Nga Ilir KRASNIQI/Edhe këtë vit në Kosovë u shënua beteja për Kosovë, me festën e Vidovdanit. Në historikun e festave të serbëve asnjëherë nuk është festuar më shumë se 20 vite të çlirimit në Kosovë. Kjo festë të rikujton fjalimin e diktatorit Slobodan Milosheviq të mbajtur në Gazimestan më 1989, e cila mobilizoi nacionalistët për ti dhënë zjarr jo vetëm vendit tonë por edhe pjesëve tjera të ish hapësirës së Jugosllavisë. Patriarku serb Profirie në festën e Vidovdanit në Gracanicë përmend Kosovën si shtëpi vetëm të ortodoksëve serb, teksa të mbijetuarit e masakrave serbe nuk mund ti mbyllin sytë nga vuajtjet e pësuara në luftën e fundit, vuajtje këto që nuk i njohin as ata që thirren në perëndi. “Vendi në të cilën kemi lindur për Krishtin dhe kemi arritur shumë çka që të tjerët ose nuk munden ose nuk dëshirojnë të kuptojnë”, tha ai për ta konsideruar të gjithë trashëgiminë e Kosovës si të tyren. Se kush janë të tjerët Profirie i cili më shumë përfaqëson religjionin politik të Serbisë, vetëkuptohet.
Dhe ndaj këtyre deklaratave asnjë reagim. Si do të reagonte Serbia nëse për çdo vit përfaqësues të institucionet tona në Medvegjë do të shënonin masakrat dhe dëbimet ndaj shqiptarëve më të rëndat që nga 1878 e më intensivisht 1912? Pra nuk flitet për fitoret sikurse të Serbisë duke arritur të pushtojë territore në dëm të popujve tjerë, por për fatkeqësitë e dokumentuara edhe nga historiografia serbe. Është interesant se në Gracanicë ishte festuar kjo festë më 1913 pas luftës së parë botërore kur forcat serbe pushtuan Kosovën. Festën e Vidovdanit duhet shpallur të ndaluar në Kosovë dhe për këtë ka shumë arsye. Kjo festë nuk ka të bëjë asgjë me betejën e Kosovës në të cilën thirret politika zyrtare serbe.
Kongresi i Berlinit dhe Vidovdani
Për herë të parë u festua më 1889 në qytetin Krushevc pra pas Kongresit të Berlinit i cili jo që i morri parasysh kërkesat e shqiptarëve por i lejuan Serbisë zgjerim të territorit në lindje të Kosovës nga Vranja e deri në Nish në dëm të shqiptarëve. Në fund të shekullit 19 miti për Kosovë ka qenë ftesë për armë. Një mësues serb nga Leskovci më vonë do ta kujtonte dëbimin e myslimanëve në dhjetor të 1877 në acarin e madh: Përgjatë rrugës , në grykën e Grdelikut deri në Vranjë e Kumanovë, mund të shiheshin trupat e pajetë, fëmijët e braktisur dhe të moshuarit e ngrirë në pikë të dimrit”. Jovan Hadzi Vasiljevic si motive kryesore të Serbisë për dëbimin e shqiptarëve përmend: krijimin e shtetit të pastër serb; parandalimin e Portës të kthejë tokat e populluara me shqiptarë; krijimin e rrethanave të përshtatshme për depërtimin në Kosovë dhe krijimin e paqes dhe sigurisë në rajon! Pas dëbimit të shqiptarëve nga Toplica, në tokën e tyre janë vendosur koloniste nga Mali i Zi, Sjenica, Vranja, Kosova etj. Për dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve dhe vrasjeve kanë raportuar edhe përfaqësues të diplomacisë perëndimore.
Një nga motivet e përmendura të Vasiljeviqit dolën të sakta. Pas 23 vitesh nga festa e Vidovdanit në Krushevc në Luftën e parë Ballkanike Serbia pushtoi Kosovën me shumicë shqiptare, që që politika serbe e konceptoi si çlirim të Kosovës dhe hakmarrje ndaj Turqve!. Në opinion kjo u shit si përmbushje e betimit dhe hakmarrje. Me Slloganin nga lufta e parë botërore “Për Kosovë-Kumanova” fitorja asokohe ndaj ushtrisë turke është interpretuar si “barazim në lojë”. Në fund të vitit 1915 kur ushtria serbe është rrethuar në Kosovë është tërhequr drejt Shqipërisë, mesin e të shumtëve ka qenë bindja se është gjykuar shteti serb të përjetojë thyerje pikërisht në Kosovë.
