Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë, ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku 26 -vjeçari Kliton Pira vrau me thikë 31-vjeçaren Jaësackie Jaboah nga Gana, në banesën e marrë me qira në kryeqytet.
Burime për mediet bëjnë me dije se i riu kishte qenë i martuar për dokumente me shtetasen ganeze, me të cilën ishte njohur në Angli, aty ku emigroi 3 vite më parë.
Para se të shkonte në Angli 26-vjeçari punonte në Greqi bashkë me të atin. Mësohet se para 3 vitesh, Pirës i kishin ekzekutuar babain, Genci Pira, i cili u gjet i vetëvarur në Korçë.
Fillimisht u raportua si vetëvrasje, por që familjarët dyshuan se ai ishte vrarë. Familja Pira ishte në hasmëri me një familje tjetër në rrethana ende të panjohura.
Familja me origjinë nga Dibra jetonin prej rreth 30 vitesh në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku tashmë qëndron vetëm e ëma, pasi edhe vëllezërit e tij jetojnë jashtë shtetit.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, ku 26 -vjeçari Kliton Pira u konfliktua me 31-vjeçaren Jaësackie Jaboah nga Gana, në banesën e marrë me qira.
Shtetasja ganeze kishte mbërritur këtë të shtunë në Tiranë, ku do të kalonte disa kohë me partnerin e saj.
Sipas burimeve nga Policia i riu ka goditur me thikë shtetasen e huaj dhe më pas është hedhur nga kati i 8-të, ku për pasojë ka ndërruar jetë në vend. Ndërkohë 31-vjeçarja u dërgua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.