Zëdhënësja e Foltores, Floriana Garo, ka shpërndarë një video në rrjetet sociale, pas përfundimit të Foltores me shqiptaro-amerikanët, nga një sallë në New Jersey.
Garo i kërkon Berishës, të japë disa përshtypje, për Foltoren. Ish kryeministri e ka quajtur “Foltore trans-oqeanike”.
“Kjo ishte më e veçanta e të gjitha Foltoreve. Një Foltore Trans-oqeanike. Nuk kisha parashikim të plotë, por mund të them se asnjë ngjarje e madhe në Shqipëri e Kosovë, nuk mund të arrijë qëllimet e veta, pa mbështetjen e fuqishme të diasporës shqiptare.
Shfrytëzoj këtë rast për t’u përulur përpara shqiptaro-amerikanëve, që kishin mbushur atë sallë. Falënderoj dhjetëra, qindra e mijëra persona që kanë ndjekur Foltoren nga shtëpitë apo lokalet. Përherë takimet me diasporën të mbushin me emocione”, deklaroi Berisha.