Po ashtu motive i tradhtisë sërish është riaktualizua këtë herë në drejtim të atyre që janë kthyer në shtëpi pas dështimit të shtetit serb, të cilët nuk deshën të vazhdojnë tërheqjen përmes Shqipërisë. Miti për Kosovë përsëri është përdorë për formulimin e politikës serbe ndaj Kosovës në vitin 1980 kur realiteti në vetë Kosovën kishte ndrysuar shumë kohë. Në fund të vitit 1980 në Serbi përsëri fillon të ringjallet miti për Kosovë i cili shoqërohej me narativën për “gjenocidin” e shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë. Kjo ishte një lloj mobilizimi psikologjik për luftë.
Pas masakrave festa në Gracanicë
Më 1913 në fillim të luftës së dytë Ballkanike, në rrethanat e okupimit serb, është shënuar festimi i parë i Vidovdanit në manastirin e Gracanicës. Atë ditë në gazetën Politike ka pasur një publikim në të cilën thuhej” Festa e madhe e Kosovës e cila me shekuj ka qenë ditë zie e popullit, sot festohet si dita më e gëzuar si ditë e çlirimit”. Se për çfarë çlirimi flitet në këtë festë tregoi raporti i komisionit ndërkombëtarë, të cilin e ka publikuar instituti Carnegie. Gjetjet e saj konfirmojnë se ka pasur krime të rënda lufte. Armët nuk janë përdorë vetëm kundër ushtrisë kundërshtare , por për vrasjen e popullatës në Maqedoni e Shqipëri, njerëzit në moshë, fshatarë, bujq, gra e fëmijë. Komisioni nuk u lejua të hyjë në pjesët shqiptare të kontrolluara nga ushtria serbe.” Shtëpitë dhe fshatra të tërë janë shndërruar në hi, popullata e paarmatosur masovikisht janë masakruar, akte të papara dhune, grabitje dhe egërsi e çdo lloji -këto janë mjetet e zbatuara dhe ende po zbaton ushtria serbo-malazeze, me qëllim të ndryshimit të karakterit etnik të rajoneve të populluara kryesisht me shqiptarë”.
Më 1939 pak para luftës së dytë botërore është shënuar në Gazimestan 550 vjetori i betejës së Kosovës ku kishte marrë pjesë kreu shtetëror serb dhe kishtar por pa princin Pavle Karadjordjeviq i cili këtë ditë e festoi me bashkëshorten në Mali i Zi.
Më 28 qershor 1989 në Gazimestan është shënuar festa më e madhe, përmes një mobilizimi shtetëror, e Vidovdanit për nder të 600 vjetorit të betejës së Kosovës. Fjalimi i njohur i diktatorit Slobodan Milosheviq qoi në përgjakjen fillimisht të Kosovës me masat më represive të mundshme. Ai ka mbajtur një fjalim të zjarrtë i cili e fronizoi atë si udhëheqës të gjithë serbëve. Ishte një hyrje në ngjarjet që sollën shumë fatkeqësi dhe vuajtje në vitet në vijim.
Pra Vidovdani është një feste e cila i referohet planeve të pushtimit të Kosovës që pa Kongresit të Berlinit sado që thirren në betejën e Kosovës në të cilën ishin përfshirë gjithë popujt ballkanik. Historianët që kanë hulumtuar burimet historike të dekadave të fundit të shekullit XX për betejën e Kosovës kanë konstatuar se ka pak burime të besueshme, respektivisht analiza kritike e besueshmërisë së dokumenteve për betejën e Kosovës çoi në faktin se njohuritë e besueshme në lidhje me të po zvogëloheshin. Sipas disa të dhënave në këtë betejë kanë vdekur princ Llazari dher Murati. Këtë të fundit thuhet se e ka vrarë Milosh Obiliqi e që në historiografinë shqiptare njihet si Milosh Kopiliqi. Por pjesa më e madhe e historiografisë serbe i shmanget analizës pse portretizohet aq shumë figura e princ Llazarit dhe jo e Milosh Kopiliqit i cili siç thuhet e kishte vrarë Sulltan Muratin.
