Nga Aleksandër Çipa/Arena diplomatike ndërkombëtare aktualisht ndjek kohën e një përpjekjeje shumëplanëshe dhe me efekte vijuese në dimensione rajonale dhe globale. Qasjet diplomatike dhe politike mes shteteve janë në diferenca sa befasuese aq edhe skemë-ndryshuese. Gjatë kësaj jave, presidenti i Kinës Xi Jinping në komunikimin me homologun rus Putin, duke ofruar optikën e vet për situatën ndërkombëtare u shpreh se:”…bota ka hyrë në një periudhë ndryshimesh dhe zhvillimi njerëzor përballet me kriza të shumta”. Dhe theksimi që autoriteti kryesor i Kinës i bën prezencës së krizave të shumta nuk është i paqëllimtë. Këto janë kriza që po shpërfaqen në shumë lëmi dhe skaje të globit tonë. Ndërkohë që fokusohet tek “zhvillimi njerëzor me kriza të shumta”, diplomatikisht po shton kalendarin e komunikimeve dhe intensifikon atë çka zyrtarisht e konsideron zgjerim të partneritetit ndërkombëtar të Kinës.
Arritja e dakordësisë mes Kinës dhe Rusisë për zgjatjen e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë dhe të Bashkëpunimit Miqësor me rastin e 20 vjetorit të nënshkrimit, duket si mishërim i përcaktimit nga Kina si “një shembull të marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri”. Në traktatin e dakordësuar mes dy vendeve përmendet koncepti i miqësisë së përjetshme dhe i mbrojtjes së përbashkët të multilateralizmit, përkundër pikëpamjes dhe konceptit që ndan SHBA. Vetë presidenti rus, Putin, në komunikimin me homologun kinez shtoi se do të forcojë marrëdhëniet e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik dhe të partneritetit Rusi-Kinë në një nivel më të lartë. Njoftimet për këtë komunikim, theksojnë edhe përbashkimin kinezo-rus në pikëpamjen për “mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar, mbrojtjen e sigurisë dhe të stabilitetit strategjik global etj. Në rikonfirmimin e traktatit të miqësisë, dy krerët e vendeve respektive kanë pasur të përbashkët edhe qasjen e tyre politike rreth disa pikëpamjeve të ndryshme me SHBA.

Kina zyrtare po shpalos aktivizmin e vet diplomatik të përfshirë edhe në suazën e integrimeve ekonomike, zgjerimeve dhe shprishjeve të hartave tradicionale të tregtisë dhe investimeve, në kuadër të projekteve ndërkombëtare për klimën dhe rendin global, sikundër edhe në pistën e përfshirjes dhe të përfaqësimit në sektorët e institucionalizmit ndërkombëtar. Është kjo një ndër arsyet pse autoriteti dhe dëgjueshmëria e Kinës në vendimmarrje dhe qëndrime të OKB-së apo të OBSH-së, po bëhen përherë dhe më prezente dhe ndahen si vlerësime gjithmonë në takime të niveleve të larta qoftë në nivel bilateral, qoftë edhe në atë multilateral.
Ndonëse tensioni nevralgjik amerikano-kinez vijon të krijojë edhe perceptime të rreme si ai i “reminishencës me kohën e Luftës së Ftohtë”, dhe po ndryshon shumë skema dhe qasje tradicionale të gati gjysmë shekullit të fundit, sërish Pekini zyrtar po zbaton një strategji të realizmit dhe të prezencës. Gjatë këtij muaji disa takime, deklarime dhe konferenca në nivele dhe pikëtakime të ndryshme ndërkombëtare, të japin përshtypjen e plotë për prezencën dhe kontributin ndërkombëtar të Kinës për çështjet globale. Nisma “Një brez, një rrugë” e sulmuar dhe e shumëdiskutuar në komentet publike ndërkombëtare, po shpaloset si një projekt ambicioz i së sotmes në shërbim të së ardhmes. Konferenca e nivelit të lartë të Azi-Paqësorit mbi bashkëpunimin që u mbajt gjysmën e dytë të qershorit, duke shënuar një konsensus prej gjashtë pikash që kanë lidhje me interesa dhe veprime strategjike shumëpalëshe, dha provën e një partneriteti ndërkombëtar. Në këtë konferencë morën pjesë 29 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshi edhe Kombet e Bashkuara.
Ditë më parë Armin Laschet, kryetar i Unionit Demokristian që është në pushtet në Gjermani, duke folur për një media ndërkombëtare, vlerësonte se në konkurencën gjeopolitike me Kinën, perëndimi duhet të shmangë mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe zhvillimin e një Lufte të Ftohtë të re. “Unë do të nxit brenda mundësive marrëdhëniet e partneritetit midis dy palëve. Bashkëpunimi me Pekinin është më i favorshëm për BE-në,” theksoi ai. Ndërkohë që ndërsa flet për turneun e parë të presidentit amerikan Joe Biden në Europë, Armin Laschet shprehet se: “Problemi është që kur ne diskutojmë për pengimin e Kinës, a do të shkaktojë kjo një konflikt të ri? A na nevojitet një konkurrent i ri? Kina është vërtet një konkurrente, por është gjithashtu një partnere bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e ndryshimit të klimës etj.”

Zëra të diplomacisë zyrtare kineze janë përherë të artikuluar në forume dhe samite ndërkombëtare për çështjet dhe problematikat më të mprehta të realitetit botëror. Pak ditë më parë, Chen Xu, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, duke mbajtur një fjalim të përbashkët në emër të rreth 20 vendeve, si Rusia, Bjellorusia, Venezuela, Egjipti, Irani, Taxhikistani, Sri-Lanka, Kamboxhia, Bolivia etj., në mbledhjen e 47-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ndër të tjera risolli në vëmendje një përgjegjësi të institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut: “… të ndjekin parimet e universalitetit, paanësisë, objektivitetit e joselektivitetit, si dhe dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv ndërkombëtar”.
Jashtë fokusit të këtij partneriteti europian të Kinës, nuk mbetet as Ballkani, kryesisht ai Perëndimor. Serbia është ndër vendet e rajonit që po aplikon një diplomaci të interesit dhe pragmaticitetit ekonomiko-tregtar me Kinën. Në komunikimet bilaterale shpesh theksohet mbështetja e ndërsjelltë politike. Vende të këtij rajoni ndajnë pikëpamje të ndryshme rreth këtij afiniteti dhe afërive reciproke, por këndvështrimet ekonomike dhe sidomos interesi praktik për shkëmbimet tregtare dhe ato të fushave të investimit, janë pjesë e një pikëpamjeje të njëjtë dhe të leverdishme.

Sidoqoftë, provat dhe sfidat gjeopolitike në këto ditë janë jo vetëm më të shtuara, por edhe më sfidante. Politikani gjerman, si pretendent për qeverinë e Gjermanisë së sotme, zoti Lanschet, e karakterizon këtë periudhë sipas skemës që imponon ndarja dhe kapaciteti shumëpalësh i botës. “Shekulli i 21-të është i ndryshëm, tani është një botë shumëpolare dhe pjesëmarrësit janë të ndryshëm.” Fuqitë e mëdha të arenës ndërkombëtare po ndajnë në përballjen mes tyre strategjinë për shumëfishim të projekteve dhe partneriteteve ndërkombëtare. Kina gjatë kësaj dekade këtë strategji e ka pasur dhe po e zbaton si aspekt dhe investim të dorës së parë, me të gjitha zërat e diplomacisë së sistemit të vet.
