E drejta për jetë private dhe familjare, apo liria e shprehjes?

Shqiptarët nuk e njohin dhe as ankohen në  gjykatë, kur u cenohet privatësia*

NGA DAFINA HYSA/E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare si dhe liria e shprehjes janë dy të drejta themelore që parashikohen nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, por që shpeshherë konkurrojnë njëra-tjetrën duke sjellë jo pak vështirësi, në vendosjen e një ekuilibri të drejtë nga gjykatat kombëtare.

Teksa në Shqipëri thuajse mungojnë rastet mbi këtë “përplasje” të drejtash, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ofron një jurisprudencë të pasur. Në më shumë se një rast, GjEDNj-ja ka vendosur se e drejta për privatësi dhe e drejta për lirinë e shprehjes dhe informacionit, kanë të njëjtën vlerë ligjore.  Githashtu asnjëra prej tyre nuk është absolute, pasi mund të kufizohen në rastet, kur cënojnë të drejta të tjera.

Konfliktet mes normave, siç tregon Gjyqtari shqiptar në GjEDNj Darian Pavli, përfundojnë shpeshherë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por raste të tilla mungojnë nga Shqipëria.

Darian Pavli: “Këto çështje janë të shumta në praktikën e GjEDNj-së dhe i përkasin tematikave të ndryshme, që nga; cënime të jetës private apo të drejtës së imazhit, pretendime për shpifje/defamacion kundër mediave e deri tek ajo që quhet ‘e drejta për t’u harruar’ në sferën online. Megjithatë ato mbeten të rralla ne kontekstin shqiptar. Psh që nga hyrja në fuqi e Konventës në lidhje me Shqipërinë, nuk kemi pasur ende asnjë gjykim të vetëm themeli sipas nenit 10 të Konventës në çështje shqiptare (pa llogaritur një çështje e cila u shpall e papranueshme nga Gjykata).

Gjyqtarja holandeze në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Jolien Stuckling evidenton  interpretimin e gjerë që Gjykata ka bërë ndaj nenit 10 të KEDNj-së.   

Jolien Stuckling :“Liria e shprehjes dhe e medias nuk mbron vetëm informacionet e zakonshme, por edhe deklaratat që përmbajnë fyerje dhe sharje, që trondisin ose shqetësojnë strukturat shtetërore, ose kategori shoqërore. Të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur, pa të cilat nuk mund të ketë një shoqëri demokratike.  Por liria e shprehjes, nuk është e drejtë e pakufizuar”.

Nga ana tjetër Stuckling e vë theksin tek kujdesi më të cilin duhen trajtuar aspektet e jetës private që mbulon neni 8, që nga identiteti shoqëror dhe etnik, identifikimi gjinor, përkatësia politike e besimi fetar e madje edhe informacione rreth shëndetit. Për të gëzuar lirinë e shprehjes, gazetarët duhet të veprojnë me mirëbesim dhe të sigurojnë e publikojnë informacion të besueshëm dhe të saktë.

Ndaj balancimi i të drejtës për privatësi dhe të drejtës për lirinë e shprehjes, konsiderohet si çështje delikate edhe nga gjyqtarët, siç konfirmon Pavli. 

Darian Pavli:“Eshtë një temë delikate sepse lidhet me dy të drejta themelore të të njëjtit rang, asnjëra prej të cilave nuk ka përparësi automatike mbi tjetrën. Çdo çështje duhet të peshohet sipas fakteve konkrete dhe kontekstit përkatës. Megjithatë, Gjykata ka vendosur disa piketa madhore, që duhet te ndiqen edhe nga gjykatat vendase,si psh; në lidhje me jetën private të personave publike. Disa nga çështjet kryesore janë Von Hannover k. Gjermanisë (nr 2) dhe Axel Springer k. Gjermanisë”.

Privatësia në rrezik nga teknologjia

Me zhvillimin e teknologjisë, GjEDNj-ja ka pranuar rrezikun që paraqet interneti, ndaj të drejtës së privatësisë. Në këtë aspekt, neni 8 i KEDNj-së, përforcohet edhe nga Konventa 108 e Këshillit të Evropës, e cila përfshin të gjitha operacionet e kryera në Internet, kur kanë lidhje me të dhënat personale.

Megjithatë shpesh mediat, përfshirë edhe ato tradicionale publikojnë foto e video që gjenden në rrjete sociale, të postuara madje edhe nga persona anonimë. Në shumë raste juristët kanë ngritur pikëpyetje në diskutimet e tyre, nëse ajo që serviret është në interesin publik, apo vetëm sa denigron figurën e personave të njohur, qofshin edhe me funksione publike. Gjyqtarja Stuckling shprehet se fillimisht këto raste, kërkojnë angazhimin e autoriteteve kombëtare për t’i zgjidhur.

Jolien Stuckling: Interneti dhe mediat sociale padiskutim ofrojnë më shumë mundësi, por gjithashtu n’a vënë përpara shumë sfidave. Çështje të tilla sipas saj kërkojnë së pari zgjidhje ligjore në nivel kombëtar.

Në Shqipëri, ekspertët konfirmojnë se qytetarët nuk e njohin dhe rrjedhimisht as e kërkojnë të drejtën për respektimin e privatësisë dhe jetës familjare, kur në vende europiane, çështje të tilla, po zënë gjithnjë e më shumë, një vend të konsiderueshëm.  

