Një student ukrainas shkruan mesazhe me porosi në predha artilerie që ushtarët ukrainas po lëshojnë ndaj trupave ruse. Anton Sokolenko, një student 22-vjeçar i IT-së me bazë në Cherkasy, Ukrainën qendrore ka theksuar se ai ka mbledhur mijëra dollarë për të mbështetur trupat lokale përmes marrëveshjes prej 40 dollarësh për një predhë.
Ai përdor rrjetet sociale për të marrë porositë nga qytetarë të ndryshëm anekënd botës, që kushdo të ketë mundësi të lërë një mesazh në predhat e Ukrainës që përdoren kundër ushtrisë ruse. Dhe sigurisht kjo bëhet kundrejt një pagese. E në një nga këto mesazhe përmendet edhe Shqipëria. “Me dashuri nga Shqipëria”, është shkruar në një predhë ukrainase përpara se të përdorej ndaj rusëve. Por kush e ka dhënë këtë porosi që në predhën e ushtrisë ukrainase të përmendet emri i Shqipërisë? Ky fakt nuk dihet. Sipas Anton Sokolenkos, ai porositë i merr nga Telegrami për të shkruar mesazhin e klientëve të cilët për një predhë duhet të paguajnë 40 Dollarë.
Sokolenko u shpreh se ai merr porosi në internet, veçanërisht përmes kanalit të tij Telegram, dhe punon me një OJQ lokale për t’i shënuar predhat. Më pas ai i kthen fotografitë dhe ia kalon 40 dollarët OJQ-së. OJQ-ja, “Qendra për Asistencë për Ushtrinë, Veteranët dhe Familjet e tyre”, konfirmoi në mënyrë të pavarur për Bussiness Insider se Sokolenko është një vullnetar i regjistruar që i ka dërguar më shumë se 18,000 dollarë. Ai siguron pajisje taktike dhe mallra për batalionet aty pranë. Sokolenko tha se paratë e mbledhura deri më tani kanë blerë dy sisteme Starlink, një kamionçinë dhe një pamje termike. OJQ-ja ofron gjithashtu radio, ilaçe, ushqime dhe çanta gjumi.
“Unë nuk jam aq i guximshëm për të marrë pjesë në luftë, kështu që po përpiqem të bëj më të mirën për të ndihmuar ushtarët të qëndrojnë gjallë dhe të vrasin armiqtë,” tha ai.
“Në fillim të luftës nuk po bëja asgjë dhe kjo më shqetësonte”. Ai bëri kokteje molotov, siç bënë shumë ukrainas në fillim të luftës , por shpejt vendosi se mund të ishte më i dobishëm diku tjetër. Në vend të kësaj, ai vendosi t’i përkushtohej mbledhjes së fondeve, duke hapur një kanal Telegram që rindante videot ushtarake virale, duke fituar rreth 12,000 ndjekës në këtë proces.
