Megjithëse qyteti i Elbasanit është nën ‘pushtetin’ e bandave, kryetarja e Gjykatës së Rrethit Elbasan, Enkeleda Kapedani gjen kohë për t’u shfaqur mjaft aktive në rrjetin social ‘Tik Tok’.
Ajo këndon nën ritmet e këngëve më të fundit. Një ndër to është dhe kënga e Don Xhonit ‘Mafia’.
Edhe pse shumë ironike, kryegjyqtarja, e cila supozohet të jetë një nga zyrtarët më të lartë të drejtësisë në qytet thotë me gojën e saj se: ‘Rrethi im o Mafia’. Sikur mos të mjaftonin këto, ajo ndan dhe video nga zyra e saj. Një prej tyre e tregon Kapedanin duke bërë sfilatë, që nga dera e deri tek momenti kur ulet në karrigen e zyrës së saj. Ajo filmohet nga dikush, që me siguri do të jetë pjesë e stafit të saj.
‘Kjo ndodh kur del në punë të shtunën,’-shkruan ajo në një tjetër video, të cilën e shoqëron me emoji duke qarë, ndërsa mban veshur marka si “Prada”, “Louis Vuitton”. Sapo pamjet e shpërndara në rrjet janë publikuar nga mediat, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Kreu i ILD-së, Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin. Edhe pse ajo vetë, në disa prononcime për mediat është shprehur se vetë ajo nuk ka një llogari në rrjetin social, duke “ngritur supet” për rastin.
Por kjo nuk është hera e parë që Kapedani bëhet lajm. Dy vite më parë ajo liroi Viktor Ymerin i cili ishte dënuar me 25 vite burg dhe akuzohej për dy vrasje në vitin 1999. I dënuari, i njohur ndryshe si ‘Tori i Xhihanes’, ishte pjesë e bandës së Gaxhait, rivalen e asaj të Zani Caushit, kreu i “Çoles”.