Ndër të paktat raste, të mbërritura në gjykatat shqiptare për cënimin e jetës private, është padia për përdorimin e fotos së një fëmije, në aktivitetet e fushatës elektorale, si nga drejtues të bashkisë së Tiranës ashtu edhe të ekzekutivit. Besjan Pesha, prindi i të miturit, thotë se gjatë dy-viteve janë zhvilluar vetëm disa seanca në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku përmes padisë është kërkuar një dëmshpërblim në vlerën e 2 milion lekëve.  Megjithatë Pesha, nuk ngurron të tregojë edhe reagimet e qytetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve e shohin si publicitet dhe jo si cënim i të drejtës, përdorimin e fotos private të të birit në fushatë elektorale.  

Ruajtja e të dhënave personale

Autoritetet kombëtare kanë rolin kryesor, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë. Ekspertët e së drejtës thonë se në Shqipëri vihet re një tendencë në rritje e refuzimit të institucioneve publike, për të dhënë informacion, me pretekstin e ruajtjes së të dhënave personale.

Në raportin e Qendrës “Res Publica”, evidentohet se nga institucionet nuk është dhënë informacion edhe në rastet kur artikulli synonte të hidhte dritë në çështje me interes të gjerë publik dhe nuk lidhej aspak me detaje personale mbi të individit. Avokati Dorian Matlija evidenton se më problematiket në këtë drejtim, janë institucionet qëndrore.

“Rastet më hermetike janë sidomos kur bëhet fjalë për investime të mëdha, në çështje që kanë shumë impakt në mjedis. Edhe pse shfaqet interes i madh nga grupime të ndryshme, merret informacion vetëm kur është bërë fakt i kryer investimi”.

Por ndonëse ankesat nuk kanë marrë zgjidhje të shpejtë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Matlija thekson se Gjykata Administrative ka vendosur pro ankimuesve thuajse në të gjitha rastet. Madje për herë të parë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, mori vendim për kompensimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga refuzimi i informacionit, që përbën risi për jurisprudencën shqiptare.

Gjatë vitit 2020, pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u depozituan 715 ankesa kryesisht nga gazetarët, të cilëve u ishte refuzuar dhënia e informacionit nga institucionet publike.

Por përballë  “bunkerizimit” të informacionit sidomos gjatë pandemisë, institucionet dështuan të garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, madje dhe atyre sensitive. Pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në prill të 2021, u publikua në portale një databazë me të dhënat e rreth 900 mijë votuesve, përfshirë numrin e kartës së identitetit, numrin e telefonit dhe  qendrës së votimit, por edhe përkatësinë apo preferencat politike. Incidenti ngriti pikëpyetje të shumta mbi funksionimin dhe standartet e sigurisë, që ofrojnë institucionet, të cilat kanë akses në të dhënat personale, por mbi të gjitha kanë detyrimin për mbrojtjen e tyre.

Sipas KEDNj-së por edhe Konventës 108 të Këshillit të Evropës, të dhënat personale duhet të merren dhe përpunohen në mënyrë të drejtë e të ligjshme, si dhe të ruhen për qëllime të specifikuara dhe legjitime.

Në rastet e përpunimit të të dhënave personale, theksi vihet në dy parime specifike, atë të ligjshmërisë së përpunimit dhe pëlqimin e përdoruesit. Përdoruesi duhet të informohet se të dhënat mund të përpunohen vetëm kur përcaktohet me ligj dhe kur qytetari ka dhënë pëlqimin e tij. Publikimi i databazës në funksion të përllogaritjes paraprake të rezultatit të votimeve, duket se nuk është në respektim të asnjërit prej parimeve të mësipërme. 

Çështja “patronazhisti”, është ende nën hetim nga SPAK, i cili humbi betejën për të sekuestruar serverat e portalit “Lapsi.al”.  GjEDNj-ja vendosi si masë sigurie mos sekuestrimin derisa çështja të gjykohet në themel nga Gjykata e Strasburgut, duke nxjerrë edhe njëherë në pah rëndësinë e mbrojtjes së burimit të informacionit. Matlija, një  nga avokatët mbrojtës të portalit tregon rastet kur GjEDNj-ja , merr vendime të tilla.

“Në rregulloren e Gjykatës së Strasburgut është neni 39,  që parashikon të drejtën e kësaj gjykatë për të ndërhyrë në masa urgjente kur jemi përpara një rasti ekstrem të shkeljes së drejtave të njeriut. Vendimi i  Gjykatës shqiptare për sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të  medias Lapsi.al, ishte një vendim shumë i rrezikshëm për standardet e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve”.  

Liria e shprehjes përbën një nga bazat thelbësore të një shoqërie demokratike dhe rrjedhimisht çdo masë që kufizon aksesin në informacionin që publiku ka të drejtë të marrë kërkon arsye veçanërisht të forta.  Megjithatë shtypi nuk ka një liri të pakufizuar të shprehjes, pasi nuk mund të kalojë kufijtë e së drejtës së dhënë, veçanërisht në lidhje me të drejtat e tjera sic është edhe ajo për jetë private dhe familjare. Kështu konfliktet midis të drejtave themelore, gjejnë arsyetim rast pas rasti nga gjykatat duke u mbështetur në nocionin e ‘Balancimit’.  

*Ky artikull/video është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze”

Leave a Reply

Your email address will not be published.