Rendi i ri dhe risku i “luftës së vjetër”

NGA ALEKSANDËR ÇIPA/Sistemi politik i ndryshëm dhe përplasja e interesave mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë bërë çështje të ditës ekzistencën e një rendi të ri botëror. Si i tillë, ndikimi i tij është realitet, por struktura ende e paformësuar dhe e paqartë e rendit të ri mbart të njohura dhe shumë të panjohura për dy fuqitë e mëdha, por edhe për gjithë vendet e tjera të botës. Në këto ndryshime të mëdha, Forume ndërkombëtare, samite (sikundër më i fundit i G 7-ës, apo qoftë edhe ai NATO-s në Bruksel), po e përfshijnë Botën në atmosferë dhe rryma efektesh e ndryshimesh të mëdha, e pse jo edhe tronditëse.

Koncepti i Kinës zyrtare për multilateralitet global dhe përballja me vendosmërinë e riaktualizuar të SHBA si lidere botërore po komentohen dhe janë epiqendër e diskutimit dhe debateve gjeopolitike kudo nëpër botë. Samiti tre ditor i G7-ës, ku merrnin pjesë SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia dhe veçanërisht deklarata e përbashkët dhanë sinjale për një përballje të re gjeopolitike.

Etiketimi i Kinës nga ana e presidentit amerikan Joe Biden si një kompetitore e drejtpërdrejtë përballet jo vetëm me refuzimin e Kinës, por me një reagim potencial të saj shumëplanësh. Në fakt pati një sërë reagimesh të diferencuara nga dy prej shtatë krerëve të G7-ës. Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel shprehu e para një qëndrim më të moderuar teksa i tha shtypit se: “…, nëse shmangim Kinën, nuk do të gjendet kurrë rrugëzgjidhja”. Ndërkohë, presidenti i Francës, Macron, ishte më i drejtpërdrejtë kur deklaroi se ”G7 nuk është ‘klubi i armiqësisë kundrejt Kinës’, por do të përpiqet bashkërisht me Kinën në përballimin e ndryshimit klimatik, tregtinë ndërkombëtare dhe në politikën e zhvillimit”.

Në samitin e G7-ës, krerët e shteteve iu referuan disa herë me konsensus atyre që i etiketuan si “gabime” të Kinës, ku iu mëshua të ashtuquajturave synime unilaterale për të ndryshuar status-quo-në në Lindje dhe në Jug të detit të Kinës. Mirëpo Republika Popullore e Kinës reagoi energjikisht duke argumentuar se “koha kur një grup i vogël shtetesh qeverisin botën, ka përfunduar”.

Bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Kinës esencialisht duket se po vështirësohet edhe më seriozisht pas samiteve të G7-ës dhe të NATO-s. Në vështrimin panoramik, duket se rreziku i rritjes së tensioneve është bërë më potencial. Mjedisi i ri politik që kushtëzon këtë klimë po shpërfaq premisa vështirësuese, teksa gjuha politike e niveleve të larta diplomatike është më e kategorizuar dhe lë pak shpresë për të kundërtën.

Vizita e Presidentit amerikan Biden në Europë synonte krijimin e një qëndrimi konsistent për këto ҫështje edhe me aleatët dhe partnerët e saj europianë. Por, dakordësia është edhe tek fakti që qasja konfliktuese me Kinën mbart rreziqe të shtuara tashmë përpara aktualizimit të ndryshimeve të viteve të fundit. Shtimi i këtyre tensioneve ka për të gjithë një kosto të madhe dhe kjo nuk nënvijëzohet vetëm nga autoritetet politike dhe diplomatike kineze, por artikulohet rëndom edhe në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, Senatori Bernie Sanders nga shteti i Vermontit, ish-kandidati për president, argumentonte me pathos në revistën prestigjoze amerikane Foreign Affairs se nuk duhet filluar kurrsesi një “Luftë e Ftohtë” të re.

Raporti mes dy fuqive të mëdha është sfidant, por si i tillë reflektohet edhe kundrejt shteteve të tjera perëndimore. Gara politike, ekonomike, ushtarake mbart ndikime të pashmangshme mbi Bashkimin Europian. Mospërcaktimi i BE-së në këtë raport dhe qasja neutrale përsa i përket kësaj gare dha si produkt të mëhershëm arritjen në parim të marrëveshjes për investime BE-Kinë, ndonëse klima e presionit mbetet evidente. Kjo klimë ka shumfishuar dukshëm efektet psikologjike të tensionit dhe frustrimit diplomatik. Në fjalorin e përfaqësuesve stilema e dikurshme e “Luftës së Ftohtë” është rikthyer fuqishëm.

Protagonizmi gjeopolitik global nuk është pretendim, por një realitet në lëvizje dhe në skaje e pika të ndryshme globale. Perspektiva dhe ecuria e sfidës ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të kushtozohen prej impaktit ekonomik dhe varësisë së avantazhit të pretenduar prej secilës palë.

Besnike e sistemit të vet politik, Kina vijon orientimin energjik drejt politikave forcuese të ekonomisë së brendshme. Në një artikull të botuar në datën 10 qershor 2021 në The Economist, me titull “Të huajt i vërsulen Murit Kinez”, ndër të tjera theksohej: “Gati 600 firma iu përgjigjen sondazhit të përvitshëm për besueshmërinë e biznesit të realizuar nga Oda Tregtare e Bashkimit Europian në Kinë, i cili u botua më 8 qershor. Ata përshkruan rritjen e optimizmit për Kinën, teksa rritja ekonomike rinisi shumë më shpejt nga sa ishte pritur. Tre të katërtat e firmave europiane thanë se kishin pasur përfitim në Kinë në 2020, duke u mundësuar dërgimin e të ardhurave tek selitë qendrore të cilat, në vende të tjera, kishin pasur rezultate të mjera.”

Është e kuptueshme se kursi strategjik mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është thelbësisht i ndryshëm, ndërkohë që shfaqjet politike gjithashtu janë në kontrast të fuqishëm. Por, ndërkohë përpara tyre listohen dhe sfida të përbashkëta madhore si përballja me ngrohjen globale dhe ndryshimet klimaterike, siguria kibernetike, kontrolli i armëve, veçanërisht atyre bërthamore, etj. Për sa u përket këtyre, përshkallëzimi i konflikteve dhe mungesa aktuale e dialogut jo vetëm që nuk ndihmon, por, përkundrazi, ndikon tejet negativisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.