Partia Demokratike nuk ka votuar kundër borxhit 700 milionë Euro që do të marrë qeveria nëpërmjet lëshimit të Eurobondit. Ky detaj që ka shpëtuar pa u vënë re të enjten, i bën nul debatet e forta gjatë seancës dhe tregon se grupi më i madh parlamentar, opozita kryesore, në të vërtetë nuk është kundër shtimit të borxhit, pavarësisht se borxhi real i vendit ka arritur në një nivel të pallogaritshëm.
Syri.tv ka publikuar sot tabelën e votimit, ku bien në sy se ka patur vetëm 4 vota kundër, ato të LSi dhe 33 abstenime, që janë të Partisë Demokratike.

Për ta konfirmuar këtë, është një mesazh i shpërndarë në grupin e whatsapp-it të deputetëve të PD-së.

Sipas Syri. Tv, është Alfred Rushaj, kryetari i grupit, që i njofton, ose i rikujton deputetët, vetëm pak përpara votimit, se si do të votohet.
“Përshëndetje; për kujtesë për votimin;
1. Projektligji për Eurobond, votimi Pro;
2. Projektligji për huanë e OSHEE, Abstenim;
3. Projektligji për buxhetin faktik, Kundër;
4. Projektvendim për ngritjen e komisionit hetimor për inceneratorët, Pro sipas propozimit të PD…”
Teksa të gjithë deputetët e PD u përgatitën që të bashkonin votat me deputetët e PS, një tjetër urdhër iu mbërriti në telefonate tyre, që do të zbuste disi kritikat që do të merrnin, nga pro do të votohej “abstenim”.
“Më falni, ka një gabim; Eurobond Abstenim”
Përveç mënyrës se si komunikohet një vendim i rëndësishëm, duket qartë që vendimi i PD-së është për abstenim për 770 milionë euro kredi, nga të cilat 700 I ka merr qeveria dhe 70 OSHEE.
Kjo pasi në saeancë, debatet ishin aq të ashpra, sa Sekretari i përgjithshëm I PD-së kërkoi komision hetimor për menaxhimin e OSHEE-së. Kryetari i PD-së lexoi raportet për korrupsionin e qeverisë, për të bindur publikun se shtimi i borxhit, që do të rëndojë më tej xhepat e shqiptarëve, bëhet për shkak të korrupsionit, jo për shkak të krizës.
Përtej show-t, vendimi nuk është aq i ashpër. Vota e PD-së nuk është kundër, “dhëmbët” nuk kafshojnë. Situata është rozë. Ndryshe nga opozita fallco e 2019-2021, kjo e tanishmja nuk voton pro qeverisë, por nuk voton as kundër, pavarësisht peshës së akteve të qeverisë.
Vota kundër ka qenë vetëm për buxhetin faktit të 2020, që nuk ka asnjë rëndësi, sepse është formalitet. Miratohet çfarë është arkëtuar dhe cfarë është shpenzuar një vit më parë, edhe sikur mos ta merrte shumicën e votave, fakti nuk do ndryshonte dot.
