Search
Close this search box.

DASH futi Berishën në listën e zezë/Ja si po i turpëron familjarisht administrata Biden të gjithë të korruptuarit dhe minuesit e demokracisë

Qysh nga marrja e detyrës, administrata e Joe Biden ka zgjedhur ndalimet e vizave si një mjet për të ndëshkuar aktorët e këqij jashtë shtetit për gjithçka, nga pretendimet për korrupsion tek abuzimet me të drejtat e njeriut.

Nga Nahal Toosi/Disa vjet më parë, një i ri me flokë kaçurrela i njohur si “Gregory”,  luajti për ekipin e basketbollit të Universitetit Shtetëror Cleveland.

I riu nuk u angazhua shumë kohë për të luajtur pasi bilancet e tij nuk ishin mbresëlënëse dhe ai e la shkollën pas një viti.

Falë Presidentit Joe Biden, ai së shpejti nuk do të gjuajë më kosha në Ohio për të shënuar.

Gregory është djali i Ihor Kolomoyskyy, i njohur si një oligark për të cilin zyrtarët amerikanë pretendojnë se është aq i korruptuar saqë ai është një kërcënim për demokracinë e Ukrainës.

Në Mars, Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi se Kolomoyskyy dhe familja e tij e ngushtë do të ndalohen që të marrin vizë amerikane.

Kjo përfshinte edhe Gregory-n, emri zyrtar i të cilit është Israel Zvi Kolomoyskyy dhe që nuk është fëmija i vetëm i një fajtori të dyshuar që tërheq zemërimin e administratës së Joe Biden.

Që nga marrja e detyrës, administrata ka zgjedhur me padurim ndalimet e vizave si një mjet efiçent për të ndëshkuar aktorët e këqij jashtë shtetit për gjithçka, nga pretendimet për korrupsion të lartë, tek abuzimet e të drejtave të njeriut.

Dhe falë hapave të ndërmarrë vitet e fundit nga Kongresi, administrata është më e aftë të pasqyrojë ato vendime që më parë janë konsideruar vetëm vendime konfidenciale të vizave.

Nën drejtimin e Biden, i cili është në këtë detyrë për më pak se gjashtë muaj, vetëm Departamenti i Shtetit ka njoftuar ndëshkimet e vizave në më shumë se një duzinë rastesh, duke prekur drejtpërdrejt mbi 100 njerëz në vendet që variojnë nga Guatemala në Bjellorusi.

Ajo që i bën ndalimet e vizave jashtëzakonisht të fuqishme, thonë zyrtarët dhe analistët e SH.B.A, është se ato mund të zbatohen – dhe shpesh automatikisht – të zbatohen dhe të ndikojnë drejtpërdrejt edhe tek familja e personit që është etiketuar nga SHBA si person me probleme me ligjin.

Si rezultat, zyrtarët shpresojnë që kryerësit e mundshëm të veprave penale të mendojnë dy herë për të bërë një veprim të jashtëligjshëm duke ditur se një bashkëshort ose një fëmijë mund të paguajë një çmim të madh për faj të tij.

Ideja është që të tremben veçanërisht ata që konsiderohen elitat e korruptuara të parave që deri më sot janë mësuar veç me gjërat më të mira.

“Shumë nga këta njerëz të nivelit më të lartë i dërgojnë fëmijët e tyre në Harvard. Ata blejnë prona në Manhattan apo pushojnë në Kaliforni”, tha Gary Kalman, i cili drejton zyrën e Transparencës Ndërkombëtare në SHBA. “Ata vodhën shumë para dhe tashmë duan të bëjnë një jetë të mirë.”

Ajo që ende nuk është e sigurt është se nëse strategjia e ndalimit të vizave do të sjellë përfundimisht një ndryshim të rëndësishëm në ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit, për t’i dhënë fund abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimeve të tjera në të gjithë botën.

Zyrtarët dhe aktivistët pranojnë se ashtu si sanksionet që synojnë pasuritë financiare të aktorëve të këqij, edhe suksesi i ndalimit të vizave mund të jetë i pamundur të provohet, ose edhe të matet me kalimin e kohës.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se ka shenja bindëse që vendimet e administratës Biden për vizat po trondisin qarqe të caktuara jashtë vendit.

“Disa qeveri dhe individë kanë kundërshtuar me forcë njoftimet e SHBA”, tha zyrtari.

“Disa njerëz u janë drejtuar ambasadave të ShBA për të zbuluar nëse mund të vihen në shënjestër.

Ndërkohë, aktivistë anti-korrupsion dhe të tjerë kanë përshëndetur lëvizjet.

Kurdoherë që Uashingtoni zbulon të tilla goditje përmes ndalimit të vizave, “ne vëzhgojmë reagime brenda elitës ose njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, ankth dhe shqetësim për faktin se qeveria amerikane po e bën këtë”, tha zyrtari, duke shtuar se nganjëherë lëvizjet po sjellin “paranoja ” edhe për të tjerët për të dyshuar se kush mund të jetë goditja e radhës.

I pasigurt në Perëndim

Administratat e kaluara amerikane kanë marrë gjithashtu vendime për ndalimin e vizave për një larmi arsyesh.

Ish Presidenti Donald Trump filloi mandatin e tij duke ndaluar vizat për njerëzit nga disa vende me shumicë myslimane për arsye të dyshimeve për cenimin e sigurisë kombëtare.

Administrata e tij u bë e famshme për përdorimin e pandërprerë të sanksioneve ekonomike, por gjithashtu përfitoi nga legjislacioni për të vendosur kufizime të shumta të vizave – duke shënjestruar më shumë se 150 njerëz për të njëjtën akuzë vetëm në vitin 2020.

Ajo vendosi ndalime vizash, ndër të tjerë edhe për udhëheqësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për shqyrtimin e veprimeve të SHBA në Afganistan dhe zyrtarët kinezë për një sërë aktivitetesh të konsideruara sit ë dyshimta.

Është e vështirë të krahasosh vendimet e administratave të ndryshme për ndalimin e vizave për shkak të ligjeve të konfidencialitetit që do të thotë se shumë ndalime nuk bëhen kurrë publike.

Edhe sot, Departamenti i Shtetit, duke cituar ato ligje, nuk pranoi të ofronte statistika në lidhje me to, megjithëse zyrtarët atje konfirmuan se kanë marrë më shumë staf për t’u marrë me sanksionet ekonomike dhe ndalimin e vizave në përgjithësi.

Megjithatë, nuk ka dyshim që administrata e Biden po përdor ndalimet e vizave me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë ndërsa përfiton nga ligjet që lejojnë që këto vendime të jenë më publike, gjykuan analistët dhe zyrtarët.

Në mes të qershorit, për shembull, Departamenti i Shtetit njoftoi se po vendoste kufizime për vizat ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë Namibiane Bernhardt Esau dhe Sakeus Shanghala. Sipas vendimit, pretendohej  se ishin përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm”.

Departamenti vazhdoi duke përmendur edhe anëtarët e familjes për të cilët ndalimi do të ndikonte gjithashtu.

DASH ka bërë njoftime të ngjashme në lidhje me një palë hetuesish iranianë të dyshuar për abuzime të të drejtave të njeriut, një ligjvënës paraguaian i akuzuar për korrupsion dhe një ish-president shqiptar, gjithashtu për pretendime për korrupsion dhe minim të demokracisë.

Çështja Kolomoyskyy ishte një shembull i hershëm dhe i profilit të lartë. Aktivistët ukrainas të anti-korrupsionit janë veçanërisht të entuziazmuar me faktin që ekipi i Biden doli publikisht të përmendë oligarkun, gruan dhe fëmijët e tij.

Patriarku i familjes përballet me një hetim federal të pastrimit të parave në Shtetet e Bashkuara.

“Dallimi është i madh. Ndikimi është i madh, ”tha Daria Kaleniuk, drejtori ekzekutiv i Qendrës së Veprimit Antikorrupsion në Ukrainë, për faktorin e poshtërimit publik.

Bazuar në burimet e grupit të saj dhe vëzhgimin e votave, ndër të tjera, “menjëherë pas këtij vendimi, njerëzit, posaçërisht anëtarët e Parlamentit që u ndikuan nga Kolomoyskyy, filluan të kufizojnë marrëdhëniet me të dhe ndikimin prej tij”, tha Kaleniuk.

