Policia e Shtetit ka dërguar forca të shumta policie në qytetin e Lezhë. Kur kanë kaluar dy ditë nga vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha, policia ka ‘blinduar’ qytetin gjatë orëve të vona të mbrëmjes.
Konkretisht, efektivët e forcave të rendit dhe të Policisë Rrugore janë ndarë në zona kyçe të qytetit, mes tyre edhe në zonën e Ishull Lezhës, ku ndodhi dhe krimi i rëndë, autori i të cilit, Aldi Rama është i vdekur gjithashtu. Mësohet se uniformat e shtetit po ushtrojnë kontrolle edhe në makina ku dyshohet se mund të ndodhen persona të dyshimtë. Saimir Hoxha u vra paraditen e 29 shtatorit nga Aldi Rama teksa zhvillonte një operacion anti-kanabis në Lezhë. Më pas, 21-vjeçari qëlloi veten dhe ndërroi jetë në spital. Nënkomisari Hoxha është shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’, duke iu shtuar listës së efektivëve të rënë në krye të detyrës.