Për gazetarin Mentor Kikia, retorika e kryedemokratit Lulzim Basha një ditë më parë në Kuvend, i cili për herë të parë sulmoi edhe presidentin Ilir Meta duke e futur në një kategori me Berishën dhe Ramën, është një tentativë për të dalë në anën tjetër të “kanalit”.
Në “Publikisht” në RTSH nga gazetarja Blerta Tafani, Kika deklaroi se Berisha, Rama dhe Meta do duhet të ishin shpallur non grata në Shqipëri. Megjithatë se kulmi tjetër i katërkëndëshit do duhet të ishte edhe vetë Basha.
“Janë tre personazhe që kanë qenë në krye të vendit dhe pot ë llogarisësh se çfarë i kanë bërë vendiot duhet të shpallen non grata në Shqipëri dhe jo në SHBA. Por druaj se duhet të jetë katërkëndësh bashkë me Bashën. Basha ka bërë akrobaci, është shkëputur dhe ka dalë nga ana tjetër e kanalit dhe thotë ata janë e keqja”, tha Kikia.
Ndërsa gazetari Enton Abilekaj, deklaroi se deklarata e Bashës për “trekëndëshin e Bermudës”, tregon mesazhin dhe pozitën ku Basha e sheh të ardhmen politike, me një elektorat larg PD.
“Besoj që veç mesazhit që jep, tregon pozitën ku Basha sheh të ardhmen. Ai po kërkon një elektorat larg PD. Është shumë herët për të thënë nëse është betejë apo një komardare e Bashës për t’u kapur. PD e shoh si parti të ndarë”, u shpreh Abilekaj.