Kaleniuk i kërkoi administratës së Biden të sinkronizojë ndalime të tilla vizash me qeveritë dhe entitetet e tjera, veçanërisht Bashkimin Evropian, Britaninë dhe Zvicrën, në mënyrë që njerëzve si Kolomoyskyys t’u ndalohet përgjithmonë aftësia “të shkojnë me pushime në Spanjë, për të dërguar fëmijët e tyre të studiojnë në Londër, të shkojnë për të bërë pazar në Vjenë apo të kenë një shtëpi në Zvicër. ”

“Nëse kjo aftësi i hiqet për t’u ndjerë të sigurt në Perëndim, atëherë motivimi i tyre për të vazhduar  ende me këto veprime të gabuara në Ukrainë do të jetë mjaft më i ulët”, tha ajo.

Një avokat i cili ka përfaqësuar Kolomoyskyy nuk iu përgjigj kërkesave për koment dhe përpjekjet e POLITICO për të arritur të komunikojë me të dhe djalin e tij përmes mjeteve të tjera, përfshirë Facebook, nuk ishin të suksesshme.

“Emërtimi dhe turpërimi mund të jenë mjaft të fuqishëm, por fshehtësia dhe paqartësia kanë përparësi gjithashtu, tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Kur departamenti thotë se do të godasë përmes ndalimit të vizave një grup të veçantë njerëzish pa specifikuar emra – të tillë si njerëz “përgjegjës, ose bashkëpunëtorë në minimin e zgjidhjes paqësore të krizës në rajonet Anglophone të Kamerunit” – kjo i shtohet paranojë midis disa fajtorëve të mundshëm dhe familjeve të tyre, tha zyrtari.

Në shkurt, si pjesë e një serie njoftimesh në lidhje me ndëshkimin e Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, Blinken njoftoi krijimin e “Khashoggi Ban.”

Kjo u ndalon hyrjen në ShBA të huajve që në emër të qeverive të tyre, përndjekin dhe u bëjnë presion disidentëve përtej kufive të vendit të tyre.

Blinken tha se 76 Sauditë u ndaluan menjëherë lidhur me rastin e Khashoggi.

Ai paralajmëroi që të afërmit e tyre, gjithashtu, mund të përballen me të njëjtin dënim.

Sekretari amerikan i shtetit nuk i përmendi me emër publikisht, por, duke cituar parashikime të ndryshme ligjore, la të hapur mundësinë që në një moment të dytë mund të bëhen publikë emrat e tyre.

Mëkatet e babait

Ish zyrtarët dhe analistët e SHBA-së thonë se ka rregullisht debate të brendshme të qeverisë nëse duhet të ndëshkohen njerëz të tjerë për veprimet e fajtorit kryesor. Mbi të gjitha, a është e drejtë të fajësosh një fëmijë për mëkatet e një prindi?

Sidoqoftë, shpesh ka prova që synimi kryesor i sanksioneve është fshehja e pasurive të tij ose të saj në emër të një bashkëshorti ose një fëmije.

Ekziston gjithashtu gjasat që bashkëshorti ose fëmija të jenë duke përdorur fitimet të jashtë jashtëligjshme për të blerë ose paguar shkollimin e tyre në kolegj.

Madje disa kolegje mund të pranojnë studentë të caktuar me shpresën se do të marrin në të ardhmen donacione nga prindërit e tyre të pasur, nëse janë të korruptuar.

“Ekziston një debat i vlefshëm, i rëndësishëm në lidhje me sanksionimin e anëtarëve të familjes, por ne mendojmë se mund të jetë një mjet i rëndësishëm dhe i fuqishëm kur përdoret si duhet,” tha Annie Boyajian, drejtoreshë e avokimit për Freedom House.

Administrata e Biden aktualisht po rishikon peizazhin e sanksioneve amerikane të lënë pas nga Trump, administrata e të cilit përdori pa pushim sanksione ekonomike kundër individëve, organeve qeveritare dhe enteve të tjera me rezultate të paqarta.

Vendosja e sanksioneve ekonomike zakonisht kërkon që zyrtarët amerikanë të përmbushin nivele më të larta të provave sesa ndalimet e vizave.

Duke qenë se Biden dhe ndihmësit e tij po përpiqen të tregojnë se janë serioz në lidhje me premtimet e tyre për të goditur korrupsionin global dhe keqbërje të tjera, ndalimi i vzave është pa dyshim “shkopi” më i përshtatshëm në dispozicionin e tyre.

Akoma, ka shenja që administrata është e gatshme të shkojë përtej ndalimeve të vizave.

Vetëm javën e kaluar, administrata shpalosi një raund të ri sanksionesh ekonomike kundër figurave të Mianmarit të cilët i ka lidhur direkt ose indirekt me grushtin e shtetit në vendin aziatik dhe dhunën e vazhdueshme atje.

Nga 22 personat e sanksionuar, 15 janë bashkëshortë ose fëmijë të rritur të zyrtarëve ushtarakë.

Vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj të afërmve të caqeve është e pazakontë, por jo e pa precedent.

Të gjitha 22 sanksionet përballen me ngrirjen e pasurive të SHBA-së dhe ndalesa të tjera që mund t’ua bëjnë të vështirë përdorimin e sistemit financiar global.

Dhe ndërsa Departamenti i Thesarit, i cili zbuloi sanksionet, nuk e përmendi atë, nuk ka gjasa që këtyre njerëzve t’u lëshohet viza amerikane.

Më shumë për të zbuluar?

Ka pasur një mbështetje solide dy-partiake në Capitol Hill për përdorimin e ndalimit të vizave për të shënjeshtruar autorët e dyshuar të  shkeljes së ligjit.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në frontin e luftës anti-korrupsion. Luftimi i korrupsionit global është një përparësi kryesore për Biden, dhe është një ide që ka nxitur një zhurmë aktiviteti në Kongres, duke përfshirë fillimin e fundit të një “grupi kundër-kleptokracie”.

Paul Massaro, këshilltar politik për Komisionin për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur më mirë si Komisioni i Helsinkit, është ndër ata që i nxit ligjvënësit të mbyllin më tej dyert e Amerikës për aktorët e këqij në të gjithë botën.

Ndalimet e vizave në SHBA mund të mos ofrojnë “po aq drejtësi sa arrestimi dhe çuarja e tyre në gjyq”, tha Massaro, por ata janë ende “të fuqishëm”.

Një ligj i SHBA-së që jep autorizimin për ndalimin e vizave është Seksioni 7031 (c) i Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Lidhura.

Në vitet e fundit, Kongresi ka rregulluar atë dispozitë për të lejuar më shumë zbulimin publik të kujtdo që është në shënjestër, dhe administrata e Biden e ka përdorur atë në mënyrë të përsëritur.

Një tjetër burim kryesor i autoritetit për ndalimin e vizave në Aktin e Emigracionit dhe Kombësisë. Legjislacioni i quajtur “Akti i Zbulimit” është në proces për të stimuluar degën ekzekutive për t’i bërë më shumë publike lëvizjet e lidhura me vizat.

Propozime të tjera në lidhje me vizat janë gjithashtu në proces, duke përfshirë edhe një linjë që synonte parandalimin e abuzimit me një program që u jep viza të huajve që investojnë një shumë të konsiderueshme parash në ekonominë e SHBA.

Ky projekt-ligj vjen në mes të shqetësimit në rritje se të huajt e korruptuar po përdorin biznese amerikane për të pastruar fondet e dyshimta.

Mes njerëzve që përballen me akuza të tilla është Ihor Kolomoyskyy, interesat financiare të të cilit shkojnë përtej Ukrainës.

Në fakt, ata shkojnë të paktën deri në Cleveland, Ohio, ku djali i tij luante basketboll dhe, sipas Cleveland State, ishte student nga vera 2018 deri në pranverën 2019.

Ihor Kolomoyskyy është nën hetim federal, i dyshuar për blerjen e pasurive të patundshme komerciale në Cleveland dhe vende të tjera në Shtetet e Bashkuara duke përdorur fonde të përvetësuara nga një bankë ukrainase.

Departamenti i Drejtësisë pretendoi se e gjitha ishin  pjesë e “një skeme kredie shumë miliarda dollarëshe”.

Djali i manjatit 6’4 ’’, megjithatë, nuk i braktisi ëndrrat e tij të basketbollit pasi u largua nga Ohajo.

Ai ka qenë duke luajtur për një klub profesionist ukrainas.(politico.com, gazeta TemA)

Vinkmag ad

Read Previous

Konkurrentë apo kundërshtarët më të mëdhenj?

Read Next

Berisha sulmon Ardian Çipën/ I vëllai gazetar i përgjigjet ish-kryeministrit: Je një shpifës, do përballesh me drejtësinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular