Lufta në Ukrainë dhe mundësia “Dalje me dinjitet”!

Nga Fatjon Malaj/ Ndërsa inteligjenca artificiale dhe dixhitalizimi po riformësojnë jetën tonë, ndërkohë kur po kërkojmë mënyra për të shkuar në Mars e ku po përpiqemi të zhvillojmë politika universale kundër ngrohjes globale, midis këtyre  ka edhe pak njerëz të cilët mendojnë se një luftë në mes të Evropës ose një përpjekje  agresive pushtimi është e mundur dhe gati gati e ligjshme konkretisht si ajo në të cilën Rusia në Shkurt 2022 dërgoi mijëra ushtarë në Ukrainë me qëllim pushtimin e saj.

Me kalimin e muajve, interesi i njerëzve për këtë temë ka rënë. Në këtë pikë, mënyra më e mirë për të shpjeguar se çfarë ndodhi në të vërtetë në konfliktin Rusi-Ukrainë, veçanërishtë rreth situatës së fundit, nuk është të flasim për koncepte gjeopolitike dhe strategji ushtarake, mbasi ky konflikt do të zgjasë me vite nëse nuk do të ketë marrëveshje dhe pushtimi i plotë do të jetë një ëndërr e pamundur për Putinin. Kjo ndërhyrje ushtarake duket se ashtu si gjatë “Luftës së Ftohtë” ka ndarë botën në dy kampe.

Nga njëra anë, Perëndimi me SHBA-në dhe BE-në,  e nga ana tjetër, Rusia, Kina, Irani, India, Brazili, Afrika e Jugut të cilët e mbështesin fshehurazi Putinin duke e cilësuar Zelensky-n një kukull të Perëndimit i cili provokoi Rusinë.

Madje se ishte  “Zelensky, i cili i besoi Perëndimit, hodhi njerëzit e tij në zjarr”. Këto analiza duhen cilësuar si “fetishizëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik”. Përqendrimi kaq shumë në teoritë neorealiste dhe gjeopolitike na bën të humbasim sensin.

Sepse nuk do të ishte e drejtë të analizohej kjo çështje pa marrë parasysh dorën në zhvillimet në Ballkan, nga psikologjia e Putinit dhe popullit rus, deri te marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës, të cilat filluan me Principatën e Kievit në shekullin e 9-të, madje edhe te sllavët lindorë (serbë, kroatë, boshnjakë) në Ballkan. Ndoshta më të harruarit janë tatarët e Krimesë, të cilët iu nënshtruan një shtypjeje të madhe nga pushtimi i Krimesë nga Rusia përsëri në 2014.

Gjithashtu nuk duhet harruar se lufta u përdor në politikën e brendshme nga liderë si kryeministri britanik Boris Johnson, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti amerikan Joe Biden. Johnson. Arsyeja është shumë e thjeshtë ashtu si çdo lider që ka dështuar në politikën e brendshme edhe këta gjetën argument për tu mbështetur në armikun e jashtëm, kryeministri Johnson tërhoqi vëmendjen e publikut vendas duke përmendur Rusinë si një kërcënim të jashtëm të afërt. Në politikën e brendshme, ai heshti zërat e opozitës brenda Partisë Konservatore Britanike dhe siguroi që partitë opozitare të qëndronin pas tij përballë kërcënimit rus. Së fundi, për këtë situatë fajtore janë edhe administratat e Ukrainës, të cilat erdhën në pushtet pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Por së pari duhet të shohim situatën në Ukrainë sot. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 12 milionë njerëz u larguan nga vendi në Ukrainë, e cila kishte një popullsi prej 43.5 milionë para luftës; 7 milionë njerëz janë shpërngulur brenda vendit. Sigurisht që ekonomia e Ukrainës ka pësuar një goditje të rëndë në këtë luftë që po zgjat prej 4 muaj dhe do të duhet kohë për të shëruar plagët e saj.

Aktivitetet ekonomike vazhdojnë pavarësisht bombardimeve në disa pjesë të Ukrainës, pasi situata përmirësohet dhe lufta vazhdon pa shumë ndryshime në vijat e frontit të Ukrainës lindore dhe jugore.

