Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha propozoi dy risi të reja në politikën shqiptare: dy mandate qeverisëse për një kryeministër dhe 22 vite burg për çdo politikan që shpallet fajtor për manipulime në zgjedhje. Lideri demokrat u takua me anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në kryeqytet. Ai bëri me dije se dy propozimet e tij për politikën në Shqipëri vijnë nga modeli qeverisës amerikan dhe italian.
“SHBA u thotë jo më shumë se dy mandate, dhe këtë kam propozuar edhe unë. Vetëm vendosja e rregullave të tilla do na mundësojë të kalojmë nga fjalët te veprat dhe ne e kemi plan. Nëse disa prej tyre do ishte bërë realitet nuk do ishte bërë masakra zgjedhore. E kërkojnë për të gjithë vetëm për veten e tyre nuk e pranojnë. Sot në politikë janë shumë ata që nuk përfaqësojnë interesat e njerëzve, që nuk justifikojnë pasurinë dhe që kanë ardhur si vullnet i interesave të botës së nëndheshme. Dy mandate për kryeministrin, dhe pas kësaj të ketë një qarkullim. Mund të jetë e njëjta parti, mund të mos jetë, s’ka rëndësi. Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, kufizimi i mandateve dhe vetingut në politikë janë instrumente për ta pastruar politikën dhe për ta bërë atë më llogaridhënëse. Themeli janë zgjedhjet, është vota. Ndaj kemi propozuar që sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen aq të forta sa në Itali. Nëse një politikan kapet duke blerë vota dënohet deri në 21 a 22 vjet burg. Pse dënim kaq i rëndë sepse vret shpresën. Një politikë që kap pushtetin me mjete të tilla nuk ka fytyrë njerëzore, sado bukur të aktrojë, recitojë apo të ngërdheshet. Shqipërisë i duhet një politikë me fytyrë njerëzore, kjo është arsyeja pse i duhet rinia”, deklaroi Basha.