Kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga Shkodra, ka komentuar deklaratën e Ramës, që sipërmarrësit të marrin punëtorë nga Bangladeshi. Basha theksoi se plani i Ramës është në fakt që ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi.
“Shqipëria sot është kapur nga korrupsioni dhe këtë e thonë organizmat ndërkombëtarë. Shtetet e rajonit kanë dhënë shumë para për të marrë veten nga pandemia, kurse ju keni paguar nga xhepi juaj. Plani ynë sheh taksa më pak sesa vendet e rajonit. Ju jeni shpresa për të bërë këtë vend.
Ky njeri nuk do marrë punëtorë nga Bangladeshi, por Rama do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi. Mbyllinii derën këtij njeriu dhe lëreni Shqipërinë të shkojë në BE. Ne do mendojmë për bizneset, për njerëzit e thjeshtë e punëtorë të vendit. Do jemi partner me sipërmarrjen. Do të ndalim emigracionin masiv, që është plaga më e madhe e vendit. Punësimi i rinisë me paga të mira do bëhet realitet”, tha Basha.
Lulzim Basha nënvizoi se kjo qeveri po çon vendin në greminë, duke shtuar se thirrja për ndryshim dëgjohet anembanë Shqipërisë.
“Shkodra, për shkak të diskriminiimit politik e ekonomik, e ka përjetuar thellë krizën e rëndë 8-vjeçare. Shqipëria po zbrazet dhe biznesi po vuan. Të vazhdon këtë rrugë do të thotë të shkosh me këmbët e tua drejt greminës. Thirrja për ndryshim dëgjohet në të gjithë Shqipërinë, nga çdo grup shoqëror. Biznesi i vogël është në gjendje të mjerë. Programi ynë ka zgjidhje korrekte. Ne synojmë ta bëjmë Shqipërinë konkurruese në ekonomi në rajon. Ne synojmë që të zhdukim terrorin e taksidarëve. Me ne, do keni më shumë para në xhepat tuaj dhe punëtorët do kenë më shumë të ardhura. Do i përgjigjemi kërkesës për paga më të larta. Ne jemi pro biznesit dhe pro punësimit”, u shpreh Basha.
Fjala e plotë e liderit demokrat Lulzim Basha me sipërmarrës në Shkodër:
Kryetari i Partisë Demokratike, në vizitën e tij në veri të Shqipërisë, ka bashkëbiseduar me përfaqësues të bizneseve dhe punonjës të përpunimit të drurit në qytetin e Shkodrës. Ai dëgjoi nga afër problemet e sipërmarrësve, të cilët dëmin që u ka shkaktuar pandemia është dyfishuar me taksat e larta të qeverisë dhe janë në prag të falimentimit. Ata gjithashtu thanë se nëse shteti do u bijë në ndihmë, kanë kapacitete për të punësuar shqiptarët pa qenë nevoja të marrim njerëz nga Bangladeshi.
“Zoti Basha, po të them dhe një herë ky popull është i vuajtur, akoma po vuan. Duhet se s’bën që e t’ja hyjmë nga e para me meritokracinë e saktë, që të jenë njerëz të përzgjedhur që i shërbejnë këtij vendi dhe i shërbejnë këtij kombi. Se me ç’po shohim në televizione , të gjithë mediat po japin ikjet masive të këtij populli. Nuk është problemi që do iki Rama apo do vij dikush tjetër, që të importojmë njerëz. Jo! Ne duhet ta ndërtojmë vet vendin, nuk kemi nevojë të marrim as nga Bangladeshi dhe as nga ndonjë vend tjetër aziatik. Në qoftë se ne do të marrim, do ta shpërbëjmë këtë komb! Prandaj, të lutem shumë në emrin tim dhe në emër të gjithë këtyre njerëzve se ka sipërmarrës këtu që ne duhet të ulim taksat. Taksa është më diskriminuesja. Të lutem Basha, ne kemi probleme me të gjitha taksat. Ne nuk kemi kohë t’i themi sot të gjitha, por kemi sa të duash që t’i shërbejmë këtij vendi.” – u shpreh një nga përfaqësuesit.
“Edhe unë jam një tregtar, biznes i madh i thonë, por ka 8 vite që ne po mbijetojmë. As kemi marrë mbështetje nga COVID-i, të gjithë punëtorët i kam paguar vet nga xhepat tonë. Unë di me thënë për dy muaj kam humbur 20 milion lekë. Unë kokrrën e lekut s’kam marrë. Dikush që ka marrë 400 mijë lekëshin, unë nuk kam marrë asgjë. Unë dy gjëra du me të sugjeru, se dua me i rinovu makineritë, edhe e shoh që është një taksë TVSH-je që është shumë e rëndë. Jo për mua, por për të gjithë biznesin shqiptarë. Tё lutem nё qoftё se ke mundёsi ose me e pёrgjysmu, ose me heq fare TVSH e makinerive. Tani dua tё blej njё makineri 100 mijё euro dhe duhet ti jap shtetit 20 mijё euro TVSH. Pak jemi dёmtuar nga kovid, pak nga tё tёrat qё na kanё rёnё, biznesi, ka shkuar drejt falimentimit.” – tha një nga sipërmarrësit.
Kreu i opozitës përsëriti angazhimin se qeveria e dal nga vota e 25 prillit, do të vërë në funksion taksën e sheshtë 9%, e cila do të çlirojë sipërmarrjen shqiptare nga vjedhja që i është bërë për 8 vite. Ai gjithashtu tha se me uljen e kontributeve shoqërore në 18%, uljen e çmimit të karburantit duke hequr 240 lekë taksën Rama mbi karburantin, fashat e energjisë për biznesin prodhues, heqjen terrorin inspektorateve të kontrollit, janë vetëm disa nga lehtësirat që do t’i vijnë në ndihmë biznesit në Shqipëri.