Beteja e Kosovës një përmbledhje folklorike
Dhe kjo histori më shumë është e bazuar në përmbledhjet folklorike. Disa hulumtues të folklorit dhe dokumenteve që janë ruajtur kujtimet për betejën e Kosovës dhe trimat e saj kanë gjetur gjurmë të besimit pagan dhe mite. Miodrag Popoviq në librin “Vidovdani dhe kryqi i nderit” , konfliktin midis dhëndurëve të Llazarit, Milosh Kopiliqit dhe Vuk Brankoviqit është shkruar në këngën popullore “Darka e Princit” , e ka interpretuar si konflikt midis besimit të vjetër pagan dhe krishterë. Në përputhje me rrethanat, ai pyetjen “kush është besim dhe kush është mosbesim” – që në tekstin e poezisë kuptohet si dilemë se cili nga dy dhëndurët e Lazarit do të tradhtojë serbët në Kosovë – interpretoi si një pyetje se cili besim është i drejtë: pagan, i personifikuar nga Kopiliqi, ose krishterë, i simbolizuar nga Lazar dhe Vuk Brankoviq. Në gjysmën e dytë të shekullit 19 shkrimet letrare, folklorike kujtimet për Kosovë ndahen nga miti autentik i Kosovës dhe bëhet “mit i Vidovdanit në shërbim të pushtimit dhe hakmarrjes. Pra nën presionin politik-ekonomik depërtimi në jug dhe pushtimi i Kosovës. Vidovdani sipas Popoviqit është simbol i hakmarrjes së përgjakshme të pakursyer ndaj çdo gjë turke, dhe myslimane në përgjithësi. Ky është një pseudo mit “degradim estetik dhe human i mitit të Kosovës”.
Diskursi mitik i Kosovës në shekullin e 19 është bërë mjet i propagandës serbe, që qoi në bashkëpunimin e ngushtë të qarqeve politike dhe ushtarake me historian, filozof dhe shkrimtar që janë marrë me hulumtimin, interpretimin dhe publikimin e teksteve kishtare dhe folklorike të cilat kinse vërtetojnë se dikur Kosova, Maqedonia ose BH kanë qenë vende serbe, respektivisht populli që jeton atje ruan kujtimet për betejën e Kosovës! Këto të pavërteta mundohet ti bëjnë argumente historike dhe etnografike në mënyrë që kinse vërtetojnë të drejtën e Serbisë që të zgjerojë territorin. Këto “kujtime” gjatë dekadave të ardhshme në Serbi përdoren për propagandë politike me qëllim që murgjit serb , pas vrasjes së Aleksandër Obrenoviqit më 1903, sundues nga familja e Karagjorgjeviqi, i prezantojnë si roje të “betimit për Kosovë” dhe që aksionet politike dhe ushtarake që i ndërmerr Serbia i legjitimon si përmbushje të atij betimi. Pavarësisht që historiografia serbe i jep një karakter fetar betejës së Kosovës, në kohën e monizmit, komunistët në pushtet në Serbi më 1953 në Gazimestan kanë ngritur përmendoren e trimave të Kosovës ndërtues i së cilës ishte shkrimtari Milorad Panic Surep me arkitektin Aleksander Deroko.
Kur Slobodan Milloshevic, kreu i Komunistëve Serbë që nga viti 1986 (president i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Serbe), filloi të veprojë si një politikan që mbron të drejtat e serbëve në Kosovë dhe gjithashtu në Bosnjë dhe Kroaci, ai e motivoi nga gjoja pozita alarmante e tyre, të cilët ishin paralajmëruar në atë kohë nga nacionalistët serbë, për shembull, ata të mbledhur në Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë, Akademia e Shkencave serb me elaboratin e famshëm të tyre më 1986 dhe Kisha Ortodokse Serbe. Në emër të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, në një tubim masiv më 28 qershor 1989 në Gazimestan, e paraqiti veten si jë udhëheqës që bën thirrje për luftën për rindërtimin e Serbisë në frymën e “Betimit për Kosovë” duke thënë se Kosova është “zemra e Serbisë”, ndërsa nacionalistët e përshëndetën atë si një hero dhe shpëtimtar të ri serb. “Rilindja e Serbëve”, shkroi asokohe historiani akademik Radovan Samardzic, “filloi përsëri në shenjën e Kosovës”.
Nga koleksioni i i atëhershëm i produksionit të përshkrimeve të “vuajtjeve të reja të vjetra të serbëve të Kosovës” mbetën në në kujtesë një përmbledhje fjalish dhe epigramash politike nga poeti Matija Bećkoviq me titull “Kosova – fjala më e shtrenjtë serbe”( qershor 1989) dhe filmi Beteja e Kosovës (regjisori Zdravko Shotra) dhe skenaristit Ljubomir Simoviq). Rol të madh ka pasur këtu edhe Kisha Ortodokse serbe duke konsideruar se me Milosheviqin është treguar mundësia e hakmarrjes ndaj Kosovës.Duke iu bashkuar mobilizimit të politikës së Milosheviqit “KOS më 1989 ka kryer mobilizimin shpiërtor të serbizmit me bartjen e mbetjeve tokësore të Princ Lazarit në” të gjitha tokat serbe “.
Përveq kësaj ka filluar gërmimet e varrezave në lufta e dytë botërore, duke manipuluar me traumën njerëzore. Me manipulimin politik “friga serbe nga zhdukja” dhe duke i konsideruar boshnjakët si turq , forcat serbe me agresivitet krijuan tragjedinë në BH më 1990. Amfilohije Radovic , Biljana Plavishiqin e ka quajtur “vajza e Kosovës, ndërsa nënën e kriminelit Radovan Karaxhiqi – nëna e Jugoviqëve. Ratko Mladiq një kriminel lufte në qershor 1995 me rastin e gjenocidit në Srebrenic deklaroi se “i dorëzojë këtë qytet serbëve si dhuratë të Vidovdanit dhe më në fund iu hakmorëm turqve”!.
Vidovdani para shekullit 19 nuk ka ekzistuar në kalendarin kishtar ortodoks
Miti për Kosovë paraqet një nga sfidat kryesore të raporteve të serbëve dhe shqiptarëve dhe ai është ndërtuar në vetë themelet e konfliktit serbo-shqiptarë. Deri në gjysmën e dytë të shekullit 19 Vidovdani ka qenë i panjohur në Serbi dhe nuk ka ekzistuar as në kalendarin zyrtar kishtar ndërsa 15 qershor i është kushtuar Amosit. Gjatë shekullit 19 kanë filluar festimet nacionale-fetare të Vidovdanit në kuadër të mitit të Kosovës dhe potencimit të kultit të Llazarit. Pas betejës së Kumanovës më 1912 e cila është shpallur për hakmarrjen e Kosovës, Vidovdani është shkruar me ngjyra të kuqe në kalendarin e Mbretërisë Serbisë. Kështu miti për Kosovë nga kontesti i këngëtarëve popullor është bërë pjesë zyrtare e konstruksionit ideologjik shtetëror.
Studiuesit kujtojnë se versioni i thjeshtuar serb i Betejës së Kosovës thekson vetëm heroizmin dhe martirizimin e Princit Lazar, duke fshirë nga kujtesa historike faktin se kundër ushtrisë turke kanë luftuar të gjithë popujt e Ballkanit. Më e rëndësishmja, përpunimi mitik i betejës së Kosovës gjithashtu injoron faktin se në anën turke kanë luftuar vasalët krishterë të Sulltanit, përfshirë serbët etnikë. Thelbi i mitit për Kosovë është në ringjalljen e “mbretërisë serbe” e cila as që ka ekzistuar në kohën e betejës së Kosovës. Sipas mitit, serbët kanë qenë disponues të kësaj pjese dhe mbretëria e tyre është shuar në Fushë Kosovë! Kombet janë formuar qysh në shekullin e 19. Për më tepër serbët me mitet e tyre shkuan aq larg sa me kohë zëvendësuan shqiptarët me turq. Autorët nacionalist serb e prezantojnë Kosovën si vend të premtuar të serbëve sikurse Jerusalemin për hebrenjtë. Shumë nga autorët me renome e kontestojnë këtë duke theksuar se Kosova në kuadër të Serbisë ka qenë shumë shkurtë dhe asnjëherë nuk ka qenë qendër e Serbisë.
Në mesjetë qendër e fiseve serbe ka qenë Rashka ndërsa shekullit të ri Shumadia. Sociologu i religjionit Mirko Djordjeviq konsideron se Kosova për të cilin ata flasin nuk ekziston në realitet por ai është imagjinuar respektivisht territor i imagjinuar. Për shkak se kjo hapësirë ka qenë e populluar me banorë jo serb, dhe se beteja e Kosovës është interpretuar si konflikt osmano-serb, ndërsa shqiptarët janë prezantuar si rrëmbyes të territorit serb! Shqiptarët i paraqesin si një “popull pa histori”: fise barbare gjenetikisht të paafta për zhvillim kulturor dhe politik.
Disa pseudo historian serbe për ti dhënë kontinuitet historik Vidovdanit që nga beteja e Kosovës përmendin festimin Shën Vidit, të cilën asnjëherë kisha ortodokse serbe nuk e ka festuar më 15 qershor. Serbët ortodoks nuk kanë asnjë kishë të Shën Vidit. Këtë festë e festojnë katolikët e Konvales dhe Bokës në Mali i Zi. Kisha romako katolike e shënon 15 qershorin që i kushtohet shën Vidit (lat. Sanctus Vitus, në përkthim Shën Vitus) ndërsa vetë kulti i Shën Vidit ka qenë i fuqishëm në bregdetin Adriatik ku edhe sot ekzistojnë toponime dhe shenjtore me emrin e Shën Vidit i cili është edhe mbrojtës i qytetit Rjeka.