Search
Close this search box.

Ismail Kadare mbush sot 85 vjeç/Ripropozohet për Çmimin Nobel

Gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare feston sot 85-vjetorin e lindjes. Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe vepra e tij është përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës.

Në nder të 85-vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare është zhvilluar edhe veprimtaria shkencore me temë “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.

Në njoftim bëhet me dije se po në këtë event Kadare do të ripropozohet nga Akademia e Shkencave për çmimin Nobel në Letërsi.

Në ditëlindjen e tij të 85-të, shkrimtari ndodhet në Shqipëri urimet kanë vërshuar nga politika dhe miqtë e tij.

Kadare është nominuar disa herë si kandidat për të fituar Çmimin Nobel në Letërsi, çmim që jepet nga Akademia Suedeze e Nobelit.

Njoftimi i plotë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.” Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho.

Njoftimi:

Çmimet e marra nga krijuesi Ismail Kadare: Me qindra botime dhe vepra të zgjedhura, Kadare ia doli që në kohën e diktaturës që veprat e tij të shkonin përtej Adriatikut. Kadare ka marrë shumë çmime prestigjioze botërore si “Man Booker International Prize”, në vitin 2005, Çmimi Neustadt International për Letërsi në vitin 2019, Princi i Asturias në Letërsi në vitin 2009, Çmimi Jeruzalem në vitin 2015, Cmimi Botëror Cino Del Duca, në vitin 1992, ndërsa Franca i ka akorduar Çmimin më të lartë gjeniut shqiptar, atë të Komandantit të Legjionit të Nderit, në vitin 2016.

Jeta dhe Vepra e Kadaresë: Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).  Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981). Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.

Vinkmag ad

Read Previous

Ilir Meta përfshihet në fushatë/I jep “borxh” Lulzim Bashës, këshilltarin e tij për shkrimin e programit

Read Next

Lubonja: Në çdo shtet ka mafie, por në Shqipëri mafia ka shtetin e vet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular