Mbledhja e kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka prodhuar përplasje mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe mbështetësve të liderit historik të së djathtës Sali Berisha.
Deputeti Flamur Noka, i cili ka dalë hapur pro Berishës që nga përjashtimi i tij nga grupi parlamentar demokrat ka debatuar ashpër me kryedemokratin Basha, lidhur me vendimin e tij.
Nga ana e tij Basha është treguar i palëkundur për vendimin e shpallur publikisht.
Sipas tij, ky ka qenë një prej vendimeve më të vështira që ka marrë, por paralajmëroi se nuk do të lejojë grupe me frymë anti-amerikane në PD.
“Vendimi i duhej lënë forumeve të PD ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD të Bashkuar. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Pa i dhënë drejtim çështjes së Berishes nuk mund të diskutohet asgjë për aksionin opozitar”, mësohet t’i ketë thënë Noka-Bashës.
“Mos thoni gjysmë te vërteta. Kurrë nuk kam deklaruar se ky ka qenë vendimi i jetës sime, por ka qenë më i vështiri. Nuk desha që këtë vendim t’ua lija forumeve të PD-së për të mbajtur të bashkuar partinë. Në PD, nuk do të lejoj dhe nuk do të ketë grupime kundër amerikane. Ky është vendimi në interes të demokrateve. Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas. Pastaj ka një keqlexim që bëhet ose interpretohet në media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mira. Por siç ka deklaruar edhe vete ai do të ndjek procesin gjyqësor. Dhe derisa e vërteta të dalë në shesh do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat qe te ishte nevoja për mbledhjen organeve të PD kërkesa për doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut te ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për t’i marrë vesh kurrë. Vendimi nuk ka me kthim pas. Nuk mblidhet asnjë Kryesi apo Kuvend sepse s’mund të ketë kuvend antiamerikan”, është përgjigjur kryedemokrati Basha.