Libri “Të bijtë e diellit të Jugut” vjen në këtë kohë havadan

Aleksandër Çipa/Nga Petro Lati vjen libri për bregasit më të shquar të kulturës kombëtare, “Të bijtë e  diellit të Jugut”.

“Shenjtorët bëhen të tillë pasi kanë qenë njerëz”,-shkruan diku në epistologjinë e vet Emil Cioran. Në jetën shoqërore diçka e tillë konfirmohet rallë, kur personalitetet e një kohe mbesin të tillë, pavarësisht nga koha e gjatë e rrjedhjes së kohës. Ndërsa në art dhe kulturë, kjo e vërtetë mishërohet më shpesh në jetën e shoqërisë, për shkak të shenjtërisë së artit.

Gazetari bregdetas Petro Lati, i njohur si një ndër më jetëgjatët reportazhist dhe dokumentarist në ekranin publik shqiptar, ka sjellë së fundi, një libër pa zhanër, një antologji eseistiko-kulturologjike për nëntë personalitete kombëtare që kanë lidhje dhe i përkasin aq tipologjikisht një entiteti krahinor shqiptar, siç është ai himariot.

Libri “Të bijtë e diellit të Jugut” u kushtohet dhe sjell materie shkrimore për artistët e famshëm shqiptarë; regjisorin  Dhimitër Anagnosti, piktorin Jorgji Gjikopulli, poetin-kompozitor Neço Muko Himarioti, shkrimtarin Petro Marko, shkrimtarin-përkthyes Spiro Çomora, poetin Lefter Çipa, shkrimtarin Odise Grillo, aktorin Robert Ndrenika, kirurgun Perikli Sheti. Janë emra që kanë triumfuar nëpër kohën një shekullore së fundi, të shoqërisë shqiptare, seicili në fushën dhe në mënyrën e vet, seicili me vokacionin, vlerat dhe talentin e tyre, seicili me përkushtimin e madh dhe shkëlqimin imponues kulturor. Janë emra që e kanë fituar çmimin publik në mënyrë të qëndrueshme, të tejkohshme dhe përpos kësaj merite, ia kanë dalë të mbeten të lartësishëm edhe për atë shenjtëri vetiake që ka lidhje me dinjitetshmërinë e tyre njerëzore, e cila është pashmangshmërisht një “armature” e pazhbëshme e shenjtërisë së të qenit dhe të mbeturit personalitet për historinë lokale, për kulturën kombëtare dhe referencën unike profesionale. Një përkatësi e pandashme dhe e pazhbëshme në njësi, por e vlefshme për unikalitetin e vet.

Autori i këtij libri është një gazetar i njohur nëpër të gjitha trojet tona, por që vjen po nga këto vise, prej nga kanë ardhur si origjinë, nëntë emrat e famshëm. Koha dhe puna e gjatë në media e sidomos në televizion e Petro Latit, kanë qenë mjaftueshmërisht provë e madhe e sendërtimit të një fisnikërie dhe shumë cilësish e virtytesh si për brendinë profesionale të tij, aq edhe për ndërgjegjen qytetare. Në këtë rast, përputhja e cilësisë autoriale me jetën dhe meritat profesionale të kësi lloj shkrimtarie, e përcaktojnë këtë libër si atipik dhe ndoshta një antologji portretesh që i plotëson të gjitha kriteret për të qenë unike dhe tejkaluese për kritikë kriteresh apo përzierje hierarkish.

Libri i Petro Latit nuk sjell risi apo zbulime në jetën biografike të nëntë personaliteteve të viseve akrokeraune, ndonëse të rejat nuk mungojnë për seicilin prej personazheve të zgjedhura prej tij.  Si një reporter, dokumentarist dhe sidomos, reportazhist analizues ia ka dalë të na ndriçojë skriptualisht të gjitha brenditë dhe dimensionet njerëzore, artistike, kulturore dhe specifikat e talentit natyral dhe të formuar që kanë mbartur në jetën e tyre artistike, kulturore dhe publike këto personazhe të famshme. Tek seicili janë specifikat e sjella në një formë aq të pasur dhe të plotësishme. Për seicilin, ofrohet pamvarësisht përmes tekstit, imazhi dhe hapësira, kurba e madhe ngjitëse në karrierat specifike të seicilit. Në këtë aspekt autori me një thjeshtësi dhe model teksti ndërthur elemente të reportazhit, esesë, portretit, monologut dhe etydit, dialogut dhe intervistës, memuarit dhe fotografisë, në funksion të një realizimi portretizues dhe skulpturues me fjalë, të seicilit prej personaliteteve ikonike. Duket se ka tentuar t’i realizojë skriptualisht këto ikona, duke u nisur nga një pozicionim lokalist, por kur udhëton me vëmendshmëri maksimale nëpër krejt tekstin e librit, jo vetëm shijon, por ndien madhimin e disa ndjenjave të larta krenimi dhe gëzimi për këtë “lupë” të qëllimtë të autorit:

