se varianti Delta.

“Në këtë drejtim të gjithë personat që hyjnë duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë, nëse personi ka vetëm një dozë do të kërkohet edhe testi RT-PCR negativ. Nga 3 janari 2022 për të hyrë në Kosovë, do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit të plotë. Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave etj, udhëtarët që shërbehen me transport publik, do tu kërkohet dëshmi e vaksinimit ose testit PCR. Na mbetet ti mirëmbajmë masat në fuqi, të bartim maskën dhe distancimin social”, tha Latifi.

Maska mbetet e detyrueshme, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes. Në një nga masat thuhet se në transportin publik, stafi dhe pasagjerët duhet të posedojnë një nga dëshmitë për COVID-19 në mënyrë që të lejohen të udhëtojnë. Ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura. Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.

Po ashtu gjithë përfituesit nga skemat sociale e pensionale janë të liruar nga paraqitja e rregullt. Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore. Gastronomia lejohet deri 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura e deri 70 për qind në të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 5 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet deri në orën 21:30. Në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy udhëtarë.

Gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga 3 janari e tutje duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me dy doza. Deri në atë datë, personat që hyjnë në Kosovë lejohen me dëshmi vaksinimi me dy doza, apo të kenë një dozë të vaksinës së bashku me testin PCR jo më të vjetër se 48 orë apo një dozë të vaksinës së bashku me dëshminë se e ka kaluar COVID-19.

Gjithë shtetasve që hyjnë në Kosovë si dhe personave me lejeqëndrim të përkohshëm apo përhershëm, u jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile në aeroportin “Adem Jashari” si dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Han të Elezit. (MONITOR.AL)

Vinkmag ad

Read Previous

“Ishte Foltore “trans-oqeanike”/ Floriana Garo shpërndan videon me Sali Berishën pas Foltores me shqiptaro-amerikanët

Read Next

VIDEO/Sali Berisha paralajmëron protesta të fuqishme: Do kemi vetëm një qëllim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular