Kryeredaktori i gazetës zyrtare të PD-së, Bledi Kasmi, ka zgjedhur të jetë me Sali Berishën në përplasjen brenda PD-së.
Ai kërcënon ata që i dalin para opozitës së Sali Berishës.
“Sali Berishës nuk i duhet PD-ja, por demokratëve dhe vendit sot më shumë se kurrë i duhet Berisha për atë që përfaqëson dhe lërini përrallat e realizmit socialist me kult individi.
Nëse nuk kemi kuptuar këtë, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë se pse ata mijëra njerëz kanë mbushur sallat nga jugu në veri këto javë në një furi të jashtëzakonshme ku bashkoheshin zemërimi, revolta dhe shpresa njëkohësisht.
Ata njerëz nuk mbushën sallat me shpresë për hallin e Berishës, por për hallin e tyre sepse janë në pikë të hallit.
Natyrisht, duhet të ishte bërë më shumë për kompromisin në PD javët e kaluara, por ajo që ndodhi keq në krye të rrugës mund të ndreqet përgjatë rrugëtimit opozitar dhe për këtë duhet të kursejmë njëri-tjetrin në etiketime, sepse gjuha kocka s’ka, por kocka bluan.
E rëndësishme sot është vetëm fryma opozitare që është ringjallur si kurrë më parë dhe ajo nuk mund të shuhet më.
Hapini rrugën opozitarizmit!
Ora e përballjes me regjimin është e afërt dhe do jetë një betejë për jetë a vdekje.
Mjerë kush i del përpara”, shprehet kryeredaktori i “RD”-së.