
Kryeministri Rama tha se do të rrinte gjatë në Komision për t’iu përgjigjur interesit të deputetëve. Rama u shpreh se Tabaku gaboi duke thënë se inceneratori i Tiranës po financohej nga buxheti i shtetit. Sipas tij, nga buxheti financohen inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
“Është një term që ma ka mësuar avokat Ngjela, quhet Lajthitje në Objekt. Tirana nuk është financuar nga buxheti i shtetit, Elbasani dhe Fieri po”, tha Rama duke shkaktuar reagimin e Tabakut dhe Belind Këlliçit.
Ndaj këtij të fundit Rama tha: Pasi ke ndejtur aq gjatë në të ftohtë në stadium, nuk mund të iki pa të dëgjuar ty.
Madje, tha Rama, ‘nuk iki pa ju dëgjuar të gjithëve dhe mund të sillni edhe të tjerë këtu me ndërrim.’
Kryeministri i tha Tabakut që t’i kërkonte ndjesë pasi e kishte fyer gjatë pyetjeve dhe mbylli mikrofonin duke paralajmëruan ndërprerjen e dëshmisë së tij.
PJESE NGA DEBATI:
Jorida Tabaku: A jeni në dijeni se janë financuar me 100 milionë euro?
Edi Rama: Zonjë, ju bëtë një gabim, ndaj ju ndërpreva. Shikoni çfarë gabimi bëtë?
Jorida Tabaku: Jam në autoritetin tim, s’po komentoj, fokusohemi këtu. Me respekt për avokat Ngjelën, për Teatrin dhe ambiciet tuaja, fokusohemi tek pyetja.
Edi Rama: Zonjë, ju bëtë një gabim në raport personal, fyet dëshmitarët, ju thatë “juve kështu ua kanë thënë”, unë kam ardhur këtu… dhe dua vëmendjen tuaj se dhe kur më shihni gaboni. Nëse e keni vëmendjen këtu, këtu duhet të më kërkoni një ndjesë të vogël, sepse sipas jush s’dhashë përgjigje korrekte sepse thashë diçka që ma ka instrukturuar grupi kriminal. Mund të më kërkoni një ndjesë modeste, të lehtë, të vogël…?
Jorida Tabaku: Ju mund të doni të bëheni aktor…
Edi Rama: Zonjë, ju thatë që…dale se kjo është tejet e rëndësishme, edhe për mua është shumë e rëndësishme. (qesh).
Jorida Tabaku: Për mua është kjo shumë e rëndësishme. Janë paguar 35 milionë vetëm në Tiranë.
(Rama qesh prapë).
Jorida Tabaku: Po ju dëgjoj me respekt.
Edi Rama: Jam shumë i keqardhur të mos i përgjigjem lutjes tuaj pa zgjidhur hallin tim. Ky është halli im. Ju i thatë dëshmitarit që ju nuk thatë asgjë, dhe ose ju kërkoni falje dhe s’do komentoni më ato që them unë, ose do rrimë këtu deri më 6 mars.