Me kontributin e ndihmës së huaj për Ukrainën, në terren nuk ka asnjë problem të madhësisë së krizës në asnjë produkt, me përjashtim të rajoneve të pushtuara. Fermerët përpiqen të maksimalizojnë të korrat e tyre por veçanërisht  arat afër korrjes bombardohen nga rusët për të mbajtur të ulët rendimentin.

Minat dhe bombat e pashpërthyera marrin jetë në zonat e pushtuara dhe të çliruara në fillim të luftës.

Populli ukrainas është i vetëdijshëm për luftën dhe vështirësitë që ajo sjell dhe nuk ankohet. Ata e kuptojnë se liria e tyre ka një çmim. Sigurisht, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë nëse lufta vazhdon dhe telashet rriten.

Jeta është kthyer në normalitet në Kiev dhe rrethinat e tij. Shumica dërrmuese e atyre që u larguan nga vendi nga këto rajone janë rikthyer. Mbështetja për rezistencën është e madhe. Për shembull, Fondacioni Serhiy Pritula, i cili u krijua në vitin 2020 për të ndihmuar me pandeminë COVID-19, filloi një fushatë me synimin për të mbledhur 15 milionë dollarë tre ditë më parë për të blerë tre dronë Bayraktar, si dhe duke rekrutuar vullnetarë për të mbështetur ushtrinë ukrainase në këtë konflikt të armatosur. U mblodhën 20 milionë dollarë, ose 600 milionë hryvnia, të cilat mjaftojnë për të blerë jo tre por katër dronë Bayraktar në tre ditë.

Lufta Ukrainë-Rusi në fakt filloi me rivalitetin midis nacionalistëve pro-rusë dhe ukrainas në politikën e brendshme të Ukrainës. Lufta midis këtyre dy të kundërtave polare në Ukrainë nisi që kur Ukraina u bë e pavarur në 1991 e rezultoi në pushtimin e Krimesë në vitin 2014.

Ukrainasit nuk heqin dorë nga kërkesat dhe betejat e tyre. Është presidenti Zelensky, i cili u përball me një luftë pak sapo u bë kreu i ri i shtetit, është ai që ende po e bën këtë luftë politikisht dhe ka edhe mbështetjen e popullit.

Zelenskiy forcoi rezistencën në popull me mesazhet e tij në ditët e para të luftës. Në ditën e parë të luftës, Zelensky iu drejtua popullit rus në Tëitter: “Ne e dimë me siguri se nuk kemi nevojë për luftë por nëse sulmohemi nga trupat e armikut ju do të shihni fytyrat tona, jo shpinën.” Ditën e dytë, ai xhiroi një video me kolegët e tij të ngushtë jashtë Pallatit Presidencial në Kiev, duke deklaruar se ai dhe familja e tij nuk do të largohen nga kryeqyteti pavarësisht të gjitha rreziqeve. Oferta e SHBA-së për ta larguar nga Kievi mori këtë përgjigje “Lufta është këtu; Unë kam nevojë për municion, jo mundësi largimi”.

Por ai gjithashtu hapi edhe derën e dialogut për paqen duke deklaruar: “Më duhet të flas me Putinin. Bota duhet të flasë me Putinin. Nuk ka rrugë tjetër për ta ndalur këtë luftë”, tha ai. Të gjithë ukrainasit në Ukrainë ose jashtë saj, ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht dhe socialisht, janë mbledhur rreth një slogani të vetëm dhe një lideri të vetëm: Slava Ukraini dhe Zelensky (Rroftë Ukraina dhe Zelensky).

Përveç operacioneve goditëse, ushtria ukrainase po mbron territorin e saj në qytetet Maripol dhe aktualisht Severodonetsk me metoda guerrile. Aktualisht, lufta po zhvillohet në rajonin e Luhansk në formën e saj më të përgjakshme. Komandat e Rajonit Ushtarak Jugor dhe Perëndimor rus po rekrutojnë dhe dërgojnë vazhdimisht ushtarë në këtë rajon me një mobilizim të padeklaruar për shkak të dështimeve të pamenduara përpara ndërhyrjes.

Morali i ushtrisë ukrainase është i lartë. Populli ukrainas vazhdon të marrë pjesë vullnetarisht në luftë. Ndërsa Ukraina vazhdon rezistencën e saj, ajo është në pritje të përfundimit të trajnimit të armëve të rënda me rreze të gjatë dhe mjeteve të reja ushtarake, ardhur veçanërisht nga perëndimi. Ka informacione se ata do të jenë gati t’i përdorin këto armë të rënda në front, veçanërisht pas gjysmës së dytë të korrikut. Sot nuk ka rënie të mbështetjes për Ukrainën. Nuk mendohet se do të bjerë të paktën deri në vjeshtë.

Mbështetja vazhdon në arenën politike. Së fundi, Bashkimi Evropian vendosi t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e “vendit kandidat”. Me këtë lëvizje, Perëndimi tregoi mbështetjen e tij edhe më fuqishëm.

Nga ana tjetër, Zelenskiy gjithashtu i dha një shans paqes,; Ai pranoi të merrte pjesë në tryezën e paqes në Antalia dhe Stamboll. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoğan i dërgoi me butësi Putinit një mesazh “Dalje me dinjitet” në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës.

Presidenti francez Emanuel Macron nga ana tjetër shpreh formulën “Paqe në këmbim të tokës”. Koha do të tregojë nëse Zelensky dhe Ukraina do të mbeten vetëm në anën e Perëndimit.

Ukraina, e cila nga sipërfaqja është 2.5 herë më e madhe se Italia dhe vendi i dytë më i madh në Evropë, po copëtohet nga Rusia. Një pjesë e Ukrainës, Krimea, është e ndarë prej saj. Rajoni i Donbasit po reziston gjithashtu, por është e paqartë se sa do të zgjasë kjo. Duhet të dalim nga fetishizmi gjeostrategjik dhe të mbështesim jo vetëm ukrainasit, por edhe tatarët turq dhe myslimanë të Krimesë që jetojnë në Krimenë e pushtuar, i cili është territor i Ukrainës.

Lufta nuk ka mbaruar, situata fatkeqsisht po kthehet në një realitet normal i cili çdo ditë e më shumë bën shumë më pak përshtypje. Një status quo e re po shfaqet. Nga njëra anë, Ukraina dhe Perëndimi, duke luftuar për lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen dhe të mirën, nga ana tjetër, Rusia, Bjellorusia, Kina dhe të tjerët (udhëheqësit populistë), që përfaqësojnë tiraninë, luftën, brutalitetin dhe të keqen.

Shumë ekspertë, të cilët nuk e njohin kulturën ruse dhe ukrainase, fenë, historinë dhe që teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare i shohin vetëm në kontekstin e realizmit, sigurisë dhe gjeostrategjisë, komentojnë vazhdimisht. Megjithatë, faktet dhe një qasje gjithëpërfshirëse e bëjnë të nevojshme të flasim për shumë më tepër se këto. Padrejtësia dhe tragjeditë e përjetuara nën këndvështrimin e “Lojës së Madhe” janë shtyrë në plan të dytë. Megjithatë, duhet një këndvështrim tjetër për heshtjen e armëve, vdekjen e fëmijëve, shkatërrimin e mjedisit dhe ditët e qeta që do të vijnë.

A mund të analizohet jeta reale si në filma?

Çfarë lloj fundi e pret Zelensky-n?

A do ta tradhtojë Perëndimi Ukrainën?

A do t’ia paraqesin Putinit skenarin e nderuar të daljes dhe a do ta sjellin atë në jetë?

A do të vazhdojnë të mbështesin ushtrinë ukrainase në fushën e betejës?

Duke marrë parasysh përgjigjet për të gjitha këto pyetje, është e dobishme t’i hedhim një vështrim ndryshimit në shoqëri dhe konjukturë. Populli ukrainas do rezistojë e do ta durojë këtë derisa të vijë koha e ngërçit të dëmshëm reciprok. Mund të ketë një armëpushim kur si Ukraina e veçanërisht Putin të fillojë ta shohi luftën si të paqëndrueshme, shkatërrimtare dhe fatale për fatin e tij e të shfrytëzojë mundësinë “Dalje me dinjitet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.