Çfarë do të thotë të zgjohesh nën një regjim demokratik hibrid?

Nga Hysni Gurra/Të zgjohesh nën një regjim hibrid demokratik do të thotë; të hapësh sytë në mëngjes dhe mos të kesh ku dërgosh fëmijën në kopësht, e mos mundesh dot t’i shpjegosh se kopshtin tënd bijë e ka mbyllur ‘Bajraktari’.

Në një zonë të qytetit me mbi 70-80 mijë banorë, ku nuk ka asnjë kopsht a shkollë publike, ku nëpër zgëqe pallatesh ka me mijëra fjetore kolektive fëmijësh, të cilat regjimi demokratik hibrid i ka licencuar si kopshte e shkolla, ose ka mbyllur sytë, t’i nuk ke të drejtë të çosh, me një mijë sakrifica, fëmijën tënd në një kopsht ose shkollë, që ndoshta nuk ka qenë më e mira, por më të mirë nuk ka tjetër. Pse? Sepse kopshtin apo shkollën e ka mbyll pushteti për ca dronë bajraktar e ca pazare të dukshme e të pa dukshme me një tjetër regjim demokratik hibrid, siç njofton vetë kryeshërbëtori i regjimit në po të njëjtën ditë që ka mbyll kopshtin e fëmijës tënd. “Do të marrim 6 bajraktar”, thotë kryeshërbëtori, a thua se dha një lajm që do të rrisë mirëqenien e popullit të tij.

Unë ndiej shumë më pak faj se çdo prind tjetër, ndoshta, sepse kam folur, nuk jam pajtuar dhe as kam justifikuar kurrë, sipas gjykimit tim modest, asnjë hap të instalimit të këtij regjimi, dhe për këtë kam se ç’ti them vajzës time. Për prindërit e tjerë nuk jam në dijeni ç’kanë bërë.

Në 30 vite demokraci, në prodhoi një gjë ky vend qe mundësia për të shkolluar fëmijët në një institucion cilësor. Por, fatkeqësisht kjo nuk u bashkëshoqërua me aspekte të tjera të prodhimit të kulturës, ekonomisë së lirë, prodhimit dhe forcimit të demokracisë, ndaj edhe kopshti ose shkolla që qindra prindër nisën të shkollojnë fëmijët, pati mbetur si një ishull u bukur në mes të një kënete që mban erë qelbësirë rreth e rrotull. Dhe sigurisht do t’i vinte dita. Pas kësaj, unë nuk e di çfarë ka më për të ndodhur!

Sigurisht që nuk ka regjim në botë, e aq më pak një regjim jo ideologjik, por regjim hajdutësh e halabakësh si ky në Shqipëri që të më pengojë mua të rris vajzën time, ndoshta e varfër, por të ndershme.

Veç mund të më pengojë ta bëj këtë gjë në vendin ku lindën prindërit e mi, unë dhe vajza ime- këtë po, mund të më pengojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.