Përdorimi i parë prologues i “kësaj lupe” është kapitulli hyrës i librit; “Përtej mjegullës së Mjegulloshit”. Mjafton ky prolog të kuptosh se autori-gazetar është një ekspedist i përhershëm i elementeve të etnokulturës, historisë, në Bregdetin e Himarës. Nuk është vetëm përshkrues, nuk mbetet në stilin klasik të reportazhit, por duke qëmtuar në fondin oral, atë poetik e kulturor të krahinës, duke shkelur edhe në “pragje hyrëse” në studim arkeokulturor, hedh teza dhe riaktualizon të tilla si të përfolura ashtu edhe të hipotezuara. Petro Lati risjell rishtazi në vëmendje një antropotakim  dhe trashëgimor mes Himarës së vjetër me mërgimin biblik të arbëreshëve, në viset e tyre në Italinë e Jugut. Tekste apo toponime të poezisë deradiane dhe të këngëve arbëreshe janë shenja etnotipike që zgjojnë imazhin dhe shumëfishojnë besimin se zanafilla me të sotmen, mes dy anëve të brigjeve kanë pikëtakim dhe dëshmi kohën e ndërmjetme. Por ndjeshmëria intelektuale dhe sidomos shija letrare e poetike e autorit Petro Lati, me lehtësi në këtë kapitull hyrës, ofrojnë selektueshëm një guidë poetike dhe autorësh të cilët jo vetëm e pasuruan dhe i dhanë shkëlqim të përjetshëm polifonisë himariote, por themeluan cilësitë më unike të këngës polifonike labe dhe asaj shqiptare në përgjithësi.

Të nëntë portretet e sjella si ese dhe më tepër se të tilla, ala Cvajkiane, çdo lexuesi do t’i japin mundësinë të fitojë një dijeni dhe njohje të munguar, për dimensionin dhe peshën specifike të himariotëve në kulturën kombëtare shqiptare. Pesë prej këtyre personaliteteve kanë siguruar vlerësimet më të larta të Shqipërisë zyrtare përgjatë pesë dekadave të fundit, ndërsa të nëntë kanë fituar meritueshëm, kurorën e pakohshme të nderimit. Ata me veprat dhe talentin e tyre, me punën dhe bëmat intelektuale e artistike, jo vetëm janë pjesë e elitës më të aprovuar kombëtare, por krenarisht edhe të patejkalueshëm, sipas gjasave, edhe për shumë kohë që do të vijnë.

Autori Petro Lati gjithë këtë  mori cilësish të tyre, e sjell jo me fjalë glorifikuese, as me ndërgjegjen e rënë në mit, por thjesht dhe natyrshëm me rrëfim dhe adresim, me referencë dhe pohime shumëplotësuese, me forcën e të vërtetave që nuk diskutohen por janë të prekshme dhe të dukshme si në terr ashtu edhe në dritë të së përditshmes shoqërore. Kësi personalitetesh në penën e Petro Latit bëhen edhe më ndikues në territorin natyral kombëtar kur mëson se sa emra dhe qendra urbane e historike shqiptare, kanë qenë dhe janë të lidhur me veprën dhe  jetën individuale të tyre, sa plejada emërndritura I kanë dashur, çmuar dhe vlerësuar veprat dhe jetën e tyre.

Në librin e Petro Latit veprat e personazheve nuk enumerohen prej tyre, por prej disa institucioneve që kanë lidhje me shpirtin kombëtar të shoqërisë, prej personaliteteve të cilat i ka sfiduar aprovimi publik i popullit, publikut në përgjithësi dhe entiteteve specifike veçanërisht. Elementet kronikale dhe volumi biografik i librit, për seicilin prej personaliteteve në marrëdhënie rigoroze me bibliografi të ndryshme, me tekste dhe lëndë burimore, me libra autorialë dhe me  monografi të botuara në kohë të ndryshme për trevën e viseve të Maleve të Vetëtimës, përbëjnë veçanësi të këtij botimi, i cili e justifikon edhe cilësimin si monografi atipike.

Toposi, prej nga kanë origjinën dhe vendlindjen këto personazhe-personalitete, të plotësuara nga naracioni e fortë njohës dhe pastërtisht me dashuri nga autori Petro Lati është sjellë ndryshe dhe na shton arsyet ta duam, dëshirojmë e gjykojmë dhembshurisht e bujarisht, më ndryshe Bregdetin jonian e sidomos entitetin Himarë. Fshatra e qyteza si Himara, Dhërmiu, Vunoi, Iliasi, Piluri etj,.etj., të  mbajtura pashkëputshëm në fokus përgjatë krejt aktit shkrimor dhe realizues të këtij libri, na bëhen jo vetëm kombëtarisht më të dashur, por kulturalisht dhumë e shumë më të shtrenjtë.

Autori nuk është thjesht një “piktor skriptualist i portreteve”, por një shkrimtar që ofron me fuqinë e realizmit dhe të njohjes jo vetëm dritëhijet e kurorave që mbartin të famshmit, por edhe dhimbjet dhe lëngatat, pengimet dhe pranëndodhjet e tyre nëpër humnerat e regjimeve, rendeve, shoqërisë shqiptare në kohët e jetës së tyre. E bën këtë duke respektuar një metodologji apolitike por skrupulozisht historike dhe sociale. Për këtë arsye me një mishërim talenti ia ka dalë të krijojë për lexuesin perceptimin real për shtatlartësitë dhe volumet specifike të autoritetit të seicilit prej nëntë personaliteteve.

Autori Petro Lati në librin “Të bijtë e diellit të Jugut”, dhembshurisht dhe lokalisht i klasifikon të nëntë si “të bijtë e diellit të jugut”, ndërsa realisht dhe me punën e vet voluminoze autoriale, na mundëson bindjen e padiskutueshmërisë për vlerën dhe cilësitë e meritorëve, për vendin që kanë zënë në poltronin e historisë kulturore kombëtare shqiptare. Në këtë libër autori është besnik i gjuhës shqipe-bukur, i një stili të thjeshtë, por të pasur dhe elegant, i një strukture dhe organizimi lëndor me merita jo vetëm ofruese, por edhe konceptualizmi. Ky libër ka mbërritur prej Petro Latit për ne, pikërisht në një kohë havadan ( e tillë edhe në Himarën e sotme), në të cilën pjesa më e madhe e njerëzisë dëshiron ndërgjegjen e perceptimit të drejtë dhe realist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *