Kush është vlonjati që u qëllua me qytën e pistoletës në kokë, ja kë plagosi një vit më parë…

Një sherr që çoi deri në përdorimin e armës ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e portit të Jahteve në Orikum të Vlorës. Policia njoftoi se sherri ndodhi mes dy personave, ku njëri prej tyre në përplasje e sipër nxori armën duke qëlluar fillimisht në ajër dhe më qytën e pistoletës goditi disa herë në kokë një 37-vjeçar.

Në afërsi të portit të jahteve, Orikum, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar dyshohet me sende të forta nga persona ende të paidentifikuar, shtetasi E. Sh., 37 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se njëri prej personave të përfshirë në konflikt ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër“, njoftoi mbrëmë policia.

37-vjeçari që u godit me qytën e pistoletës në kokë është një person i njohur për policinë e Vlorës. Bëhet fjalë për Ermal Sherifin, i cili vetëm një vit më parë plagosi me armë në një lokal në Radhimë të riun Dean Kapaj. Sherifi mundi të arratisej për disa ditë, por në fund u prangos, ndërsa gjykata  dha masën e sigurisë arrest shtëpie.

Nisur nga ngjarja në fjalë, policia dyshon se edhe përplasja e mbrëmshme lidhet me të, megjithatë nuk përjashtohen sipas burimeve edhe konflikte të tjera që mund të ketë patur 37-vjeçari i njohur në zonë si njeri problematik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *